E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindja, 6 plumba ndaj bashkëfshatarit

Lezhë

Grinden në lokal, breshëri plumbash mbi bashkëfshatarin. Për pasojë një 40-vjeçar nga fshati Ishull Lezhë ka mbetur i plagosur nga fqinji i tij. Ndërsa autori ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar prangosjes nga ana e policisë. Burime zyrtare të Policisë së Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orën 16.00 të ditës së djeshme në fshatin Ishull Lezhë. I njëjti burim saktëson se Ndue Rrasa, 40 vjeç, është grindur në lokalin e fshatit për motive banale me Feliks Lekën 52 vjeç. Më pas situata ka precipituar jashtë lokalit, ku 52-vjeçari Leka i ofenduar nga Rrasa ka nxjerrë pistoletën nga brezi, duke qëlluar gjashtë herë mbi Rrasën dhe lënë të plagosur rëndë. Më pas është larguar në drejtim të paditur duke i shpëtuar arrestimit nga uniformat blu. Kanë qenë banorët e fshatit, dëshmitarë në vendin e ngjarjes, që kanë transportuar 40-vjeçarin Rrasa për në spitalin e Lezhës. Pasi ka marrë ndihmën e parë ai është dërguar për trajtim më të specializuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku sipas mjekëve ai ndodhet në gjendje kritike për jetën. Policia e Lezhës ka ngritur postblloqe dhe ka nisur krehjen e zonës për arrestimin e 52-vjeçarit. Sipas të dhënave, ai e njeh mjaft mirë zonën dhe është shumë e vështirë kapja e tij. Ai mban me vete edhe armën e krimit. Në ndihmë të forcave të Policisë së Lezhës kanë ardhur edhe forcat e FNSH-së së Shkodrës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›