E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konsultat me specialistë të shëndetit mendor, të rëndësishme për të shmangur pasojat ekstreme

Rastet e vetëvrasjeve në mosha të reja janë një fenomen që shpesh vjen si pasojë e mungesës së ndërhyrjes së hershme dhe mbështetjes së duhur në rastet kur kanë probleme. Ende ekziston një tabu rreth shëndetit mendor, që pengon shumë të rinj të kërkojnë ndihmë.

“Ndonjëherë duken si shqetësime të lehta dhe kalimtare por duke iu bashkangjitur edhe probleme të tjera, sociale, familjare apo ekonomike këto probleme të lehta në dukje bëhen probleme madhore me akte fatale. Asnjëherë nuk duhet të hezitojmë të kërkojmë ndihmë psikologjike me profesionistë”, u shpreh Nikolna Bode, mjeke psikiatre QKSHM, Korçë.

Mjekja psikiatre, Nikolina Bode thotë se ka dhe raste të depresionit të fshehur që janë më të vështira për t’u evidentuar dhe trajtuar.

“Ajo që evidentohet nëse personi e fsheh simptomatiken e tij, është izolimi social, mungesa e komunikimit për të ngjallur probleme të shëndetit mendor”, tha specialistja.

Është thelbësore të krijojmë një mjedis ku të rinjtë ndihen të dëgjuar, të kuptuar dhe të mbështetur thotë Bode. Familja, shkolla dhe shoqëria në tërësi kanë një rol kyç në parandalimin e këtyre tragjedive.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›