E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsultimet nuk sollën datën e zgjedhjeve

Prishtinë - Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nuk caktoi datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në vend, pas takimit të parë me përfaqësuesit e partive politik. Ai tha se nuk e di cila do të jetë data e saktë, pasi pret edhe mendimet e subjekteve tjera politike.
Kjo u tha të hënën, në raundin e parë të konsultimeve të presidentit të vendit me partitë politike, rreth mundësisë së caktimit të një date të përshtatshme për zgjedhjet lokale.

Numri një i vendit tha se konsulta ka të bëjë me fillimin e proceseve të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme lokale që duhet të mbahen sipas rendit ligjor. Ai tha se konsultat do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme, por kësaj radhe, me secilën parti veç e veç.

Sejdiu tha se ende nuk e ka idenë se cila mund të jetë data e mbajtjes së zgjedhjeve. “Unë nuk kam ide të paragjykuar se kjo do të jetë data, por do të dëgjoj shumicën e tyre, argumentet që do t’i shtrojnë dhe arsyet e tyre”, tha kreu i vendit.
Duke folur për disponimin e përfaqësuesve të partive politike në vend, Sejdiu tha se ka disa nga partitë që japin ide që zgjedhjet të mbahen në tetor, disa që nuk insistuan për një datë konkrete, por shtoi se “shohim se cila është data më e përshtatshme”.

Ndonëse në takimin e parë, disa partitë politike nuk ishin të përfaqësuara në nivel të lartë, Sejdiu tha se kjo gjë nuk e brengos për shkak se sipas tij, ai ka ftuar përfaqësuesit partiakë, e është në dorë të tyre se kë e dërgojnë.
Presidenti Fatmir Sejdiu, do të zhvillojë edhe dy raunde konsultimesh me partitë politike, e më pas do të vendosë për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale që janë të parat pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›