E Hënë, 2 Nëntor 2026

Server: Serbia problem, derisa të njoh Kosovën

Prishtinë -“Kosova ka shumë nevojë jo vetëm ndihmën ekonomike, por edhe politike e diplomatike të Shteteve të Bashkuara” tha në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën (RTK), zëvendës shefi i institutit amerikan për paqë, Daniel Server. Ai gjithashtu tha se Serbia do të ketë probleme në raportet e saj me SHBA-të për aq kohë, sa të mos e njohë Kosovën.

“Mendoj se është sinjal në njëfarë mase i vëmendjes së qeverisë amerikane për Ballkanin. Kjo vëmendje nuk është në listën e top prioriteteve, por vizita e zëvendëspresidentit tregon se Shtetet e Bashkuara ende janë të interesuara për Ballkanin”-theksoi Server.

Ai shtoi se Kosova është duke marrë ndihmë amerikane. Mirëpo-vijoi Server, “edhe më e rëndësishme për të mendoj se është mbështetja politike. Këtu flas në veçanti për asistencën amerikane në drejtim të zgjerimit të njohjeve nga vendet tjera. Pra nuk bëhet fjalë vetëm për ndihmë materiale, por edhe për ndihmë politike dhe diplomatike”. Sipas tij, për amerikanët Serbia është problem për sa kohë që Serbia të mos njohë Kosovën dhe të vazhdojë të provojë të mbajë kontrollin nëpër disa pjesë të Kosovës.

Pyetjes së bërë se si mund të zgjidhet kjo çështje, Server u përgjigj se ajo mund të zgjidhet përmes njohjes. “Mund të zgjidhet përmes njohjes dhe përmes tërheqjes nga pretendimet territoriale. Por, kjo nuk do të ndodhë shpejtë sepse politikanët në Serbi janë mbyllur brenda pozitave të tyre aktuale. Shpresoj që Biden të ketë bisedë shumë miqësore me ta për këtë çështje dhe t’u thotë ate të vërtetën, që e dimë të gjithë: se Serbia nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën”-vijoi analisti amerikan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›