E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsultimi është detyrë funksionale e Presidencës

Presidenti i vendit, Bamir Topi, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe Kryeministri Sali Berisha u përfshinë këto ditë në një debat, i cili ka në thelb, më shumë se subjektin, që janë anëtarët e rinj të mundshëm të Gjykatës së Lartë, një model sjelljeje të politikanëve shqiptarë në përgjithësi, që ka të bëjë me parime jopolitike.

Barazia që po heq që në fillim është e padrejtë për të tria figurat më të rëndësishme të vendit, por përfshirja e tyre në këtë debat ka kaluar nëpërmjet të njëjtit mekanizëm komunikimi, mes politikanëve shqiptarë apo drejtuesve të institucioneve të rëndësishme të vendit, mekanizëm ky tradicional jo vetëm në periudhë e pluralizmit, por edhe para Luftës së Dytë Botërore.

Nëse Berisha ka pasur herë pas here shenja të forcës në komunikim dhe politikë, nëse edhe Topalli është qortuar shpeshherë si e sertë në drejtimin seancave parlamentare, tek Topi ishte vënë re një veti mjaft e vlerësuar nga publiku, ajo e bashkëpunimit me të gjitha palët. Kjo ka qenë edhe një tiparet dalluese të Topit, një tipar që bie në sy në një politikë konfliktuale dhe që pëlqehet e përshëndetet prej shumë njerëzve. Kjo cilësi e tij ka qenë edhe një prej arsyeve që ai është sot President i vendit, dhe në rastin e tij më shumë kanë punuar vetia presidenciale e bashkëpunimit sesa ato që lidhen me pjekurinë politike, angazhimet e tij të vjetra në PD apo kontributet personale në politikën shqiptare.

Duke qenë se bashkëpunimi është kthyer në tipar presidencial, se konsultimi është veti e Presidencës, çdo shmangie e tij në punën e përditshme të Presidentit, krijon një boshllëk tek vetë institucioni, por edhe tek perceptimet e qytetarëve për këtë institucion. Fakt është se Bamir Topi përgjatë këtyre muajve në krye të Presidencës e ka vendosur atë në mbi palët e jo nën palët siç ka qenë kryesisht tek dy presidentët e tjerë pas ’97-s dhe tërësisht palë siç ka qenë në periudhën para ‘97.

Pra dallimi mes Presidencës “Topi” dhe Presidencës “Meidani” e “Moisiu”, si dhe me Presidencën “Berisha” është esencial.

Por ky dallim mban brenda disa kufijve.

Nëse këta kufij tejkalohen, Presidenca “Topi” i afrohet Presidencës “Berisha”, e cila nuk merret për një model të mirë Presidence në kuptimin e komunikimit dhe ushtrimit të pushtetit, qoftë për faktin se ligjet kushtetuese të asaj periudhe i ofronin Presidentit shumë pushtet, qoftë edhe për faktin se Berisha e ka në cilësitë e tij ushtrimin e vrullshëm të pushtetit.

Nëse këta kufij nuk arrihen, atëherë Presidenca “Topi” i afrohet Presidencës “Meidani”, një lloj Presidence nën palët, dhe ku i bindet mazhorancës, prej së cilës ka dalë në pothuajse të gjitha vendimet ose të paktën në një pjesë të mirë të vendimeve që merren në Presidencë. Por nëse këta kufij nuk arrihen, për shkak se Presidenti nuk i bindet mazhorancës, që e ka votuar, por realizon vendime në funksion të interesave politike të ndryshme, duke qëndruar sërish nën palët, i afrohet shumë Presidencës “Moisiu”, e cila po ashtu nuk është një Presidencë që mund të merret për model, dhe bile viti i fundit i kësaj presidence ishte edhe i qortueshëm.

Rasti i dekretimit të gjyqtarëve për Gjykatën e Lartë larg çdo konsultimi që do i shkonte për shtat cilësisë së Presidencës, e ka vënë në diskutim faktin nëse Topi do të jetë në gjendje të përballojë mbajtjen në kufijtë e Presidencës mbi palët, duke mos cenuar tiparet kushtetuese të Presidencës në Shqipëri, pra duke mos përjashtuar palët, apo ta mbajë mbi palët, duke i përjashtuar ato. Fakt është se ai sot nuk është nën palët, por nuk është e mjaftueshme për të shmangur version jopolitik të komunikimit të keq mes zyrave që mbajnë pushtetin në Shqipëri.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›