E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushteti i katërt

Këtë javë Komisioni Evropian i dorëzoi në Bruksel ministrit tonë të Jashtëm, Lulzim Basha, udhëzuesin që përmban kushtet që duhet të plotësojë vendi i ynë në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së. Pikat kryesore që duhet të përmbushen janë: dokumentet e identifikimit në standardet e BE-së, kontrolli i kufijve dhe imigracioni ilegal. Pak muaj më parë ish-kryetari i këtij komisioni, Fratini, tha se në muajt e parë të vitit që vjen, shqiptarët do të qarkullojnë lirshëm në BE. Duke qenë se çështja e qarkullimit të lirë dhe izolimi i shqiptarëve është një çështje që ka dekada që pret një zgjidhje, sa mendoni se tashmë BE-ja ka thyer stereotipin e saj për shqiptarët dhe se sa të suksesshme kanë qenë qeveritë shqiptare për të përmbushur detyrimet në lidhje me këtë çështje?

Mesa duket, po afron dita kur regjimi i vizave që Bashkimi Evropian mban me vendet e Ballkanit dhe konkretisht me Shqipërinë do të ndryshojë për mirë, domethënë do të hiqet për t’ia lënë vendin një qarkullimi të lirë të shqiptarëve në hapësirën komunitare.

Por, këtu nuk duhen ngatërruar dy gjëra krejt të ndryshme. Heqja e vizave do të thotë se kur kjo të ndodhë qytetari shqiptar nuk do të ketë nevojë të shprehë qëllimet dhe arsyet se përse do ta ndërmarrë një udhëtim të caktuar. Kjo i rrit atij hapësirat e zgjedhjeve intime që janë të drejta demokratike shumë të rëndësishme. E bën që të mos detyrohet të kalojë nëpër administrata konsullatash dhe ambasadash për të marrë leje udhëtimesh. Të mos paguajë. Të mos sorollatet. Të thotë se dua të udhëtojë për qejf. E drejtë e madhe, e drejta për të mos dhënë llogari se ku po shkon.

Jo si tani që duhet t’i «hapësh barkun» nëpunësit konsullor, duke i thënë se po shkoj tek tezja në Vietnam, sepse goca e tezes e martuar me një japonez ka lindur një çun, për të cilin më ka zgjedhur mua për të më bërë nun. Më ka zgjedhur mua, sepse një ditë kur kam qenë duke udhëtuar në Mongoli më lindi ideja...

Këto janë ngatërrime të intimitetit me ligjin.

Zhduk statuset e privilegjuara që i bëjnë disa të kenë viza dhe të tjerë të mos kenë.

Por, kjo nuk do të thotë akoma se qarkullimi i lirë nuk nënkupton më afate qëndrimi, apo jep automatikisht të drejta për punë etj., në Perëndim. Kjo nuk është kështu. Rolin rregullues në ato kushte e luan pasaporta dhe vulat në kufij, dhe jo vizat. Nëse në një të ardhme shumë të afërt jam i sigurt se qeveria do të shkëpusë heqjen e vizave, kjo nuk do të thotë se me këtë do të hiqet regjimi i kontrollit kufitar, apo rregullimi normativ i lëvizjes së lirë. Nuk jemi akoma aty. Kjo është një e drejtë që edhe shtete të tjera që ndodhen shumë para nesh në procesin e integrimit evropian nuk e kanë arritur. Por, duhet me qenë të duruar, sepse gjërat vijnë gradualisht.

Kuptohet që Shqipërisë do t’i vihen disa kushte administrative për të plotësuar sikurse është forcimi i sigurisë dhe i kontrollit në pikat kufitare të saj, vazhdimi i përpjekjeve për të luftuar trafiqet e të gjitha llojeve, përforcimi i rregullave për të huajt që vijnë nga vende të tjera të botës veç atyre të Bashkimit Evropian, e kështu me radhë. Por këto përbëjnë anë administrative, të cilat janë shumë të rëndësishme, por megjithatë nuk janë aspekti më themeltar.

Nuk mund të mos të bëhet qejfi kur ndjen në mbledhje të ndryshme, në të cilat ndodhen dhe flasin edhe funksionarë të lartë të Evropës së Bashkuar, që me gjithë problemet e shumta që sigurisht nuk mund të thuhet se janë shterur, perceptimi i Brukselit është se Shqipëria vitet e fundit ka bërë hapa përpara në drejtim të sigurimit të kufijve të saj, e mbi të gjitha një luftë më serioze dhe efikase kundër të gjithë trafiqeve në tokë, në det, në ajër. Lexuesi duhet të dijë një gjë. Shpesh disa masa administrative që merren, ndonëse i duken të pakuptueshme, ato janë të kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare dhe nuk zbresin kështu nga qielli apo thjesht se i shkrep në kokë dikujt.

Shpesh gabimisht thuhet se pushteti i katërt në një vend demokratik janë media. Nuk duhet harruar se kjo shprehje është marrë nga një burim i caktuar, në një çast të caktuar, thënë në një kontekst të caktuar. Por, nuk është e thënë se kemi të bëjmë me një pushtet të vërtetë, të shkruar mbi dokumente ligjore. Është një thënie literature, por që nuk ka asnjë bazë në tekstet apo në kuadrin juridik të asnjë vendi. Bile, doja të thosha, se në kuptimin filozofik të politikës, kjo shprehje sot po gjen gjithnjë e më shumë kundërshtarë. Teoricienë të shquar në shkencat sociale në përgjithësi, mendojnë se mediat nuk përfaqësojnë një pushtet, nuk duhet të përfaqësojnë një pushtet. E para, sepse kjo nuk përmbahet në kuadrin juridik të vendit, dhe e dyta, sepse sot bëhet shumë kujdes të veçohet përmbajtja e opinionit publik të qytetarëve që shprehet nga media, dhe mediave në vetvete, të cilat janë subjekte private, politike, apo qendra kapitali dhe përqendrimi teknologjik, të cilat iu përkasin ose partive e organizatave politike, ose lobingjeve financiare dhe ekonomike. Në këtë kuptim, as opinioni i publikut nuk është një pushtet i katërt, sepse duke qenë pjesë e vullnetit të përgjithshëm, ai nuk është pushteti i katërt, i pestë, i gjashtë, por është vetë shprehja e pushtetit sovran të qytetarëve, për aq sa ai shprehet dot në media. Ndërsa kur është fjala për mediat si qendra kapitali, biznesi, përqendrimi teknologjik, nuk ka kuptim, është e dëmshme të pranohet, thuhet gjithnjë e më shpesh, që këto media të konsiderohen në vetvete si pushtet më vete. Mediat duhet të shprehin zërin e qytetarëve dhe jo të vetes së tyre, interesat e tyre, në ballafaqimin me pushtetet e tjera politike dhe administrative. Pushtet do të thotë autoritet vendimmarrës, të cilën media nuk e ka dhe nuk mund ta ketë. Kur vendimet për çështjet e ndryshme kushtetuese, politike, juridike, funksionimin e gjykatave, politikën e jashtme, i merr media, analistët, në kuptimin e përfaqësuesve të bizneseve apo institucioneve mediatike, dhe jo në kuptimin e përçimit të opinionit qytetar, atëherë i gjithë sistemi i pushteteve demokratike çekuilibrohet krejtësisht. Media është në anën e qytetarit, të atij që përballet me pushtetet e tjera, dhe jo të ushtrojë një pushtet në kuptimin e një sundimi mbi qytetari.

Po të ndodhte kështu do të kishim kultin e medias, do të kishim pushtete okulte që kontrollojnë kulte.

Përse e thashë gjithë këtë? Për të arritur te një pikë tjetër e arsyetimit së bashku me lexuesin tonë dhe për të thënë se pushtet i katërt në vendet e rajonit dhe më gjerë në fakt janë aleatët tanë të jashtëm, pjesëtarë të strukturave mbikombëtare, në të cilat ne dëshirojmë të hyjmë, janë Evropa e Bashkuar me institucionet e saj dhe NATO. Ne jemi të lidhur dhe të nënvendosur, sikurse edhe vendet e tjera demokratike, ndaj traktateve apo marrëveshjeve që kemi nënshkruar apo nënshkruajmë çdo ditë me ta dhe që e nxjerrin vendit tonë në një kuadër pushtetor shumë më të gjerë sesa përpara. Këto institucione do të jenë gjithnjë e më shumë edhe një garant tjetër shumë i rëndësishëm i balancave të pushteteve në Shqipëri. Pushtetet e tyre janë reale, sepse ndodhen të mbështetura në ligje dhe në marrëveshje, të cilat si rregull kanë prioritet, sikurse në çdo vend, mbi shumë ligje të tjera.

Faktori ndërkombëtar po bëhet fatmirësisht një pushtet realisht i katërt dhe kjo e transformon gjithnjë e më shumë balancën e pushteteve në Shqipëri. Në filozofinë e sotme politike thuhet gjithnjë e më shumë se ndofta ndarja e tre pushteteve është shumë relative, ajo duhet të jetë relative, ndonëse e balancuar, por mbi të gjitha nuk duhet ngatërruar ndarja e pushteteve me rivalitetin e partive në institucioneve të shtetit. Po të ndodhte kjo gjë e fundit, sikur ka ndodhur në bazë të kushtetutës të hyrë në fuqi me vullnetin e pakicës së popullit shqiptar, të referendumit të vitit 1998, kur populli ishte kolektivisht i traumatizuar, atëherë vendin e demokracisë e zënë politizimet e pafundme. E meqë jemi këtu dua të them se disa formulime në Kushtetutë iu ngjanë sloganeve të shkruara nëpër male shkëmbinjsh, të paqartë, globalë dhe jo si norma të qarta, të detajuara, dhe prandaj krijohen pa fund keqkuptime midis institucioneve të ndryshme. Tjetër është një tërësi parimesh pushteti të shprehura në një deklaratë dhe tjetër një kushtetutë. Mund të qeveriset edhe me një deklaratë të mirë, me kusht që të ketë pas saj një tërësi profesionale kuadrosh normative dhe juridike, dhe tjetër një Kushtetutë.

Duke e konsideruar faktorin institucional të jashtëm si një pushtet realisht i katërt, i ndarë qartë ndaj pushteteve të tjerë në Shqipëri, e vlerësojmë rolin e tij, sepse në krahasim me pushtetet e tjera është me përvojë më të madhe, me një kulturë demokratike më të lashtë dhe të pjekur, si edhe me mundësi financiare shumë më të mëdha.

Në të gjithë mendimin politik dhe filozofik bashkëkohor sot gjithnjë e më pak flitet për vetëqeverisje, por për bashkëqeverisje. Sovraniteti kombëtar nuk kuptohet si i shprehur në mënyrë të ngushtë si vetëqeverisje. Kjo do të thotë se Shqipëria do të ketë peshën e vet të vendimmarrjes për qeverisjen e hapësirave shumë më të gjera sesa territori i saj, por duhet pranuar se edhe komuniteti i shteteve partnere do të ketë pjesëmarrje në qeverisjen e vendit tonë. Ky është realisht një pushtet i katërt që ushtrohet mbi ne, dhe ne do ta ushtrojmë mbi të tjerët.

Nuk janë pushtet, në kuptimin juridik, mediat, bizneset private, bashkia, feja etj., pavarësisht faktit se ato kanë influenca mbi vendimmarrjen. Tjetër është influenca, qendrat e influencimit të vendimmarrjes dhe krejt tjetër janë qendrat e pushtetit. Kush nuk e kupton mbërritjen e pushtetit të katërt që po afrohet bashkë me integrimet e Shqipërisë në Evropën e Bashkuar dhe në NATO, nuk e kupton dot politikën e sotme.

Ngatërrimi lidhur me atë se kush është pushteti i katërt është jo vetëm i padobishëm, por edhe i dëmshëm në një farë kuptimi, sepse i jep këtyre faktorëve që nuk janë të tillë një përmasë që nuk e kanë dhe nuk duhet ta kenë.

Imagjinoni që media e influencuar nga interesa private të ndikojë pushtetshëm zgjidhjet gjyqësore, vendimet e Gjykatës së Lartë, të Prokurorisë etj.

Të gjitha këto i thashë për ta kuptuar një herë e mirë edhe çështjen e regjimit të vizave. Lehtësimi dhe liberalizimi i qarkullimit të shqiptarëve në territoret evropiane nuk varet vetëm, pra nga pushtetet shqiptare. Varet edhe nga vendimet e pushtetit të katërt. Atij të vërtetit.

Gjykoj se edh faktoi i jashtëm ka interes dhe ka ardhur në gjykimin politik fatlum, se nuk ka kuptim të mbajë përtej vitit 2009 ndalesat për qarkullimin e lirë të qytetarëve shqiptarë. Kam informacione se brenda instancave evropiane vendimi, ose paravendimi politik, është tashmë i marrë.

Evropa është një vend që në vlerat e saj e ka të shkruar se lufton kundër segregacionizmit juridik dhe i përmbahet fort këtij parimi. Pra, historia e getos çifute asaj i dhemb shumë, sepse ka të bëjë me kujtime të hidhura të së kaluarës. Në fakt, ky regjimi i vizave ka elemente të një segregacionizmi. Nëse Evropa e ka pranuar këtë lidhur me ne, me siguri e ka bërë sepse ka qenë e detyruar për të shmangur trafiqet, këtë të keqe edhe më të madhe, por në parim ajo nuk mund të privojë njerëzit nga qarkullimi i lirë për arsyen se ky parim i fundit është pjesë e vlerave të veta shumë të rëndësishme.

Kam dëgjuar funksionarë evropianë që tashmë bëjnë një arsyetim politik shumë të drejtë. Regjimi i vizave anashkalohet shumë më shpejt, me anë ryshfetesh, falsifikimesh, nga trafikantë apo faktorë ilegalë, e shton korrupsionin, kurse pengon kot më kot qytetarë të ndershëm. Miku im Qenan K., respektues i ndershëm i ligjit, por që nuk ka as miq, as të afërt në Perëndim, por ka dëshirë të udhëtojë, vështirë se e gjen një vizë për jashtë. Kurse trafikantët, ata nuk e kanë vështirë t’i falsifikojnë vizat, pasaportat e kështu me radhë. Regjimi i vizave është bërë dalëngadalë i panevojshëm dhe i padobishëm. Ai bezdis qytetarët e ndershëm, ndërkohë që qëllimi nuk është ky, për t’i mbajtur ata pranë kangjellave të përfaqësive konsullore.

Gjithashtu, duhet mbajtur parasysh edhe një faktor tjetër që ne e harrojmë kollaj. Në këto parashikime liberalizimi të qarkullimit të shqiptarëve i jepet fund edhe pabarazive qytetare brenda Shqipërisë. Unë gjithmonë kam përkrahur tezën e një filozofi të madh politik evropian, me shumë libra e studime, Etien Balibar, quhet, i cili më ka thënë edhe gojarisht, përveçse e kam dëgjuar dhe lexuar me vëmendje dhe me interes, se regjimi i vizave i jep kufirit një karakter klasor, e ndan qytetarin në shtresa sipas statuseve shoqërore dhe dëmton barazinë formale para ligjit. Të privilegjuarit e kalojnë kufirin me lloje të ndryshme statusesh speciale, mbeturina të kohëve mesjetare, kurse, popullit të thjeshtë, Qenan K. së nderuar, i thonë se: Ti deri te dogana e ke hapin. Kthehu mbrapsht se nuk e ke kartën e homogjenizimit apo të homogjenizimit, si quhet se nuk po më vjen ndër mend tani.

Rol të madh këtu ka luajtur fakti që Evropa po bëhet gati të marrë një rol të rëndësishëm në Kosovë. Evropa po i kapërcen kufijtë tanë dhe po vjen në Ballkan. Si të mos na pranojë ne të lëvizim lirisht në territoret kontinentale? Aq më shumë se zgjerimi i Evropës drejt Sllovenisë, Bullgarisë, Rumanisë i dëshmoi se kur regjimi i vizave liberalizohet ose zhduket, bie edhe presioni mbi kufijtë evropianë. Njerëzit duan të tentojnë të marrin diçka që nuk iu lejohet, por ku ia u jep lirshëm, atëherë, askush nuk ka interes të marrë diçka që e ka aty si një të drejtë të sigurt. Tabuja prodhon dëshirën për ta thyer tabunë.

E këtu nuk mund të mos rendis edhe një faktor tjetër të rëndësishëm, faktin që emigrantët shqiptarë në Perëndim kanë treguar në përgjithësi një sjellje dhe një aftësi integrimi të jashtëzakonshme në planin moral, profesional dhe social.

Në mbledhjen e kësaj jave, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ngritjen e parqeve industriale në Shëngjin, Koplik, Spitallë në Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë. Sipas këtij vendimi, këto zona do t’i lihen për menaxhim sektorit privat. Cili është komenti juaj?

Sa herë që shteti përkrah sektorin privat në mënyrë që ky të marrë frymë sa më lirisht, aq herë të tilla iniciativa janë për t’u përshëndetur. Nuk duhet harruar se ish parku i ndërmarrjeve të ekonomisë socialiste ka mbetur si një gërmadhë, me shkatërrime të turpshme. Por, ajo është një pasuri kombëtare shumë e rëndësishme. Mua më shqetëson fakti, se në forma natyrore apo materiale të tjera ne kemi pa fund pasuri kombëtare, të cilat nuk i shfrytëzojmë.

Për shembull, në Tiranë kemi gjithë hapësirën e Lanës që e kemi të pashfrytëzuar. Është pronë publike hapësira materiale e qytetit. Askush nuk ka të drejtë ta mbajë jashtë funksionit publik. Po të betonohej ajo dhe të mbulohej me pllaka betoni, mbi to të shtroheshin shina tramesh e tramvajesh që do të shkonin nga kombinati i tekstileve deri në rrëzë të Dajtit, ne do të zgjidhnim problemin e transportit në kryeqytet, do të shpëtonim ajrin që po na kancerizon mushkëritë, do të shpëtonim kryeqytetin nga kultura segregacioniste e enklavave sociale dhe krahinore që e ka kapluar, do të zbukuronim peizazhin dhe do të bënim një hap të parë që kryeqyteti ynë të niste të fillonte të dukej sikur kishte vullnetin për t’i ngjarë modestisht ndonjë modeli evropian urban, që sot i mungon në mënyrë radikale.

E keni venë re ndonjëherë kur bien shirat dhe Lana del nga të dyja anët e saj. Në ato kushte duhet vizë për të kaluar nga njëra anë e Lanës tek tjetra.

Rifutja në qarkullim e kapitaleve dhe pasurive materiale nëpërmjet mekanizmave të sipërmarrjes private është një zgjidhje që i duhej dhënë prej kohe këtij problemi urgjent. Në këtë drejtim, jam partizan që shteti duhet ta përkrahë gjithnjë e më tepër, shumë më tepër sesa tani, sektorin dhe iniciativën private. Por, sikurse shprehet filozofi i politikës, Xhon Rrolls, kjo duhet të bëhet duke respektuar tre parime kryesore.

Së pari, kur nuk prodhon pabarazi juridike midis qytetarëve.

Së dyti, kur është në të mirë të gjithë shoqërisë dhe nuk krijon privilegje politike.

Së treti, kur nuk dëmtohen ata që kanë më pak të ardhura, por kur këta mund të përfitojnë prej këndej, duke pasur shanse më të mëdha lulëzimi dhe integrimi ekonomik.

Në javën që kaloi fqinji ynë lindor, Maqedonia, zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme. Në këto zgjedhje, partia që fitoi është VRMNO-DPMNE e Nikola Gruevskit, parti e cila gjatë fushatës premtoi se nuk do të lëshonte pe në çështjen e emrit të saj në bisedimet me Greqinë. Ndërkohë në kampin shqiptar zgjedhjet u shoqëruan me incidente dhe partitë shqiptare dolën me numër të barabartë deputetësh. A mund të na komentoni këto zgjedhje dhe efektet e tyre në popullsinë shqiptare dhe në rajon?

Maqedonia besoj se do ta kalojë këtë fazë të vështirë politike që vjen nga procesi zgjedhor. Ajo sot përballet me shumë sfida politike, etnike, ekonomike, të cilat ne si qytetarë shqiptarë urojmë që t’i zgjidhë sa më shpejt.

Problemi është, mendoj, se ajo duhet të përballë 3 probleme njëherësh.

Së pari, integrimin perëndimor të saj, atë evropian dhe të NATO–s.

Së dyti, stabilizimin përfundimtar të marrëdhënieve simbolike apo të tjera me fqinjët.

Së treti, zhvillimin e multikulturalizmit brenda saj.

Nuk është gjë e lehtë multikulturalizmi në shtetet multikombëtare. Në fakt nuk ka shtet të pastër kombëtar në ditët tona. Kush kërkon shtet të pastër kombëtar i hyn një rruge të rrezikshme që një ditë do ta nxjerrë në ujëra të dallgëzuara. Personalisht, gjykoj se Maqedonia, pavarësisht problemeve me të cilat përballet, është një shtet që ka të ardhme. Ka potencial për të përbërë një tokë të prosperuar dhe një hapësirë të paqtuar, të jetueshme nga të gjithë pavarësisht origjinave dhe identiteteve kombëtare. Në këtë prizëm futja e saj në rrugën e zgjerimit evropian dhe në proceset e integrimit në NATO, është rruga e sigurt që shpresoj të pranohet atje pa mëdyshje dhe hezitime.

Ndërkohë është për të shprehur keqardhjen për një sërë incidentesh në fushatën zgjedhor të fundit që ndodhën midis shqiptarëve. Atyre iu duhet ta zhvillojnë kulturën politike si një sferë marrëdhëniesh simbolike, të hedhjes së fletëve të votimit në kufi, dhe jo si tensione fizike.

Çfarë kulture politike tregojmë, kur gjuha politike kalon kufijtë e moderacionit?

Mbi të gjitha, për të folur për kërkesa të drejta në respektim të marrëdhënieve ndërkulturore e multikombëtare atje, më së pari duhet treguar se je në gjendje të zhvillosh tolerancën brenda etnisë tënde. Cilado intolerancë brenda marrëdhënieve brendaetnike, pra, në këtë rast, midis shqiptarëve, përkeqëson kushtet e marrëdhënieve ndëretnike. Ky është mësimi i madh i teorisë së sotme të komunikimit ndërkulturor. Tensionet jodemokratike brenda elitave të një etnie, përkeqësojnë kuadrin e përgjithshëm psikologjik, ligjor dhe politik, në të cilat kjo etni vendoset brenda një kuadri ndëretnik.

Emancipimi politik i shqiptarëve në Maqedoni do të duhej të sillte si proces orientimin e shqiptarëve drejt një faktori politik të vetëm, jo drejt shumë partive politike të përçara.

Mirë pyesim nëse shtetet shumëkombëtare kanë apo jo të ardhme? Por, ka ardhur koha edhe të pyesim: Po midis vetes, brenda etnive me identitet të njëjtë kombëtar, a dimë vallë të bashkëjetojmë?

Kjo është pyetja që shtrohet para klasës politike me identitet kombëtar shqiptar në Maqedoni. Detyra e dytë politike e shqiptarëve atje është që të bëhen një faktor integrimi i shtetit të tyre në strukturat euroatlantike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›