E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsumi i ujit, 19 pika problematike

16/01/2009  Monitorimi i Shëndetit Publik, në shumë zona ndotje e lartë bakteriale

Konsumi i ujit të pijshëm në kryeqytet mbetet problematik, pasi në shumë pika monitorimi analizat tregojnë një nivel të lartë ndotjeje bakteriale, që është shtuar së fundi në disa zona për shkak edhe të reshjeve të shumta të shiut. Monitorimet e përmuajshme që kryhen në pikat fundore të furnizimit nga ekspertët e Shëndetit Publik kanë treguar se pastrimi i ujit nga ndotja bakteriale nuk ka pësuar përmirësim, edhe pse sasia e klorit të hedhur nuk është ulur, duke bërë që banorët të mos e përdorin atë për konsum të përditshëm, pasi rrezikojnë marrjen e infeksioneve të ndryshme me natyre hidrike. Fëmijët dhe të moshuarit janë kategoritë që mund të ndiejnë më shumë shqetësimet që vijnë nga konsumi i këtij uji të ndotur, pasi shkaktojnë çrregullime të shumta gastrointensinale si dhe infeksione të tjera. Në vrojtimin e bërë ka rezultuar se ndotja e ujit është krijuar si pasojë e ngarkesave të shumta jonike dhe baktereve të ndryshme si pasojë e amortizimit të rrjetit të kanalizimeve të ujësjellësit.

Harta e ndotjes

Matjet e bëra prej ekspertëve të higjienës tregojnë se janë rreth 19 pika monitorimi, që shtrihen në zona të ndryshme të kryeqytetit, që paraqesin nivel të lartë të ndotjes bakteriale, e cila shoqërohet edhe me erë të rëndë. Situatë kjo që nuk ka pësuar ndryshime për muaj të tërë me radhë. Zonat më problematike dhe të ripërsërituara për sa i takon këtij fenomeni renditen të jenë “Komuna e Parisit”, bulevardi “Zogu i Parë” si dhe Rruga e Elbasanit. Megjithatë, specialistet këmbëngulin së cilësia e ujit të pijshëm është përmirësuar, dhe këtë e lidhin me nivelin e lartë të klorit në ujë. Ai vazhdon të jetë i njëjtë si në stinën e verës, pavarësisht rekomandimeve te OBSH-për ndryshim të normës së klorit në ujë nga stina në stinë.

Sasia e klorit

Ekspertët pohojnë se ndryshimi i normës së klorit në ujë bëhet vetëm në raste të veçanta, si p.sh kur ka shpërthime epidemike, të cilat kanë si shkak ujin e pijshëm. Ndërsa në kryeqytet sasia e klorit të hedhur në ujë mbetet në të njëjtat parametra si në sitën e verës, ndonëse gjatë dimrit kërkohet më pak. Kjo lë të kuptosh se mosndryshimi i normës së klorit në ujësjellësin e kryeqytetit ka ardhur si pasojë e frikës së një shpërthimi të mundshëm hidrik për shkak dhe të pikave të shumta të ndotura që vihen re në rrjetin e ujësjellësit. Kjo e fundit pak kohë më parë ka kërkuar që të ndërhyhet me uljen e sasisë së klorit, gjë që ende nuk është bërë. Klori në ujë përveçse ngordh mikrobet nuk dëmton aspak shëndetin, pavarësisht se për t’u konsumuar as që bëhet fjalë.

Harta

Matjet e bëra prej ekspertëve të higjienës tregojnë se janë rreth 19 pika monitorimi, që shtrihen në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Zonat

Tre janë zonat që paraqesin nivel të lartë ndotjeje të ripërsëritur: zona e “Komunës së Parisit”, bulevardi “Zogu i Parë” dhe Rruga e Elbasanit.

Klori

Shtimi i klorit në ujë vijon të jetë i njëjtë si në stinën e verës, pavarësisht rekomandimeve të OBSH-së për ndryshimin e normës nga stina në stinë.

Ndryshimi

Specialistët pohojnë se mbajtja e nivelit të lartë të sasisë së klorit në ujë edhe gjatë dimrit ngordh mikrobet dhe nuk dëmton aspak shëndetin.

Efektet

Kjo situatë ka bërë që banorët të mos e përdorin ujin për konsum, pasi rrezikojnë marrjen e infeksioneve të ndryshme me natyre hidrike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›