E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli, mbyllen nga frika pikat e tregtimit të gazit

16/01/2009  Specialistë të fushës dhe tatimeve inspektim në terren. Shumica pa licenca e jashtë rregullave

DURRES- Inspektorati i Enëve nën Presion me seli në Tiranë ka nisur një vëzhgim të hollësishëm lidhur me kushtet e tregtimit të gazit në pika ndryshme në Durrës. Detajet e aksionit nuk janë thënë, por në përbërje krahas specialistëve të kësaj fushe ka edhe punonjës të tatimeve e taksave si dhe efektiva të Policisë Bashkiake e komunale. Një vit më parë i njëjti inspektorat së bashku me tatimorët e degës në Durrës nisën verifikimin e pikave të karburantit lidhur me sasinë e furnizimit, shitjes, arkëtimit, kushtet teknike etj. Por në këtë rast asnjë raport përfundimtar nuk është bërë publik.

Kontrolli

Ulja e temperaturave ka shtuar kërkesën për gazin dhe përdorimi në një masë më të madhe ka shtyrë ekspertët e Inspektoratit të Enëve nën Presion të vërejnë kushtet e tregtimit dhe sigurinë e depozitave, cisternave, vendndodhjen e tyre, masat e sigurisë, pajisjet zjarrfikëse etj. Numri i madh i aksidenteve, të cilat kanë pasur si burim enët e gazit apo vet gazin ka shtyrë kompetentët të inspektojnë këto pika. Në Durrës janë 4 subjekte VIP, të cilat importojnë karburant dhe gaz në vende të ndryshme. Janë këto firma dhe subjekte, të cilat shpërndajnë në pikat e pakicës gazin për tregun e ditës. Rritja e numrit të konsumatorëve të gazit ka shtuar edhe risqet e rrezikut nga keqpërdorimi i lëngut të rrezikshëm, i cili në mjaft raste tregtohet pa përmbushur asnjë kusht teknik. Nga studimet e bëra publike është thënë se vendi ynë po shton çdo vit dhe më shumë konsumin e gazit, konsum i cili në vitin 2020 pritet të shkojë në 2 milionë tonë hidrokarbure mes tyre edhe sasi të mëdha gazi. Mungesa e licencave për të shitur gaz ka bërë që një pjesë e pikave të tregtimit të ulin grilat dhe të mbyllin aktivitetin deri sa të largohet ekipi nga terreni. Kjo çështja e mbushjes dhe e shitjes së gazit në enë të certifikuara ka sjellë jo pak telashe dhe incidente një pjesë e të cilave kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe objekteve qofshin këto shtëpi banimi apo lokale. Një vit më parë treni numër 1055 që ishte nisur nga Mali i Zi dhe kishte hyrë në vendin tonë nga Hani i Hotit ka dalë nga shinat në Vorë. Treni ka qenë me 11 vagonë cisternë dhe ka provokuar incident të rëndë.

Në rrezik!

Ajo që ende nuk është futur në rrugën e zgjidhjes janë shitja e gazit në rrugë, poshtë pallateve, në afërsi të banesave familjare, buzë reparteve dhe kantiereve që vënë në rrezik sigurinë e jetës etj. Ndërsa një pjesë e subjekteve i tregtojnë pa leje në të njëjtin vend ku mbajnë edhe artikujt e mallrave të ndryshëm nga ushqimore tek industrial, në disa lokale të tjera cisterna me gaz qëndrojnë në hyrje të pallatit për t’u mbushur më pas pa respektuar as minimumin e kushteve teknike. Pjesa dërmuese e bombolave janë prodhuar para 30 vitesh dhe nuk i janë nënshtruar kontrollit teknik, ndërsa në raste të panumërta ato rezultojnë të rrjedhin, të çara, pa gomina e valvul etj. Të licencuar në Durrës janë 60 subjekte që kanë vendosur në mjediset e tregtimit një pjesë të pajisjeve për ndërhyrjen emergjente, kurse subjektet pa licencë nuk garantojnë as jetën e vet shitësve. Depozitat dhe cisternat me gaz të firmave VIP janë vendosur në zona larg qytetit, por krejt ndryshe qëndron realiteti me dyqanet e tregtimit me pakicë të gazit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›