Mavraj: Gjermania, zgjedhja e parë, Shqipëria të presë
Mërgim Mavraj ndihet keq në situatën që po kalon. Ai thotë se nuk mund t'ia mbyllë gojën askujt, kur e quajnë "tradhtar" për arsye se refuzoi të luajë me Shqipërinë. Në një intervistë për "Koha Ditore" ai ka shpjeguar të gjitha rrethanat që e shtynë atë të heqë dorë nga Përfaqësuesja e Shqipërisë. "Unë nuk e kam refuzuar Shqipërinë, por kam kërkuar edhe pak kohë të shoh se si do të rrjedhin gjërat. Pas bisedave që pata me Kuzhenë vendosa të luaj për kuqezinjtë. Por, pasi ftesa zyrtare nga FSHF-ja arriti në klub, më telefonoi drejtori sportiv i Federatës Gjermane të Futbollit, Matias Samer. Ai më tha se mund të ftohem në Përfaqësuesen A të Gjermanisë pas kampionatit botëror. Pas kësaj bisede unë thirra Kuzhen dhe ia thashë të gjitha. I thashë se nëse nuk prish punë, të më presë deri pas Botërorit për të parë se si do të ecin gjërat, aq më shumë që bëhej fjalë për një takim miqësor", ka pohuar Mavraj. Ndërkohë i pyetur për faktin se FSHF ka konfirmuar se dyert e Kombëtares janë të mbyllura për të pas këtij refuzimi ai pohoi: "Nëse kanë vendosur t'i mbyllin, le t'i mbyllin. Dëshira ime është që dyert të mbeten të hapura. Unë mendoj se kam qenë korrekt. E keqja e vetme është që njëherë kam thënë se do luaj e më pas kam kërkuar kohë", ka thënë mbrojtësi kosovar.