Topalli: Projektligjet e PS-së janë antikushtetuese, por do t’i trajtojmë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i cilësoi dy nismat e PS-së si antikushtetuese. Duke folur jashtë rendit të ditës, me qëllim për të sqaruar çështjen e procedurave, kryeparlamentarja theksoi se nuk është parë në këto 20 vite parlamentarizmi që vjen një kërkesë e tillë. “Zotërinj, nuk është nevoja që të jesh as deputet dhe as jurist, keni dëgjuar ju ndonjëherë se mund të bëhet kërkesë në Parlament për të ngritur një trupë të bazuar mbi një draft? Ndodh ndonjëherë? Dhe pastaj të thotë, jo zonjë, ec paralel, ke edhe një draft tjetër, ta ndryshosh ligjin ashtu siç më duhet mua. Si Kryetare e Kuvendit, unë kisha mundësi, bazuar te Rregullorja dhe duke i parë draftet që të dyja janë antikushtetuese, t’i refuzoja, t’i thosha merre mbrapsht, zotëri, kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor”, tha Topalli. Numri një i Kuvendit theksoi se “përpara kësaj unë kam për detyrë t’u them shqiptarëve, në mënyrë të veçantë socialistëve; ju kanë gënjyer të gjithëve, gjashtë muaj rresht, duke thënë se Sali Berisha dhe Parlamenti nuk pranojnë te ngrenë komision hetimor për të hetuar zgjedhjet, sepse vetëm një javë më parë, më 26 shkurt, na tha të gjithëve se nuk kishte ligj për të hetuar zgjedhjet, siç dëshiron zotëria e tij. Nuk kishte fare ligj dhe ai dorëzoi ligjin e tij ku tregohej se si duheshin bërë ndryshime, për të bërë të mundur që të hetohen zgjedhjet sipas mënyrës që ai mendon”. Sipas saj, kjo është një lëvizje në fushën e absurdit. “Shqiptarët duhet ta dinë se, natyrisht, nuk është detyra e tyre të njohin shkronjë për shkronjë e presje për presje Kushtetutën, as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse edhe ne që i lexojmë, nuk jemi të gjithë njohës të doktrinës konstitucionaliste, për ta kuptuar në çdo shkronjë se çfarë thotë vendimi 18 dhe ai 20. Natyrisht, është një grup i vogël që njeh parlamentarizmin prej shumë vjetësh apo juristë shumë të mirë që e kuptojnë dhe e zbërthejnë se çfarë thotë ai vendim. Por ajo që është më e çuditshme në gjithë këtë absurd, thjesht për axhendën personale të një personi, është fakti se gjatë gjithë kësaj periudhe, ndërkohë që Sali Berisha i bënte koncesione njërin pas tjetrit, ai e bënte më ekstrem qëndrimin e tij”, shtoi Topalli. Ajo deklaroi se pranimi i kërkesës së PS-së është një koncesion ndaj opozitës. “U bë koncesioni tjetër, është futur në axhendë për të votuar kërkesat për komisionin hetimor bazuar në draft jo në ligj! Si Kryetare e Kuvendit duhet ta kisha kthyer mbrapsht dhe duhet t’i kisha thënë: zoti Ruçi, merreni mbrapsht. Po të kalojë ligji, atëherë mund të sillni kërkesën për të ngritur komisionin hetimor. Por nuk fola. Nuk fola as kur solli projektligjin për ndryshimet që dëshironte të bënte, megjithëse janë kokë e këmbë antikushtetuese. Në këtë projektligj kërkojnë që hetimi i procesit zgjedhor të zgjasë 12 muaj. Por 12 muaj janë baras me destabilitet”, deklaroi Topalli. Sipas saj, “në këtë draft kërkohet që maxhoranca të kthehet në minorancë me ligj, për të hetuar zgjedhjet politike apo lokale. Vetëm në diktaturë mund të kërkohen gjëra të tilla dhe në draft kërkojnë që komisioni të jetë i pakushtëzuar dhe nuk lexojnë vendimet numër 18 dhe 20 të Gjykatës Kushtetuese që janë obligative, ku thuhet që “Komisionet hetimore nuk kanë kompetenca të pakufizuara”. Kryetarja i bëri këto sqarime pasi sipas saj Ruçi keqinterpretoi takimin e bërë gjatë mesdrekës së djeshme “kokë më kokë”. Ndërsa Ruçi duke deklaruar se po anatemohet, nisma e PS-së ka bërë publike qëndrimin e tij në mbledhjen e konferencës së kryetarëve të zhvilluar tre ditë më parë. “Do të kërkoja të paktën që të mos i shtrembërojmë ato që kemi diskutuar dhe të paraqesë secili mendimet e veta. Ajo që kam deklaruar ka qenë kjo dy nismat tona, asnjë një janë dy, nuk është se ka boshllëk ligjor. Po pse bëhet meqë ka interpretime të ndryshme nga palët të vendoset një standard për të gjitha llojet e zgjedhjeve dhe për të gjitha kohërat. Ajo që thotë politikisht t’i jepet shumica opozitës në komision t’i jepet me ligj. Nisma, amendimi i ligjit është kompromentuar me kërkesën për komisionin hetimor. Ajo që kam kërkuar është që sot një javë të diskutohen mendimet dhe pas një jave që i bie data 18 të ngrihesh komisioni. Dhe isha brenda rregullores dhe jo siç thuhet këtu që nuk lë hapësira Rregullorja. Jo më pak se një javë e përcakton dyshemenë, ju s’kishit predispozicionin në këtë konferencë”, deklaroi Ruçi. Por Topalli ka replikuar duke shtuar se “ajo çfarë nuk përmend Ruçi është fjala Kushtetutë, por përmend fjalën procedurë”.