Kuvendi,125 vota për nismat e PS,Ruçi-Berisha debat për kartat
Bledar Hoti
Kuvendi vendos shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të dy nismave të PS-së, për ngritjen e komisionit hetimor dhe të ndryshimit të ligjit të hetimit parlamentar. Në seancën parlamentare, 125 deputetë kanë votuar pro propozimit të bërë nga ana e kryeparlamentares Topalli me procedurë të përshpejtuar të nismës së PS-së, ku data 18 mars do të jetë edhe afati i votimit në seancën parlamentare. Tre deputetët demokratë, Edi Paloka, Paulin Stërkaj dhe Rajmond Hoxha abstenuan në votën e tyre ndërsa 6 të tjerë nuk votuan. Në vendimin e marrë është parashikuar që në datën 11 mars të paraqiten te komisioni parlamentar i Ligjeve, si përgjegjës, amendamentet për nismën e PS-së. Ky sanksionim do t’i japë mundësi demokratëve që të paraqesin amendimet e tyre në lidhje me këtë nismë. Mos eksperienca e socialistëve në procesin e votimit bëri që kryeparlamentarja të përsërisë për të dytën herë këtë procedurë. Në votimin e parë rezultoi 110 vota pro dhe dy abstenime. Dhjetë socialistë nuk dinin se si të votonin, ku vetë deputetja Hysi kishte abstenuar me votën e saj. Nisur nga kjo, Topalli kërkoi përsëritje të votimit, duke i dhënë mundësi socialistëve të shprehin mundësinë e votës së tyre. Shqyrtimi i projektvendimit “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” i kushtoi deputetëve një debat prej rreth dy orësh. Pjesa më e madhe e projektligjeve u shqyrtua pa praninë e opozitës në seanca, duke u votuar me 73 vota pro. Ndërsa socialistët u shfaqën në momentin kur po diskutohej pika e fundit e rendit të ditës. Kryetarja e Kuvendit ka tentuar të përfshijë në votim draftin “Për krijimin e Gjykatës Administrative” përpara nismës së PS-së, por socialistët kontestuan me forcë një gjë të tillë. Votimi i tij kërkon një shumicë të cilësuar votash. Kreu i grupit të PS-së, Ruçi u shpreh se “ne jemi këtu për të votuar kërkesën e opozitës”. Pas kësaj deklarate, Ruçi u bëri me shenjë me anë të dorës socialistëve që dilnin nga salla. Në momentin kur po dilnin nga salla, Topalli i kërkoi Ruçit që të ktheheshin dhe të uleshin në karrige pasi do votohej nisma e opozitës. Por më pas debati ndërmjet maxhorancës dhe opozitës është fokusuar në lidhje me procedurat që do të ndiqeshin. Ruçi kërkoi që të mos saktësohej data 16 mars, por të përcaktohej një datë më e afërt për të realizuar shqyrtimin e nismës së PS-së. Kryekomisioneri i Ligjeve, Ilir Rusmali deklaroi se nuk mund të luajmë me Rregulloren e Kuvendit, pasi nga e hëna e ardhshme deri më 16 mars, komisioni përgjegjës ka të drejtën të shqyrtojë propozimet e socialistëve. Kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi fillimisht propozoi të hiqej data 16, por Rusmali duke iu kundërvënë qëndrimit të Ruçit, shtoi se “kërkesa e PS-së përveç se është e padrejtë për heqjen e datës, është edhe manipulative”. Pas shumë përplasjesh mes palëve është rënë dakord që palët të përcaktohet në projektvendim që nga 8 mars dhe deri më 16 mars të shqyrtojë nismën në komisionin e Ligjeve. Seanca e mbrëmshme nuk i ka shpëtuar replikave në distancë ndërmjet deputetëve, të cilat janë shkëmbyer gjatë momentin kur flisnin kryeministri Berisha dhe kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi.
votat
125 deputetë votuan pro
3 deputetët Stërkaj, Hoxha dhe Paloka kanë abstenuar në votën e tyre
Asnjë votë kundër
6 vetë
nuk morën pjesë në votim
Ruçi: Kartat, prova e manipulimit
ADI SHKEMBI
Hapja e kutive të votimit përplas për të dytën herë brenda një jave kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe kryeministrin Sali Berisha. Njësoj si një javë më parë, zyrtari i lartë socialist dhe kreu i maxhorancës kanë replikuar me njëri -tjetrin në seancën e Parlamentit.
Ruçi
Në nisje të diskutimit për miratimin e projektligjit të PS-së, për ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore dhe ngritjen e një komisioni për zgjedhjet e 28 qershorit, kreu i deputetëve socialist akuzoi maxhorancës se po shpërdoron mundësinë që i ofroi pakica. Sipas Ruçit, nismat për miratimin e ligjit dhe ngritjen e komisionit nuk duhen miratuar më 18 mars, por më shpejt, pasi kjo nuk është një situatë normale, por emergjencë dhe vendi është në krizë. “Ky është lajmi më i keq, që kjo maxhorancë po i jep opinionit publik shqiptar, duke humbur kështu një shans që opozita e këtij vendi i jep kësaj maxhorance. Mos e humbni këtë shans, me qëllim që opinioni publik shqiptar kërkon të zgjidhet me rrugë dhe mjete politike dhe as në rrugë dhe as nga vetë populli, sepse atëherë do të jetë shumë vonë dhe jashtëzakonisht keq për vendin”, u shpreh Ruçi. Në të njëjtën kohë, kreu i grupit të PS-së iu rikthye edhe njëherë manipulimit të procesit zgjedhor, jo vetëm në qendrën e Ruzhdies, por edhe më gjerë. Ai nxori para deputetëve disa karta identiteti, ku qytetarët rezultonin me dy, tre ose katër dokumente identifikimi. “Nuk dua të zgjatem, dua të them se rasti i Ruzhdies nuk është rast i izoluar. Më lejoni që edhe në këtë seancë t’ju paraqes juve dhe shqiptarëve një provë tjetër për mekanizmin e manipulimit. Këtu në xhep kam disa karta identiteti, të cilat janë marrë si model i këtyre zgjedhjeve, që është arritje për herë të parë dhe që janë me standarde jashtëzakonisht të larta. Shikoni këtu keni dy karta identiteti false, nga Tropoja, të përdoruar në zgjedhje me kartat tuaja të identitetit”, theksoi më tej kreu i deputetëve socialistë.
Berisha
Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha i kërkoi kryetarit të grupit socialist që të gjitha provat dhe faktet t’i paraqesë në prokurori, teksa shtoi se kartat e identitetit të paraqitura në seancë mund të jenë të falsifikuara ose patenta. “Unë pashë këtu zotin Ruçi, i cili nxori disa karta. A ishin patenta, apo nga ato kartat e sigurisë që merren në konferenca kur shkon, apo ishin falsifikime të kartave të identitetit, ajo çka e ftoj unë zotin Ruçi të mos bëjë...ju zoti Ruçi kryesoni grupin parlamentar dhe të gjitha këto i paraqisni në Prokurori”, iu përgjigj kryeministri Berisha. Duke iu referuar nismës për ndryshimin në ligjin për komisionet hetimore, që mundëson pikërisht hapjen e kutive, ai akuzoi PS-në se ka mashtruar prej 6 muajsh qytetarët teksa deklaronte se hetimi i plotë e i pakushtëzuar i zgjedhjeve ishte një e drejtë ligjore. Në të njëjtën kohë Berisha ironizoi deklaratat e kreut të opozitës për përgatitjen e protestave pas 18 marsit. “E fundit në botë që mund të ecë ndaj kësaj shumice është gjuha e forcës. Një protestuesi natyral të lindur si Sali Berisha, mos mendoni kurrë ju se mund ta impresiononi me protesta, bile më ftoni po të doni. Hajde t’ua tregoj unë ju si bëhet protesta. Po sigurisht, pse çfarë kujtoni ju? Unë e kam faktuar këtë dhe ju s’keni pse...hajde urdhëroni të ulemi dy javë”, deklaroi Berisha. Sipas kreut të maxhorancës, në zgjedhjet e 28 qershorit kishte një skenar të opozitës për të braktisur të gjitha qendrat ku PD-ja mund të fitonte njësoj si në Ruzhdie. “Mos u ktheni në Partinë e Ruzhdies, jeni në Partinë Socialiste”, tha Berisha në fund të fjalës së tij pas replikave me Ruçin.
batutat ne parlament
Berisha: Nuk e di se ku i keni gjetur ato karta, dikush më thotë, më çon mesazh se i keni marrë kartat nga Regency Casino
Erjon Braçe: Mos harro se ti ia dhe licencën kazinosë
Gramoz Ruçi: Janë këto tre karta identitetit të falsifikuara në Kukës, Dibër dhe Tropojë...
Gent Strazimiri: Po ku i gjete ti, pse abuzon....
Gramoz Ruçi: Atëherë po ta përsëris se ke qenë zëvendësministër i Brendshëm. Në këto karta rezulton se këto persona kanë votuar nga dy apo tre herë...
Flamur Noka: Bëji publike emrat pse nuk i bën, pse spekulon.
Pirro Lutaj: Mbyllë gojën ti dhe lërë të flasë
Flamur Noka: Mos m'u drejtua mua ashtu
Gramoz Ruçi: E pra kjo është e vërteta e kartave....
Jozefina Topalli: Shkoi çoi në Prokurori zoti Ruçi
Socialistët nga salla: Lërë të flasë, pusho
Paulin Stërkaj i drejtohet Ruçit: Po kush je ti, ku i gjete ato karta, çfarë po bën pregjistatorin duke nxjerrë karta njëherësh?
Socialistët nga salla: Pusho, mbylle gojën lëre
të flasë.