Kontakti i dy linjave elektrike shkrumbos pajisjet e 6 banesave në Durrës
DURRËS - Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë bërë që të bjerë një linjë e tensionit të lartë në një linjë tjetër dhe për pasojë janë shkrumbuar pajisjet dhe sistemi i elektrik i disa shtëpive. Ngjarja ka ndodhur në fshatin “vllazërim” të komunës së Xhafëzotajt, në rrethin e Durrësit. Burime për gazetën “Albania” bëjnë të ditur se janë dëmtuar të paktën 6 banesa nga shkarkesa elektrike. Zjarri i shkaktuar ka rrezikuar seriozisht jetën e banorëve. Zef Frroku, një banor i zonës, thotë se i kanë dalë jashtë përdorimit të gjitha mjetet elektroshtëpiake. Po ashtu, atij i janë dëmtuar edhe instalimet në pikën e tregtimit që ka në katin e parë të ndërtesës. Një ekip I OSSH-së ka mbërritur dje paradite në fshatin Vllazërim dhe ka verifikuar dëmet e shkaktuara. Deri në orët e vona të mbrëmjes banorët nuk kanë pasur furnizim me energji.
Ngjarja
Mëngjesi i djeshëm ka qenë i vështirë për disa familje në fshatin “Vllazërim”. Kontakti mes linjës së tensionit të lartë dhe asaj që furnizon konsumatorët familjar ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme brenda banesave të 6 familjeve. Ka qenë ora 7.30 e ditës së djeshme, kur instalimet elektrike dhe pajisjet elektroshtëpiake janë përfshirë nga flakët. Zjarri ka rrezikuar edhe jetën e banorëve, të cilët janë të ardhur, kryesisht nga zonat e veriut dhe jugut të Shqipërisë. “Kemi dëme të konsiderueshme materiale”, - thotë N. Gj.. Sipas tij, KESH-i ka lejuar dikur që të ndërtohen dy linjat e furnizimit me energji njëra mbi tjetrën dhe një erë e fortë si kjo e ditës së martë mund ti bashkojë telat e korrentit. Një gërshetim i tillë ka qenë me pasoja të rënda për familjarët.
Dëmi
Banorët e 6 familjeve në fshatin “Vllazërim” kërkojnë që të kompensohen për dëmet e shkaktuara. Ata pohojnë se djegia e pajisjeve elektroshtëpiake dhe instalimeve elektrime iu ka sjellë miliona lekë dëme. Gjatë takimit që kanë bërë me punonjësit e OSSH-së së zonës së Shijakut, janë firmosur procesverbalet dhe kanë nisur aplikimet për procedurat e mëtejshme. Burimet njoftojnë se punonjësit e OSSH-së kanë punuar për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e energjisë në fshatin “Vllazërim”.
Deri në periudhën e paraprivatizimit, kur ndërmarrja ishte ende shtetërore, raste të tilla kanë ndodhur shpesh dhe KESH-i nuk iu përgjigjej qytetarëve për dëmet e shkaktuara, megjithëse me ta ka një kontratë. Raste të tilla masive kanë ndodhur edhe në rrethet e Elbasanit, Matit, apo Tiranës, ku defekte apo kontakte të gabuara, janë faturuar me dëme miliona lekë në kurriz të qytetarëve.
Makina përplas 5 vjeçarin dhe e lë në mes të rrugës
Një 5-vjeçar përplaset një makinë, drejtuesi i së cilës është larguar me shpejtësi pa i dhënë të miturit ndihmën e parë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Thoma Koxhaj” kur një veturë me targa të Tiranës, me ngjyrë gri, me drejtues të pa identifikuar, ka aksidentuar 5-vjeçarin Dritan Mullai. Vogëlushi është gjetur në gjendje të rëndë në rrugë nga kalimtarë të rastit të cilët e transportuan menjëherë në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë që hetuesit e aksidenteve të sinjalizuar për ngjarjen nisën menjëherë hetimet për të identifikuar autorin. Burime nga policia thanë se verifikimet e bëra nga shërbimet e Policisë Rrugore, tek blloku i pallateve “Çabej, është gjetur dhe sekuestruar si i dyshuar mjeti tip “Opel Corsa”, me targë TR 8824 N, me ngjyrë gri, në pronësi të shtetasit Taulant Saliaj, i cili u shoqërua si i dyshuar. Sipas policisë materialet i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë për veprat penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largimit nga vendi i aksidentit”.
Xhaxhai shet tokën e nipit me prokurë false
Xhaxhai shet gjashtë hektarë tokë, pronë e fëmijëve të vëllait të tij, me dokumente false duke i marrë paratë për vete. Të paktën kështu pretendojnë motër e vëlla, Hektor dhe Suzana Topulli të cilët deklaruan në polici se xhaxhai i tyre Bajram Topulli u ka shitur tokën. Hektor dhe Suzana Topulli jetojnë prej vitesh në Kanada dhe vetëm pak ditë më parë janë kthyer në Tiranë ku ka konstatuar shitjen e tokës së tyre me një sipërfaqe prej gjashtë hektarësh. Burime nga policia thanë se Bajram Topulli me ndihmën e noteres Majlinda Lleshi ka falsifikuar prokurën në të cilën motër e vëlla kanë nënshkruar pranimin e shitjes së tokës, gjë e cila është mohuar prej tyre sapo janë kthyer nga Kanadaja. Sipas policisë ata pretendojnë se xhaxhai i tyre ka vepruar me dokumente false në bashkëpunim me noteren për të realizuar shitjen e gjashtë hektarëve tokë në pronësi të Hektor dhe Suzana Topullit. Noterja, Mailinda Lleshi, do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës dhe “falsifikim i dokumenteve”. Ndaj Bajram Topullit policia ka ngritur akuzën e “falsifikimit të dokumenteve’.
Autobusi përplaset me një furgon, pasagjerët në panik
Transferimi i lëvizjeve pas mbylljes së tunelit të Kalimashit në drejtim të segmentit të vjetër Kukës-Qafë-Mali-Fushë-Arrëz ka shënuar dhe aksidentin e parë pas kaq kohësh. Një autobuz me targa të Kosovës është përplasur me një automjet tip furgon të transportit të mallrave në afërsi të Ujit të Ftohtë në segmentin e Qafës së Malit. Përplasja e mjeteve ka shkaktuar panik tek pasagjerët e autobuzit edhe për shkak të terrenit të thepisur ku ka ndodhur përplasja e mjeteve. Fatmirësisht nuk ka pasur të plagosur, ndërsa policia thotë se shkak i përplasjes ka qenë ngushtësia me të cilën është futur në kthesë autobusi i Kosovës.
Rrjeti i narko-trafikut, në pranga dy shqiptarë
Policia e Milanos njoftoi dje shkatërrimin e një trafiku të heroinës, importuar nga Shqipëria dhe e destinuar për veriun e Italisë. Hetimet, e kryera nga komisariati ''Garibaldi-Venecia'', në koordinim me Prokurorinë e Republikës, sollën arrestimin e tetë personave. Ndërkohë janë sekuestruar katër sasi heroine, rreth 30 kilogram dhe 51.000 Euro. Dy shtetas shqiptarë, 32 dhe 27 vjeç, akuzohen si narkotrafikantët kryesorë. Policia shton se ndër metodat e përdorura, është imbarkimi në anije i automjeteve ku fshihej heroina dhe kalimi i tyre nga Shqipëria në Greqi, e pastaj në portin e Barit.
Dy shqiptarë dënohen me 15 vjet burg
Gjykata italiane e Leçes dënoi me 15 vjet burg për dy shtetas shqiptarë, të cilët akuzoheshin për trafik lëndësh narkotike. Kreshnik Hysaj dhe Gramoz Zyko u arrestuan nga karabinierët 6 muaj më parë, ndërsa transportonin në automjetet e tyre 52 kg marijuanë. Për dy të akuzuarit u kërkuan fillimisht 20 vite burg, por dënimi iu ul për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Gjendet i varur, një 51-vjeçar në Marikaj
Një burrë u gjet i vdekur në banesën e tij në fshatin Marikaj të Tiranës dhe pas hetimeve të para të kryera dhe ekspertizës së mjekëve, u konkludua se ishte një vetëvrasje. Burime nga spitali Ushtarak i Tiranës, thanë se viktima është Bahri Bala, lindur në Durrës dhe banues në Marikaj të Vorës. Viktima, 51 vjeçar, ka varur veten në verandën e banesës së tij dhe sipas burimeve nga Komisariati i Policisë Nr.6 i cili kreu hetimet përmes grupit që dërgoi në vendngjarje, akti vetëflijues ka ndodhur në orën 02.30 të mëngjesit. I ndjeri, ka varur veten me një kavo çeliku të cilën e ka lidhur si lak në fyt, në përpjekje për t’i dhënë fund jetës. Familjarët e të ndjerit janë marrë në pyetje dhe thanë se 51-vjeçari kishte disa vite që vuante nga sëmundje depresioni duke besuar se ky ishte dhe shkaku që ai ishte vetëvarur në verandën e banesës së tij.
15 Tetor 2009