E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hoxha mohon në gjykatë akuzat për nxitje terrorizmi



Laureta Rryçi

Artan Kristo, hoxha i arrestuar dy ditë më parë nga policia mohoi dje akuzat para gjykatës. Në masa të rrepta sigurie ai është shoqëruar në orët e para të mëngjesit në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Gjyqtari i gatshëm, Gerd Hoxha mësohet se i ka komunikuar masën e sigurisë të marrë në mungesë të tij me kërkesë të Prokurorisë. Komunikimi i masës së sigurimit u zhvilluar dje me dyer të mbyllura dhe zgjati për rreth dy orë. Pasi ka dëgjuar të dyja palët, gjyqtari ka vendosur të rikthejë në qeli Kriston dhe t’i kalojë dosjen për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Durrësit. Avokati Ilir Malindi mësohet se i ka kërkuar gjykatës të vendosë një masë më të butë ndaj klientit të tij për shkak se akuza nuk qëndronte si dhe klienti i tij nuk përbënte rrezik për shoqërinë.
Dëshmia
“Unë jam fetar dhe në faqen zyrtare që kam në internet unë bëj thirrje fetare dhe nuk nxis njerëzit të kryejnë akte terroriste”, kështu ka reaguar dje Kristo para gjyqtarit të gatshëm duke i kërkuar ta linte të lirë. Më tej ai ka shpjeguar se nuk ka kryer asnjë vepër penale për të cilën duhet të japë llogari para drejtësisë shqiptare. Ndërkohë nuk ka qenë i njëjtit mendim, prokurori i cili mësohet se ka treguar se i arrestuari kishte qenë prej disa muajsh në vëzhgim. Më pas avokati Ilir Malindi ka dhënë argumente ligjore për t’i kthyer lirinë klientit të tij. Pasi ka dëgjuar të gjitha palët, gjyqtari Gerdi Hoxha ka vendosur të linte në fuqi masën e sigurisë të dhënë në mungesë rreth tri ditë më parë. Më pas gjyqtari ka shpjeguar në vendimin e tij duke qenë se pretendohet se vepra penale është konsumuar në qytetin e Durrësit, atëherë edhe hetimet e mëtejshme duhet të kryhen nga prokuroria e këtij qytetit. Për rrjedhojë dosja i është kaluar si kompetencë për hetim prokurorisë së Durrësit.
Arrestimi
Policia arrestoi tri ditë më parë për kryerje të veprave me qëllime terroriste Artan Kristo. Ky i fundit ishte përfaqësues i disa grupimeve të pamvarura të praktikimit të islamit në Durrës. Në një njoftim zyrtar, policia shpjegonte se pas një hetimi dy mujor, që nga fundi i muajit gusht e deri në ditë e arrestimit, Prokuroria e Tiranës kishte mbajtur në vëzhgim Kriston. Pas grumbullimit të provave, prokuroria i ishte drejtuar me kërkesë
Gjykatës së Tiranës për t’i caktuar masën e arrestit me burg. Për Artan Kriston kjo ishte arrestimi i dytë i bërë për llogari të drejtësisë shqiptare, pak vite më parë ai është arrestuar nga policia edhe për vrasjen e Sali Tivarit, ish-sekretar i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzën e “Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllim terroriste”, parashikuar nga neni 232/a i Kodit Penal. Për hetimin sa më të plotë të çështjes, mësohet se janë shfrytëzuar një numër i madh mjetesh për kërkimin e provës, përfshi dhe ato karakterit teknik. Deri në këtë fazë të hetimit, në një analizë të të gjithë të dhënave të grumbulluara, është rënë dakord se ka të dhëna të mjaftueshme që shtetasi Artan Kristo ka kryer veprën penale të mësipërme. Sipas prokurorisë, Artan Kristo, i ka bërë këto thirrje nxitëse në një faqe interneti adresa e së cilës është: albselefet.net. Veprimet e prokurorëve të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë arritën të identifikojnë se këto thirrje nxitëse vinin nga ky person megjithëse ai gjatë këtyre botimeve në faqe ka përdorur një emër tjetër.

Boc

Reagimet pas arrestimit
Sapo Kristos i janë vënë prangat, në faqen elektronike të cituar nga prokuroria ku Kristo ka bërë thirrjet për terror miqtë e Kristos kanë reaguar duke bërë thirrje që ta linin rehat “hoxhën” e tyre.

Boc

Kristo i dyshuar për vrasjen e Sali Tivarit

Menjëherë pas vrasjes së Salih Tivarit, agjentët kishin vendosur me rreth të kuq emrin e Artan Kristos si të dyshuar. Kjo pasi policia ka siguruar dy dëshmi që flisnin për konflikte të mëparshme të Tivarit dhe Kristos, pasi ky i fundit njihej si njëri prej përfaqësuesve të rrymës së konservatorëve në fenë muslimane, e përqafuar nga të rinjtë që kanë studiuar në vendet arabe. Të nesërmen e vrasjes, në 14 janar 2003, drejtori i policisë së Tiranës në atë kohë Ilirian Zylyftari, kishte kërkuar shoqërimin e Kristos, por ky i fundit kishte lënë Shqipërinë dhe ishte larguar drejt Sirisë. Mësohet se Kristo ka qëndruar deri në pranverën e vitit 2005 në Siri, moment në të cilin është hedhur në Egjipt së bashku me dy gratë e tij. Artan Kristo kishte ndryshuar emrin e tij që nga koha që ishte larguar nga Shqipëria dhe në vendet ku ka jetuar quhej Abu Abdullah. Kristo është arrestuar edhe disa vite më parë fill pas kthimit nga Egjipti si i dyshuar për ekzekutimin e ish-sekretarit të përgjithshëm të Komunitetit Musliman, Salih Tivari. Hetuesit kanë shfrytëzuar një urdhër arresti të lëshuar më parë ndaj durrsakut Artan Kristo, për një vrasje me thikë të kryer në fund të vitit 2002, për ta prangosur atë dhe për ta dërguar në ambientet e drejtorisë së policisë Tiranë.

Aksioni i Policisë Rrugore, vetëm dje 1470 gjoba
Aksioni i policisë rrugore që vazhdon me intensitet prej më se një muaji duket se nuk ka ndërgjegjësuar ende drejtuesit e mjeteve, ku vetëm ditën e djeshme janë gjobitur 1470 shoferë për shkelje të qarkullimit rrugor. Megjithëse çdo rrugë e Tiranës është blinduar nga policisë rrugore dhe Patrulla e Përgjithshme, drejtuesit e mjeteve nuk zbatojnë rregullat elementare të Kodit Rrugor. Policia e Tiranës bëri të ditur se gjatë aksionit të ditës së djeshme janë ndëshkuar me gjobë 146o shoferë si dhe janë pezulluar 11 leje drejtimi. “Kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Në sajë të rritjes së prezencës së Policisë në rrugë kontrolleve të shuma të ushtruara, do të vazhdojnë në vijimësi, për zbatimin e detyrave që lidhen me Programin e Punës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit “Për rritjen e sigurisë rrugore për vitin 2009” si dhe Programin e Punës e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, me objekt forcimin e masave ndaj kundravajtësve me synim uljen e ngjarjeve aksidentale dhe pasojave te tyre” thuhej në deklaratën e policisë së Tiranës për ditën e djeshme.

15 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›