E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja, pro procesit të liberalizimit të vizave me Kosovën



Kosova mund të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në. Komisioni Europian ka propozuar hapjen e rrugës për fillimin e procesit të liberalizimit për qytetarët e Kosovës. Eurokomisionari për zgjerim, Oli Rehn, tha se Kosovës do t’i ofrohet dhe një marrëveshje tregtare. Propozimet “ofrojnë një fazë të re të raporteve mes Bashkimit Europian dhe Kosovës”,- tha Rehn. Ai shtoi se “këto masa do t’i tregojnë Kosovës se afrimi me BE-në nuk është diçka abstrakte, por, para së gjithash, është real, i prekshëm e me përfitime për të gjithë”. Rehn kërkoi nga qeveritë e vendeve anëtare të mbështesin propozimin. Pesë vende anëtare të Bashkimit Europian ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Bashkimi Europian ka shprehur shqetësimin që Kosova të mos mbetet pas vendeve të tjera të rajonit në reformat e nevojshme për t’iu bashkangjitur Unionit.
Marrëveshja tregtare
Komisioni Europian po sheh mundësinë e përfshirjes së Kosovës edhe në një numër projektesh europiane, me fokus punësimin, ekonominë, arsimin dhe forcimin i dialogut politik. Me këtë rast Komisioni propozon ngritjen e raporteve mes Kosovës dhe BE-së në një nivel më të largët, por nuk ka propozuar rrugë të njëjtë si për vendet e tjera. Komisioni ka propozuar që të hapet dialogu i procesit të stabilizim-asociimit dhe që për Kosovën të ketë një të ashtuquajtur marrëveshje tregtare. Por, rreth marrëveshjes tregtare, Komisioni thotë se Kosova nuk i përmbush ende kushtet për të negociuar një marrëveshje të tillë. Në pyetjen e gazetarëve se a është mundur të propozohet diçka më konkrete për Kosovën, ngjashëm me ato të vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit, komisionari i zgjerimit, Oli Rehn, ka thënë: “Ne po përballemi me një situatë ku 22 shtete e kanë njohur Kosovën, ndërsa pesë nuk e kanë bërë këtë dhe kjo do të thotë se Komisioni Europian është i detyruar të punojë në parimin e qëndrimit neutral rreth statusit”. Komisionari Ren, ka nënvizuar se konkluzionet e Këshillit të BE-së para një viti, i kishin dhënë bazë ligjore Komisionit që të studiojë dhe propozojë rrugët për të mobilizuar instrumentet e BE-së, për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës. “Në rastin e Kosovës, ne kemi dy çështje kryesore: vizat dhe tregtinë”, ka thënë Oli Ren, duke shtuar se sa u përket vizave, “Komisioni propozon një proces, të cilin BE e quan të strukturuar dhe në faza, qëllimi eventual i të cilit është liberalizimi i vizave, me kusht që të ndërmerren reformat dhe të përmbushen kriteret nga ana e Kosovës”.
Raporti
Ndërkohë, në raportin për Kosovën përmendet se është arritur njëfarë përparimi në fushën e legjislacionit, por se ka mangësi në implementim. Në raport kritikohen autoritetet e Kosovës për mungesë të një lufte më të fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për ndërhyrje politike në sistemin gjyqësor, në media dhe në emërimet në postet kyçe në shërbimet civile.
Po ashtu, thuhet se korrupsioni, krahas ekonomisë joformale, paraqitet edhe si pengesë e zhvillimit të ekonomisë në Kosovë.
Korrupsioni përmendet si problem sidomos në prokurimin publik në Kosovë, ku thuhet se është bërë keqësim i situatës në krahasim me një vit më parë dhe se tenderët ndahen në mënyrë shumë jotransparente. Komisioni thotë se Qeveria e Kosovës nuk ushtron pushtetin në tërë territorin e Kosovës, duke përmendur këtu veriun e Kosovës. Prandaj, u bën thirrje autoriteteve kosovare që të bëjnë më shumë edhe për integrimin e serbëve, të cilëve u bën ftesë që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit.

Këshilli i Sigurimit diskuton raportin për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë sot për Kosovën mbështetur në raportin më të fundit q ë do të paraqesë kreu i OKB-së, Ban ki Moon. Seanca zhvillohet sot pasdite në selinë e OKB në Nju Jork. Në raport Ban ki Moon u bën thirrje të gjithë palëve në Kosovë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të zgjidhin në mënyrë konstruktive gjithë cështjet delikate ndëretnike. Raporti, i kushtohet më tepër punes dhe rolit të UNMIK në Kosovë, që është jashtëzakonisht i kufizuar. Në materialin në fjalë thuhet se UNMIK vazhdon të ndërmjetësoje mes shqiptarëve dhe serbëve për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin mes dy komuniteteve, por edhe mes Beogradit dhe Prishtinës zyrtare. Sipas Ban ki Moon, bashkëpunimi është i nevojshem për normalizimin e situatës në Kosovë dhe për stabilizimin dhe zhvllimin e gjithë Ballkanit Perendimor.

Kosovë- Maqedoni, pritet firmosja e marrëveshjes për kufijtë

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë kanë rënë dakord për kufijtë mes dy vendeve. Marrëveshja pritet të zyrtarizohet sot pasi të nënshkruhet nga Kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu i tij maqedonas, Nikola Gruevski. Zëdhënësi i i Zyrës Civile Ndërkombëtare ka thënë se marrëveshja do të finalizohet shumë shpejt. “ICO”-ja është duke lehtësuar progresin në çështjen e demarkacionit të kufirit gjatë 18 muajve të fundit. Ne jemi të bindur se procesi do të mbyllet në ditët e ardhshme”- citohet zëdhënësi i zyrës së Ndërkombëtarëve në Prishtinë. Mbyllja e kësaj çështjeje hap rrugën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Maqedonisë, e cila e ka njohur shtetin e ri para më shumë se një viti. Procesi i shënimit të vijës kufitare mes dy vendeve ka nisur një vit e gjysëm më parë, por përfundimi i këtij procesi është zvarritur shumë. Shënimi i vijës kufitare fillimisht ka qenë kusht i Maqedonisë për njohje të pavarësisë së Kosovës, dhe më vonë u bë kusht për vendosje të marrëdhënieve diplomatike. Demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë kërkohet edhe nga Pakoja e Martti Ahtisaarit.

Haga rrëzon pretendimet e Karaxhiçit për imunitet

Një gjykatë e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës ka hedhur poshtë pretendimin e ish udhëheqësit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç se ai kishte një marrëveshje imuniteti që e mbronte atë nga dënimi. Gjykata e Hagës mori vendimin që edhe nëse pretendimet e Karaxhiçit mund të provoheshin, ato nuk do të kishin peshë në gjykatën e krimeve të luftës. Karaxhiçi pretendon se i dërguari special amerikan, Riçard Hollbruk i kishte ofruar atij imunitet në vitin 1996 nëse ai largohej nga posti. Hollbruk, tani i dërguar special i presidentit Barak Obama në Afganistan dhe Pakistan, vazhdimisht e ka hedhur poshtë një marrëveshje të tillë. Karaxhiç përballet me 11 akuza përfshi genocidin, për rolin e tij në luftën e Bosnjës në vitet 1990.

Kosovë, në mesnatë nis fushata parazgjedhore

Partitë politike zyrtarisht hapin fushatën paraelektorale në mesnatë, të cilat gjatë 30 ditëve të ardhshme do të tentojnë t’i bindin qytetarët me ofertat e tyre për ta fituar garën e pushtetit lokal. LDK-ja do ta fillojë e para fushatën, në të cilën kandidati për Prishtinën, në orën 00:00 do të nisë prezantimin e ofertës së tij. PDK-ja ende s’ka vendosur për tubimin e parë. AKR-ja dhe LDD-ja e nisin bashkë në sheshin “Nëna Tereza”. AAK-ja prezanton kandidatët në Pallatin e Rinisë.

Nipi i Stalinit humb gjyqin

Një gjykatë në Rusi vendosi kundër nipit të ish udhëheqësit sovjetik, Josif Stalin në një padi për shpifje që ishte ngritur ndaj një gazete liberale. Jevgen Dzhugashvili, pretendonte se gazeta e kishte diskretituar Stalinin, kur kishte thënë se ish udhëheqësi kishte urdhëruar personalisht vrasjen e mijëra njerëzve. Vendimi i gjykatës është një fitore e rrallë për liberalët në betejën mbi trashëgiminë e Stalinit. Gjatë viteve të fundit, Kremlini i ka shmangur kritikat ndaj ish udhëheqësit dhe ka kërkuar që të përqëndrohet në arritjet e tij në kthimin e Bashkimit Sovjetik në një superfuqi. Mbështesit e gazetë liberale, Novaya Gazeta, e mirëpritën vendimin e gjykatës, duke thënë se e vërteta historike kishte triumfuar mbi përpjekjet për të mbuluar trashëgiminë e përgjakshme të Stalinit. Ata e kanë quajtur këtë një fitore të rëndësishme për lirinë e shprehjes.
Por avokatët e zotit Jevgen Dzughashvili thonë se do të vazhdojnë përpjekjet e tyre, siç u shprehën, për të pastruar emrin e Stalinit.

15 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›