E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohja e diplomave, Ministria e Arsimit nxjerr emrat e 483 kandidatëve të fundit



Jonida Tashi

Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht emrat e 483 kandidatëve, të cilëve iu është njohur diploma edhe në vendin tonë. Gazeta boton sot listën e aplikantëve të përfunduar sipas rendit alfabetik (nga emri) deri datën
1 tetor 2009. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se në këtë listë janë përfshirë edhe diplomat njohur disa muaj më parë për efekt njoftimi. Tashmë pas publikimit të emrave, të gjithë aplikantët që kanë kaluar me sukses procesin e ekuivalentimit të diplomës në Shqipëri, duhet të paraqiten pranë Ministrisë së Arsimit për të tërhequr certifikatën e njohjes.
Urdhri
Ashtu siç edhe premtoi që në ditët e tij të para të punës si ministër i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka realizuar së fundmi deklaratën e tij, duke i njohur diplomat e aplikantëve, disa prej të cilave kishin vite që rrinin në duart e ekspertëve të Komisionit të Njohjes së Diplomave në Ministrinë e Arsimit. Duke marrë shkas nga situata e krijuar në vite për procesin e ekuivalentimit të diplomave të fituara jashtë edhe në vendin tonë, ku një pjesë e madhe e tyre rrinin “stok” në Ministrinë e Arsimit, pasi nuk u vinte radha për konvertim, ministri Tafaj vendosi që këto diploma të kalon në filtrin e njohjes brenda një kohe të shkurtër. Ky urdhër bëri që ekspertët e njohjes së diplomave të viheshin në lëvizje për ta realizuar sa më shpjet këtë proces.
Situata
Të konvertosh një diplomë të fituar jashtë kufijve edhe në vendin tonë është një procedurë që kërkon kohë. Më së paku, njohja e diplomave të mbrojtura jashtë bëhet për tre muaj. Ndërsa koha maksimale që një aplikanti i duhet të pres për të marrë dokumentin e njohjes së diplomës është një vit. Por këto janë vetëm afatet kohore të përcaktuara në ligj, pasi në praktikë nuk ka ndodhur kështu. Vetëm para pak muajsh në Komisionin e Njohjes së Diplomave pranë Ministrisë së Arsimit, gjendeshin edhe dosjet e qindra aplikantëve që kishin bërë kërkesë për t’u konvertuar diploma që në vitin 2006 dhe ende nuk kishin marrë një përgjigje zyrtare nga ky dikaster. Pas urdhrit të kreut të ri të Arsimit, Myqerem Tafaj, për të mos mbajtur më pezull diploma të huaja që presin të ekuivalentohen, pritet që kjo situatë të mos përsëritet më për të ardhmen. Sektori i Njohjes së Diplomave në Ministrinë e Arsimit kryen procedurat për njohje diplomash dhe certifikatash të huaja për diploma të arsimit të lartë si: diploma të ciklit të parë, të ciklit të dytë, të diplomave Master i Nivelit të Dytë si dhe certifikatave të specializimit. Vetëm diplomat e Doktoraturës nuk janë objekt i Sektorit të Njohjes në Ministri.

Ekonomiku, studentët protestë për godinën që po ndërtohet pranë Fakultetit

Studentët e Ekonomikut në kryeqytet kanë bojkotuar ditën e djeshme mësimin për të protestuar për godinën që po ndërtohet pranë fakultetit të tyre. Godina që ka filluar të ndërtohet pranë Fakultetit Ekonomik në Tiranë, i ka detyruar të gjithë studentët të protestojnë dhe të bojkotojnë mësimin në ditën e tretë të fillimit të vitit të ri akademik. Në mbështetje të tyre kanë dalë edhe drejtuesit e Fakultetit të cilët thonë se ndërtimi i këtij objekti është i padrejtë, pasi janë shkelur ligjet dhe rregulloret që ekzistojnë për shfrytëzimin e ambienteve të universiteteve. “Po protestojmë për një godine që po ndërtohet pranë Fakultetit Ekonomik, shumë e vjetër, që ka vajtur prej vitesh, e ndërprerë, dhe tani ka filluar përsëri që të aktivizohet. Kjo godinë po ndërtohet në territorin tonë, ndërkohë që ne kemi mungesë ambientesh për veten tonë. Ekzistojnë ligjet që janë territore të universitetit, por shpesh beteja privat-publik fitohet nga privatët, dhe mbase është e njëjta histori”,- shprehet zëvendësdekani i Fakultetit Ekonomik, Fatmir Memaj. Pas mbylljes së protestës së djeshme, studentët thonë se do të bojkotojnë mësimin deri sa të zgjidhet ky problem. Vetëm dy vjet më parë aksionet nga Inspektorati i Ndërtimit, prishën me dhjetëra objekte në oborret e shkollave dhe fakulteteve, ndërkohë që u pezulluan dhe punimet në godinën që po ngrihet pranë Ekonomikut, e cila tashmë ka filluar të ndërtohet sërish.

Qeveria zvicerane ofron bursa për vitin akademik 2010-2011

Qeveria e Konfederatës Zvicerane, nëpërmjet Komisionit Federal të Bursave për Studentët e Huaj (ESKAS), në kuadrin e një kontingjenti të veçantë, ka ofruar 30-40 bursa për studentë nga vendet e Ballkanit Perëndimor për studime pasuniversitare në universitetet dhe shkollat e larta zvicerane. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga Ministria e Arsimit, e cila sqaron se për më tepër informacion, të gjithë aplikantët e interesuar duhet t’i referohen adresës së internetit të Ambasadës Zvicerane në Tiranë www.eda.admin.ch/tirana, ose të kontaktojnë direkt zyrat e kësaj Ambasade për tërheqjen e materialeve të aplikimit. Dosjet e plota të aplikantëve duhet të dorëzohen pranë Ambasadës Zvicerane deri në fund të muajit nëntor 2009.

15 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›