Loja e avokatëve mban peng procesin për tragjedinë e Gërdecit
Laureta Rryçi
Avokatët duket se po mbajnë peng vijimin e procesit për tragjedinë e Gërdecit. Asnjë prej seancave gjyqësore nuk ka vijuar deri më dje normalisht një herë nga mungesa e tyre dhe herë të tjera për shkak të kërkesave që ata paraqesin për çështjen në fjalë. Seanca e radhës për çështjen më të bujshme në vend, “Gërdecin” është shtyrë dje për shkak të mungesës së avokatit Ibrahim Lahja. Ky i fundit në këtë proces mbron të drejtat e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxhës. Trupi gjykues vendosi të zëvendësonte atë me një avokate kryesisht mirëpo sërish seanca nuk mund të vazhdonte më tej. Avokatja kërkoi të njihet më gjerësisht me dosjen duke sjellë kështu shtyrjen e seancës së djeshme për të vijuar të mërkurën e ardhshme që i bie data 21 tetor. Ata që kanë reaguar kanë qenë familjarët të cilët akuzuar avokatët se ishin ata që po e zvarrisin këtë proces.
Seanca
Janë dashur vetëm 20 minuta që gjyqtari i çështjes “Gërdeci” Ridvan Hado, të bëjë apelin dhe të vërtetojë se në seancë mungonte avokati i Luan Hoxhës, i marrë i pandehur në çështjen Gërdeci. Avokati Maksim Haxhia i kërkoi trupit gjykues të krijonte një pushim për rreth 15 minuta dhe të prisnin mbërritjen e avokatit. Por edhe pse 15 minutat kaluan, avokati nuk u paraqit. Në këto kushte gjyqtari Hado mori vendim të zëvendësojë avokatin duke zgjedhur Valentina Teodoreskun për mbrojtjen e Hoxhës. Avokatja pranoi dosjen e Hoxhës, por kërkoi kohë të njihet me çështjen. Hado vendosi që të shtyjë seancën për ditë më vonë deri në përgatitjen e avokates. Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë reaguar në sallë dhe janë shprehur të pakënaqur me vendimin e gjyqtarit. Ata thanë se “çdo seancë ndodh të mungojë dikush dhe kjo po çon në dështim të gjyqit”. Pavarësisht kontestit të tyre, të pandehurit, avokatë e prokurorë janë larguar nga salla e gjyqit.
Gërdeci
Gjyqi për tragjedinë e 15 Marsit të vitit 2008 në Gërdec ku mbetën të vrarë 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë është një nga proceset më të mëdha gjyqësore të hapura në vend.
Për tragjedinë e 15 marsit 2008 prokuroria ka dërguar në Gjykatë dosjen me 28 të pandehur si dhe akuzoi për shpërdorim detyre ish- ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, aktualisht ministër i Mjedisit. Por Gjykata e Lartë vendosi të pushojë çështjen ndaj Mediut pasi ai është veshur me mandatin e deputetit nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Pak ditë më parë familjarë të viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec dorëzuan në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzim penal ndaj ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu. Ata kërkojnë rihapjen e çështjes ndaj Fatmir Mediut.
Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Alba Demil", Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin teknik të fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish punonjësi i MEICO-s Sokol Gjeçi janë në gjendje arresti.
Fier
Grabitet dyqani, merren bizhuteri me vlerën 15 milionë lekë
Gjatë orëve të natës, në fshatin Cakran të Fierit është vjedhur dyqani me konfeksione në pronësi të L.Sh, banues i këtij fshati. Me marrjen e njoftimit, forcat e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore u konstatua se vjedhja është kryer me anë të thyerjes. Po sipas njoftimit të policisë, bëhet e ditur se prej aty është marrë një sasi bizhuterish me vlerë rreth 15 milionë lekë. Nga strukturat e policisë së Fierit po punohet në mënyrë intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe zbardhjen e dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Pranga maniakut seksual, bënte xhiro në linjat urbane
Qëndronte pranë stacioneve të autobusëve ose bënte xhiro në Unazën e Tiranës për të prekur në pjesë delikate femrat. “Gjuetia” e tij maniake zhvillohej edhe në ambientet autobusëve në linjat urbane të Tiranës. Bëhet fjalë për një mesoburrë emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia, që kishte siguruar një abone të përgjithshme dhe udhëtonte nëpër autobusë pa pasur një destinacion fiks. Sidoqoftë xhirot e tij nëpër rrugët e Tiranës e kishin një qëllim. Të ngushtohej mbrapa femrave sidomos duke shfrytëzuar oraret në të cilat autobusët mbusheshin me njerëz dhe për të cilat do të kishte mundësi të justifikonte veprimet e tij maniake. Burime nga policia thanë se jo rrallë herë ai kishte ngrënë shuplakë nga femra të cilat kuptonin se shtyrjet dhe ngjeshjet e tij pas tyre ishin të qëllimshme. Kështu paraditen e djeshme një ulërimë e një vajze dhe sharjet e saj kanë bërë që mesoburri të përfundojë në polici. Pranë stacionit të autobusit te Ekspozita, ai ka kryer një tjerë veprim, të cilin një oficer policie i cili gjendje në vendngjarje do ta etiketonte atë si maniak seksual. Menjëherë është njoftuar grupi i gatshëm i cili ka shoqëruar mesoburrin në ambientet e komisariatit. Burime nga policia thanë se ai po merre në pyetje për të sqaruar incidentet.
15 Tetor 2009