Konteksti i emrit, Gruevski:Do vazhdojnë bisedimet

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski apeloi për kujdes dhe përkushtim ndaj interesave shtetërore dhe nacionale në kontekst të çështjes së emrit dhe vazhdimit të ardhshëm të bisedimeve me Greqinë, me ndërmjetësimin e ndërmjetësit Mattheë Nimetz. Ai u bëri thirrje liderëve të partive politike për bashkimin e interesave shtetërore dhe nacionale. "Tashmë ka filluar dhe pason periudha e shumë spekulimeve, për dizinformata të ndryshme dhe skenarë të krijuara vetëm për shkak qëllimeve ditore-politike, ndërsa ndonjëherë të motivuara nga nevojat private. Apeloj për kujdes dhe përkushtim për interesat shtetërore dhe nacionale", tha Gruevski në solemnitetin me rastin e shënimit të 19-vjetorit të themelimit të partisë VMRO-DPMNE - lider i së cilës është vetë ai. "Kjo", tha Gruevski, "nuk është çështje e individëve dhe personave, por e shtetit të Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj". Ai u bëri thirrje të gjithë liderëve të partive politike në Maqedoni, të bashkohen pas interesave shtetërore dhe nacionale të Maqedonisë dhe bëri thirrje që në periudhën që pason të demostrohet bashkim, e jo përçarje.