E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontestimet, Mustafa: Të përsëriten zgjedhjet. Thaçi: Akuzat, mendësi komuniste

Kontestimi i rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 12 dhjetorit nga shumica e partive politike, është fenomen që nuk ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara dhe një gjë e tillë sjell  një varg problemesh, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në një kokë kur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë vendin.

Në emisionin “Rubikon” të  KTV-së, ka deklaruar se të paktën në 7 komuna ka nevojë për rivotim e jo vetëm në Skenderaj e Drenas. Kreu i LDK-së ka akuzuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë se pasi kanë lajmëruar me telefon shkeljet dhe vjedhjet që i bëhen LDK-së, kanë dalë vetëm me vlerësime të përgjithshme.

Mustafa ka propozuar formimin e një qeverie teknike deri në një vendim konkret për situatën, lidhur me zgjedhjet. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosja ka denoncuar AAK-në, LDK-në, LDD-në dhe PDK-në se kanë manipuluar me votat e qytetarëve në Deçan, në ditën e votimeve. 

Sipas Dardan Molliqajt, nga kjo lëvizje, pjesëmarrja prej 96.8% e votuesve në disa vendvotime të komunës së Deçanit “tregon qartë se partitë politike të lartpërmendura kanë manipuluar me votën e qytetarëve”. 

"Vetëvendosje" ka njoftuar se do të ngrejë 15 padi penale për personat që, siç thuhet, “kanë ushtruar dhunë dhe kanë shkelur ligjin në Deçan e në gjithë Kosovën”.

Për kryeministrin Hashim Thaci kundërshtimi i zgjedhjeve është një mentalitet tipik komunist. Lideri i PDK-së Hashim Thaçi në një intervistë për “Bota sot” shprehet se këto grupime politike duke mos pasur mundësi për t’u përballur me garë, i qasen kontestimit.

“Ka ankesa, por edhe ne kemi ankesat tona në Prishtinë e në Podujevë, pra ankesa të shumta të cilat besoj se do të shqyrtohen nga organet kompetente, nga KQZ-ja dhe PZAP-i. Këto ankesa janë për manipulime të votave, për votim të shumëfishtë, të planifikuar, të koordinuar dhe familjar, por edhe për shantazh dhe për kërcënim” është shprehur Thaci për “Bota sot”.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›