“Kontestimet e opozitës, tërësisht të pabaza - hapja e kutive nuk parashikohet në ligj”

Numri dy i Asamblesë Parlamentare të OSBE Volfgang Grossruk, me pushime në Shqipëri
OSBE shprehet edhe njëherë për situatën politike në Shqipëri, duke iu referuar pretendimeve të opozitës për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. Numri dy i Asamblesë Parlamentare të OSBE Volfgang Grossruk, i ka vlerësuar zgjedhjet e 28 qershorit 2009, si më të mirat të organizuara ndonjëherë në Shqipëri ndërkohë që për pretendimet e opozitës për hapjen e kutive të votimeve, ai është shprehur se mund të ndodhë vetëm nëse e parashikon kushtetuta e vendit. “Nëse dikush nuk është dakort me rezultatin e zgjedhjeve, kjo zgjidhet me anë të kushtetutës ndërkohë që mospjesëmarrja në jetën politike është rruga më e gabuar që mund të ndiqet nga opozita. Në raportin e hartuar nga ne, i cili u mbështet nga të gjithë anëtarët dhe ishte në harmoni të plotë me standardet e kërkuara nga NATO dhe BE, rezultoi se zgjedhjet e 28 nëntorit 2009 ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, nuk kishte asnjë gjë për të përmirësuar në këto zgjedhje. Nëse dikush është i pakënaqur me rezultatin atëherë duhet të ndryshoni kushtetutën që është miratuar me 2/3, pra edhe me votat e opozitës”, u shpreh Grossruck. Lidhur me liberalizimin e vizave kreu i delegacionit të vëzhguesve të zgjedhjeve politike të vitit të kaluar në Shqipëri deklaroi se të gjitha partitë në Austri janë shprehur pro heqjes e vizave për shqiptarët. Deklaratat e Grossruk u bënë nga qyteti i Sarandës ku ai kaloi një pjesë të pushimeve pasi kishte vizituar shumë vende turistike të Shqipërisë që nga veriu e deri në jug.
...