“Qëllimi strategjik, integrimi evropian dhe kontributi për paqen”
Intervista/ Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu shprehet se konferenca e ambasadorëve që zhvillohet gjatë dy ditëve me radhë në Tiranë do të shërbejë si një moment i mirë për të strukturuar shërbimin e jashtëm diplomatik. Sipas tij, shefat e përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore nëpër botë vijnë në Tiranë dhe takohen me drejtuesit kryesorë të shtetit, që kanë rol kryesor në drejtimin e politikës së jashtme, ministri i Jashtëm, kryeministri dhe presidenti i Republikës. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Turdiu theksoi se qëllimi parësor i konferencës së ambasadorëve është konfirmimi i linjës së integrimit evropian dhe kontributi për paqen. Cili është qëllimi i zhvillimit të kësaj konference të përvitshme me ambasadorët shqiptarë të akredituar në vende të ndryshme të botës? Pse ndodh kjo konferencë dhe çfarë synohet të arrihet në përfundim të saj? Kjo konferencë është kthyer në një traditë për shërbimin e jashtëm shqiptar sikurse është një traditë në shumë shërbime të jashtme nëpër botë. Ideja është që, në harkun kohor të një viti gjatë funksionimit të shërbimit të jashtëm, në qendër dhe në përfaqësi, grumbullohet informacion, zhvillohen procedura, të cilat sigurisht, janë një përvojë dhe në qoftë se ne i ndajmë, i diskutojmë dhe i trajtojmë me njëri-tjetrin, kjo na ndihmon për të strukturuar punën tonë. Kështu që, pas një viti, në fund të pushimeve të verës, ne mblidhemi këtu, shefat e përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore nëpër botë vijnë në Tiranë dhe takohen me drejtuesit kryesorë të shtetit, që kanë rol kryesor në drejtimin e politikës së jashtme, ministri i Jashtëm, kryeministri dhe presidenti i Republikës. Gjithashtu, diskutojnë me kolegët e tyre të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të nivelit Drejtor dhe Drejtor i Përgjithshëm, trajtojnë çështje të cilat janë ndjekur në harkun e këtij viti dhe natyrisht strukturojnë punën për vitin që vjen. Duke ju referuar politikës sonë të jashtme dhe prioriteteve te saj a pritet të kemi ndonjë ndryshim thelbësor apo do të jetë një takim, një konferencë pune e cila nuk pritet të sjellë ndryshime në politikën tonë të jashtme? Për fat të mirë, Shqipëria ka arritur një pjekuri të tillë që politika e saj e jashtme është e qëndrueshme dhe ka një linjë e cila prej njëzet vitesh është po ajo. Kështu që nuk është se kjo konferencë kërkon të diskutojë çështje që mund të ndryshojnë rrjedhën ose qëllimet strategjike të vendit tonë. Qëllimi ynë strategjik është integrimi euro-atlantik, natyrisht paqja dhe siguria, kryesisht në rajonin tonë, sepse këtu janë edhe interesat tona parësore dhe kontributi që vendi ynë mund të japë në bashkëpunim me vendet e tjera demokratike në botë për qetësimin, stabilizimin dhe paqen për rajone të tjera të vështira të botës. Pra, ne nuk presim në asnjë rast dhe as nuk mund të presim ndryshime në politikën e jashtme të Shqipërisë. Por sidoqoftë përvoja e grumbulluar, përvojë të cilën shefat e përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore në botë do ta sjellin në Tiranë, do t’i vlejë të gjithë kolegëve gjatë diskutimeve, duke trajtuar qoftë edhe nuanca me të cilat janë ndeshur në vendet ku shërbejnë.
...