E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli- Lohan: Integrimi Evropian i Shqipërisë objektivi i përbashkët i Tiranës dhe Brukselit

“Integrimi europian i Shqipërisë është objektivi ynë i përbashkët”. Kështu u shpreh sot Ambasadori i KE-së në Shqipëri, Helmuth Lohan në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në prag të përfundimit të mandatit të tij në krye të delegacionit të KE-së, Ambasadori Lohan tha se ka qenë një kënaqësi për të, të shohë nga afër progresin e shpejtë dhe angazhimin maksimal të Qeverisë, Parlamentit dhe institucioneve shqiptare në afrimin e vendimit për liberalizimin e vizave dhe shkurtimin e rrugës drejt BE-së. “Ky progres ma ka bërë shumë të këndshëm qëndrimin tim në Shqipëri. Ju siguroj se angazhimi i BE-së është maksimal për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në strukturat e saj”, tha ambasadori Lohan. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi kontributin dhe angazhimin personal të ambasadorit Lohan përgjatë gjithë hapave integrues të Shqipërisë dhe i bëri urimet më të sinqerta për të dhe familjen e tij. “Mbështetja e BE-së ka qenë një inkurajim i madh, për ne tha ajo, dhe ne gjithmonë kemi vlerësuar çdo raport e dokument të Bashkimit Europian si axhendë të Parlamentit. Ajo tha se Shqipëria në 20 vite ka rekuperuar shekuj kohë. Integrimi në BE ka qenë motivi, motori dhe udhërrëfyesi kryesor në sfidat dhe reformat e mëdha. Shqiptarët janë europianë dhe vokacioni perëndimor i tyre është një energji e jashtëzakonshëm për të ecur përpara. Kryetarja e Kuvendit dhe ambasadori Lohan biseduan mbi sfidat e ardhshme politike, ekonomike dhe integruese.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›