Zhduket Rama, s’guxon të bëjë publike pasurinë e tij dhe të partnerëve

Deputeti i PD, Gerti Bogdani denoncoi sot fshehjen e zotit Rama nga detyrimi publik për të zbardhur 20 përqindëshat e lejeve të ndërtimit. Reagimi i ministrit Dritan Prifti: Koncesionet e Arian Tartarit, krejt të ligjshme
Partia Demokratike kërkoi sot përgjigje nga Edi Rama në lidhje me akuzat që janë bërë ndaj tij për abuzimet me lejet e ndërtimit. Përmes një deklarate para medias, deputeti demokrat Gerti Bogdani, tha se kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama duhet të japë shpjegime për pasurinë e tij të fshehur dhe për akuzat sipas të cilëve ai ka marrë dhe merr rryshfet dhe përfitime në këmbim të lejeve të ndërtimit. “Rama nuk bëhet i gjallë dhe nuk dihet ku fshihet pasi është akuzuar se merr 20 për qind për çdo leje ndërtimi, çfare e mundon zotin Rama”, pyeti Gerti Bodgani, deputet i PD. Ai shtoi se Rama duhet të tregojë pasurinë e tij, të partnerëve si dhe numrin e lejeve të ndërtimit të dhëna vitet e fundit në Tiranë.
Prifti: Konçesionet e burrit të Albana Vokshit, të ligjshme
Ministri i ekonomisë dhe energjitikës Dritan Prifti ka deklaruar sot se konçesionet e hidrocentraleve të dhëna për bashkëjetuesin e deputetes së PD-së Albana Vokshi, janë të rregullta dhe të ligjshme. Sipas Priftit, për këto vendime ka dokumentacion të plotë dhe të rregullt dhe kushdo që dëshiron mund ta shikojë vendimarrjen. Sipas ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës zoti Tartari ka marrë gjithcka konform ligjit të shtetit. Duke ju referuar dy hidrocentraleve në Kardhiq, Prifti tha se ka dokumentacion të plotë se procedura ka nisur që në vitin 2007 dhe ka përfunduar në vitin 2009. “Kjo është kontrata më e përpunuar dhe më e negociuar nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës”, garantoi Prifti. Deklaratat u bënë nga kreu i METE, në përgjigje të akuzave të Partisë Socialiste sipas të cilës bashkëjetuesi i deputetes së PD-së ka fituar gjashtë konçesione HEC-esh Brenda një dite.
...