E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha të mbajë përgjegjësi për premtimet e pambajtura

 

Kryetari i PS-së, gjatë rrugëtimit të tij, u ndal dje në Fushë Arrëz

Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë rrugëtimit të tij "Dialogu me Shqipërinë", është ndalur dje në qytetin e Fushë Arrëzit për çështje të sigurisë së jetës. Kryetari i PS-së u shpreh se nuk duhet të votojmë dhe të mbetemi peng i paragjykimeve, duke nënvizuar në të njëjtën kohë, se është koha që Kryeministri të mbajë përgjegjësi për të gjithë premtimet e pambajtura. "Dua të them, se duhet të gjejmë forcat për të kapërcyer kufijtë që ka vendosur mes nesh, mes jush, në të gjithë Shqipërinë, politika e vjetër e interesave partiake, politika e vjetër e interesave të politikanëve, që duke e ndarë Shqipërinë në parcela dhe duke vënë në çdo parcelë nga një flamur partie, e kanë pasur më kollaj dhe e kanë sot e gjithë ditën më kollaj, të sundojnë, duke i mos i mbajtur premtimet, duke mos i realizuar ato për të cilat janë votuar, duke mos i bërë të mundshme rrugët që secili kërkon për familjen e tij dhe duke vazhduar shfaqjen bajate në kutinë e televizorit, të një kacafytjeje në emër të popullit, një kacafytjeje, e cila ka çuar dëm shumë energji, e cila ka vrarë shumë shpresa, e cila ka zhgënjyer shumë herë të gjithë ne dhe e cila ka lënë Shqipërinë në këtë gjendje",- tha dje Rama. Kryesocialisti shtoi ndër të tjera se është koha që politika të zbresë aty ku janë njerëzit, aty ku janë ëndrrat, dëshirat, ambiciet, hallet, problemet, nevojat e njerëzve. "Është koha që politika të burojë nga bashkëbisedimi me njerëzit, në qytet e fshat, në fushë e në mal, në qendër e periferi. Është koha që politika e politikanëve, t'ia lërë vendin politikës së qytetarëve, qytetarëve në qytet e fshat, të burrave e të grave, që refuzojnë të vazhdojnë të jetojnë pa punë, pa bukë, pa pasur mundësi t'ju blejnë libra fëmijëve të tyre, që refuzojnë të vdesin si skllevër dhe që duan që në vendlindjen e tyre, të lindi një shpresë e re, të fillojë puna",- shtoi ai. Rama theksoi se, "është misioni ynë, për të qenë së bashku dhe për të përmirësuar jetën tonë, është pasioni për ta ndryshuar realitetin që na rrethon, është hapësira që na jep mundësinë të jemi bashkë të komunikojmë me njëri-tjetrin, ta dëgjojmë, të biem dakord për çka shkon e nuk shkon dhe së bashku mund t'i bëjmë realitet gjërat që na duhen dhe të cilat besojmë. Kjo është politika dhe për këtë jemi të gjithë bashkë". Rrugëtimi i "Dialogut me Shqipërinë" për çështje të sigurisë së jetës u mbyll me bashkëbisedimin në Fushë Arrëz. Gjatë muajit prill, Rama ka dialoguar për këtë çështje nga Veriu në Jug të vendit dhe pritet që pas këtij procesi të publikohet dhe Enciklika për Sigurinë e Jetës në Vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›