E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontestojnë Devajën

Edhe pse Mexhit Devaja u rizgjodh kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) me shumicën absolute të votave (me 28 vota prej 31 delegatëve), për disa klube kosovare rizgjedhja e tij në këtë post në Kuvendin Zgjedhor të kësaj federate, ishte jolegjitime.

Kastrioti, Vëllaznimi, Trepça, Besa në konkurrencën e meshkujve, dhe Kosova e Vushtrrisë në konkurrencën e femrave, janë skuadrat e pakënaqura me zhvillimet e Kuvendit Zgjedhor të FHK-së.

Me këtë rast, kryesitë e këtyre klubeve po mendojnë të tërhiqen nga skuadrat e tyre dhe thonë se nuk e kanë ndërmend të organizojnë gara paralele me ato të organizuara nga FHK-ja.

Drejtuesit e këtyre klubeve thonë se FHK-ja ka nevojë për ndryshime dhe i akuzojnë drejtuesit e kësaj federate t’i kenë kurdisur zgjedhjet para mbajtjes së Kuvendit.

“Devaja nuk pati kundërkandidat. Brenda një dite ai i ka mbledhur 28 nënshkrime dhe i ka mbyllur të gjitha vrimat për t’u kandiduar dikush tjetër. Megjithatë, Agron Kryeziu i ka siguruar nënshkrimet, por atij nuk iu lejua të hyjë në sallë”, deklaroi për Express, kreu i Kastriotit, Lulëzim Abazi.

Ai paralajmëroi se për këtë do të ankohet në Ministrinë e Sportit dhe në Kryeministri.

“Janë bërë shkelje drastike të statutit. S’ka rregullore, e as ligj që e lejon një person të qëndrojë 20 vjet në postin e kryetarit. Prandaj, ne do të ankohemi në Ministri, Kryeministri, etj. Kastrioti, Besa, Trepça, Vëllaznimi, Kosova (femrat) do t’i mbajmë kuvendet e klubeve dhe me gjasë do të tërhiqemi nga skuadrat, sepse këto zgjedhje për ne janë jolegjitime”, theksoi ai.

Njëjtë si Abazi është shprehur edhe Afrim Prekazi nga Trepça. Madje, ai kërkon që të auditohet FHK-ja, duke shprehur dyshimet e tij se aty është keqpërdorur buxheti i kësaj federate.

“FHK-ja ka nevojë për ndryshime. Unë do të kërkoj që të auditohet FHK-ja. Ka keqpërdorime të mëdha aty. Ministria e Sportit është bërë si agjenci turistike. Japin para për lobim dhe nuk e dinë se këta njerëz atje po shkojnë për turizëm, sepse asgjë nuk po bëjnë”, tha Prekazi.

Pakënaqësinë e tyre me zgjedhjet në Kuvendin e FHK-së e kanë shprehur edhe Agron Kryeziu i Vëllaznimit dhe Arben Muqolli i Besa Famiglias.

Ndërsa, sekretari i FHK-së, Izet Gjinovci pohon se zgjedhjet në Kuvend ishin shumë legjitime.

“Klubi i Abazit, i cili po kritikon, vetë e ka nominuar Devajën për kryetar. Devaja i ka fituar 28 vota. Delegatët një javë më herët e kanë marrë materialin. Kuvendi është monitoruar nga drejtori i Departamentit të Sportit i Ministrisë, gazetarët, dhe gjithçka ka qenë transparente. Andaj, zgjedhjet kanë qenë shumë legjitime”, deklaroi Gjinovci për Express.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›