E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrabanda Shqipëri-Kosovë, nacionalizëm dhe pragmatizëm

Flamur VEZAJ

TIRANË – Bllokimi i kalimit kufitar në kufirin verior me Serbinë prej shumë muajsh po forcon midis Kosovës dhe Shqipërisë disa lidhje tregtare të paligjshme, të cilat frymëzohen nga nacionalizmi dhe sidomos pragmatizmi ekonomik. Niveli i kontrabandës midis dy anëve të pikës kufitare të Morinës njeh rritje të vazhdueshme, kjo edhe falë mosndërhyrjes energjike të policive të dy vendeve. Uroj që të mbyllet përgjithmonë kufiri me Serbinë, që të rritet import-eksporti midis Shqipërisë dhe Kosovës. Jemi një gjak dhe një komb, prandaj midis nesh duhet të ketë më tepër shkëmbim të mallrave, edhe pse pa doganë. Të fuqizohemi ekonomikisht, sepse kemi mbetur prapa si rajon, – thotë pa pranuar të identifikohet një pronar lokali në anën shqiptare të kufirit. Disi më praktikë janë tregtarët kosovarë, të cilët janë thjesht të detyruar të kalojnë mallra pa doganë nga Shqipëria për mungesë zgjedhjeje dhe për arsye se duhet të fitojnë pa e rritur shumë çmimin e mallit deri te konsumatori kosovar. Pijet freskuese të gjigantit Coca-Cola, Schweppes dhe Ice-Tea-t e ndryshme nuk prodhohen në Kosovë dhe megjithëse këto pije janë të destinuara vetëm për tregun e brendshëm të prodhuesve shqiptarë, ato e kalojnë përditë kufirin në mënyrë të paligjshme nëpër automjete e furgonë. Edhe prodhime të ndryshme greke futen në Kosovë nga Shqipëria me të njëjtat skema e mjete, duke habitur edhe vetë konsumatorët kosovarë përballë mbishkrimeve Made in Greece.

Pijet dhe mallrat e tjera të kontrabanduara kalojnë fillimisht kufirin dhe më pas grumbullohen në magazina apo lokale të caktuara në fshatin e Vërmicës, Shkozës apo edhe në qytetin e Prizrenit. Që aty fillon shpërndarja nëpër lokale dhe dyqane me pakicë. Shumë pije të njohura me gaz nuk prodhohen tek ne, prandaj i blejmë në Shqipëri. Ato i kalojmë kontrabandë, sepse nuk na e mban xhepi të paguajmë doganë. Këto pije janë shumë të kërkuara në Kosovë, por është rritur me një euro për 6-she me Coca-Cola, prandaj duhet të fitojmë diku, – tregon Adil Memaj, pronar dyqani në fshatin Zhur.

E.S., nga Shqipëria, një transportues 45-vjeçar në timonin e një fugoni Mercedes blu, rrëfen se kalimin e mallrave kontrabandë midis dy vendeve e bën prej vitesh, duke nxjerrë edhe jetesën e familjes së tij me rreth 450 USD ose më shumë në muaj, në varësi të rrugëve që bën dhe të herëve që shpëton pa iu kapur malli. Një tjetër transportues, N.K., nga Kosova, e përdor furgonin e tij të bardhë për të kontrabanduar pije drejt Kosovës dhe miell, vaj e ushqime për kafshët drejt Shqipërisë. Ai është i vetëdijshëm, që rrezikon burgun nëse do të kapet nga policia, por shpjegon se me pak lek dhe me të njohur ka kaluar pa probleme deri tani. Ai shton se nuk ka zgjedhje tjetër, pasi shteti nuk e ndihmon të gjejë një punë të ligjshme. Njëlloj si ai mendojnë dhe veprojnë të gjithë transportuesit e tjerë shqiptarë e kosovarë, që përfitojnë nga mangësitë e sistemit policor e doganor në Morinë për të mbuluar me ofertën e tyre të gjitha kërkesat në tregun kosovar.

Serbia bën sërish “të fortin” ndaj Kosovës

Lulëzimi i trafiqeve dhe kontrabandës në pikën kufitare të Morinës midis Kosovës dhe Shqipërisë vjen si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e marrëdhënieve tregtare ngriva-shkriva midis Prishtinës dhe Beogradit si pasojë e bllokimit të kufijve nga ana e Serbisë. Siç konfirmohet edhe nga autoritetet doganore kosovare, vetëm gjatë periudhës së bllokadës serbe dhe masave të reciprocitetit vendosur nga republika e re, shkëmbimet tregtare të regjistruara midis Shqipërisë dhe Kosovës janë rritur me të paktën 30 për qind. Në mënyrë të ligjshme, kufirin nga Kukësi në Vërmicë e kanë kaluar më shumë lëndë hidrokarburesh, materiale ndërtimi, prodhimet bujqësore dhe mobiliet. Doganat kosovare deklarojnë, se vetëm për periudhën janar-shtator 2011 Shqipëria ka eksportuar drejt vendit fqinjë mallra me një vlerë 65 milionë euro, ndërsa ka importuar nga Kosova prodhime me një vlerë 21 milionë euro. Ka patur edhe 26 raste të kalimit kontrabandë, por kjo nuk përbën shqetësim, sepse bëhej fjalë për kapjen e mallrave me vlera të ulëta, shprehen zyrtarë të doganave në Kosovë.

E njëjta situatë tregtare e pafavorshme për shtetin kosovar është bërë e detyrueshme edhe në kufirin me Serbinë. Sipas së përditshmes kosovare Koha Ditore, raporti tregtar mes Kosovës dhe Serbisë gjatë muajve të vjeshtës ka qenë 100 me 1 në favor të Serbisë. Megjithëse Prishtina vendosi për heqjen e masave të reciprocitetit më 16 shtator pas marrëveshjes për vulat doganore të sigluar më 2 shtator në Bruksel, përsëri autoritetet serbe vazhdojnë ti pengojnë eksportet kosovare drejt shtetit të tyre, ndërsa nuk ndodh e njëjta gjë me eksportet serbe përtej kufirit të tyre jugperëndimor. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, pohoi se deri më tani kemi regjistruar mbi 70 maune, që kanë eksportuar mall në Serbi që nga heqja e masave të reciprocitetit. Për sa i përket importit nga Serbia, deri më tani janë afro 3.000 ngarkesa kryesisht me material ndërtimor dhe ushqime. Nga të dhënat zyrtare të shtetit kosovar rezulton, se nga Serbia hyjnë çdo ditë mesatarisht 150 maune me mallra drejt Kosovës. Vlera financiare mesatare e çdo maune serbe përllogaritet në rreth 10 mijë euro, prandaj prodhuesit e Serbisë fitojnë 1.5 milionë euro çdo ditë, apo thuajse 500 milionë euro çdo vit. Kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, gjatë një prononcimi për media, patë thënë se kosovarët kanë produkte të mjaftueshme për të eksportuar në Serbi, vetëm se ato hasin vështirësi shitjeje në tregun serb. Ai rrëfen se eksporti me Serbinë është në nivelin më të vogël të mundshëm, në krahasim me mundësitë, për shkak se konsumatori serb nuk e dëshiron produktin e shkruar në gjuhën shqipe apo të markës Made in Kosovo. Specat nuk kanë mbishkrim se nga vijnë, prandaj arrijmë ti eksportojmë në Serbi. Çdo gjë tjetër është e pamundur të shitet atje. Prodhuesit kosovarë e kanë të vështirë të gjejnë treg në Serbi. Konsumatorët atje kanë një vetëdije më të lartë nacionaliste dhe vështirë të binden për konsumimin e prodhimeve kosovare, shtoi Shahini. Nga ana e tyre, serbët e veriut të Kosovës vazhdojnë të favorizohen nga aktivitetet e paligjshme të kontrabandës. Milan Ivanoviç, nga Këshilli Kombëtar Serb, thotë se, pavarësisht bllokimit të rrugëve me barrikada nga serbët në veri të Kosovës dhe mosfunksionimit normal të të dyja vendkalimeve kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në zonat e banuara nga pakicat serbe nuk ka ndonjë mungesë të mallrave të konsumit të përditshëm apo çrregullim të furnizimit me to. Ky shkrim u realizua edhe me ndihmën e Agjencisë Daneze për investigimin, SCOOP.

Si bëhet kontrabanda

TIRANË – Një shofer furgoni ngjyrë të bardhë e me targa të vjetra shqiptare shpjegon skemën e kalimit të paligjshëm të kufirit me mallra kontrabandë: Me mbylljen e kufirit me Serbinë është rritur shumë puna për ne shqiptarët. Me pak fat, sot bëj edhe katër rrugë në ditë, ndërsa dikur vetëm një. Unë transportoj mall kontrabandë për një firmë private, që furnizon tregun e Kosovës me pije të ndryshme freskuese. Pronari i firmës kosovare më jep porosinë. Unë blej mallin në Shqipëri, mbush furgonin dhe kaloj kufirin. Nëse në doganën shqiptare apo kosovare më hapin ndonjë problem, unë njoftoj pronarin dhe menjëherë më lejojnë të kaloj, sepse e zgjidh pronari me telefon. Pasi dorëzoj mallin, marr edhe shpërblimin e caktuar.

Llojet e mallrave kontrabandë

Sipas gazetës kosovare Koha Ditore, që citon burime zyrtare të doganës së Morinës, shkëmbimet e paligjshme tregtare midis Shqipërisë dhe

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›