Me propozim të Imamit, Topi nxjerr në rezervë 4 ushtarakë të lartë
Presidenti Bamir Topi ka firmosur sot dekretimin e shkarkimit dhe nxjerrjes në rezervë të katër funksionarëve të lartë të Forcave të Armatosura. Propozimi ka ardhur nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dhe ka marrë firmën e kreut të shtetit pa u dhënë një motivacion zyrtar për këtë shkarkim që prek emra të njohur të FA-së. Në faqen e Presidencës njoftohet se Presidenti Bamir Topi dekretoi shkarkimin dhe nxjerrjen në rezervë të Zëvendës komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Vladimir Qirjazit. “Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe të nenit 7, pika 8 të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, dekretoj shkarkimin nga detyra dhe nxjerrjen në rezervë të Gjeneralbrigade Vladimir Qiriazi, Zëvendëskomandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, thuhet në njërin prej dekreteve. Ndërsa tjetri vijon me nxjerrjen në rezervë të Komandantit të Forcave Detare, Kudret Çela. Në dy dekretet e tjera të publikuara bëhet e ditur nxjerrja në rezervë të oficerit me gradë madhore Arian Zaimi, me detyrë këshilltar ushtarak i ministrit të Mbrojtjes si dhe nxjerrjen në lirim të oficerit me gradë madhore Gjeneral Major Maksim Hamza Malaj. Arian Zaimi, ka mbajtur më parë postin e atasheut ushtarak të Shqipërisë në NATO.