Punimet e unazës, banorët në protestë
FUSHE KRUJE – Banorët e fshatit Luz të Fushë-Krujës bllokojnë punimet e unazës së qytetit, pasi Bashkia nuk i ka kompensuar pronat. Ata dolën dje në një protestë dhe nuk lejuan firmën që po bën punimet të vijojë punën. Kam qenë në Tiranë kur banorët e fshatit më njoftuan se firma që po kryen punimet për ndërtimin e unazës së qytetit ka ndërhyrë, duke më prishur avllinë e shtëpisë. Me sa duket, drejtuesit e firmës e kishin marrë informacionin se nuk kishte njeri në shtëpi dhe kanë ndërhyrë duke më shkatërruar murin plotësisht, u shpreh banori Gjon Luka. Ai pohoi se do ti bënte denoncim firmës që po kryen punimet për dhunim e shkatërrim prone. Ndërsa banori tjetër Gani Baku u shpreh se nuk do të lejojnë vazhdimin e punimeve, pa ardhur Bashkia për të kontaktuar me ta në mënyrë që të dëmshpërblehen për pronat nga ku do të kalojë unaza e re. Topografi i Bashkisë na ka thënë se Banka Botërore ka të drejtën e shpronësimit të pemëve dhe avllive, ndërsa tokën do e dëmshpërbleje Bashkia, u shprehën banorët. Kryetari i Bashkisë së Fushë-Krujës, Ismet Mavriçi, u shpreh se tokat janë matur të gjitha dhe do dëmshpërblehen konform ligjit. Ne jemi në bisedime dhe në marrëveshje me firmën për ndërtimin e avllive nga ana e firmës në afërsi të rrugës, sikur ata ishin të ndërtuar më parë, por pa prishur aspak projektin, tha kryebashkiaku. r.n