E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda e floririt, të dhëna kontradiktore për sasinë

Të dhënat e policisë dhe të prokurorisë në lidhje me sasinë e floririt të sekuestruar katër ditë më parë kanë nxjerrë në pah kontradiktat e këtyre të fundit. Kështu, gjatë caktimit të masës së sigurisë ditën e djeshme për dy kontrabanduesit, Astrit dhe Genci Lamçe, organi i akuzës është shprehur se këtyre të fundit iu janë sekuestruar 109 kilogramë flori, ndërkohë që gjatë momentit të arrestimit policia bëri të ditur se kishte sekuestruar dyfishin e kësaj sasie, pra 200 kilogramë. Ndërkohë, dy vëllezërit Astrit dhe Genci Lamçe, të cilët u arrestuan me sasinë e floririt, janë lënë në qeli nga gjykata e kryeqytetit.

Sasia e floririt të sekuestruar katër ditë më parë nga ana e uniformave blu të policisë së kryeqytetit, ka futur në një keqkuptim këta të fundit me prokurorinë. Në një kohë që policia pohoi në momentin e arrestimit të dy vëllezërve Lamçe se ishin sekuestruar 2 kuintalë flori, prokuroria pohoi gjatë ditës së djeshme, kur është caktuar masa e sigurisë ndaj Genci dhe Astrit Lamçe, se rezultojnë të bllokuara vetëm 109 kilogramë floriri në total. Pra, sipas pretendimeve të organit të akuzës, rezulton se është sekuestruar vetëm gjysma e sasisë së floririt të deklaruar nga policia e kryeqytetit. Të dhënat kontradiktore flasin po ashtu edhe për akuzat që rëndojnë ndaj dy vëllezërve Lamçe, duke qenë se arrestimi i tyre u krye për kontrabandimin e 200 kilogramëve flori, por që në fakt nuk është kështu, duke qenë se gjatë caktimit të masës së sigurisë ndaj tyre, gjykata e kryeqytetit i ka lënë në qeli ata vetëm për kontrabandën e rreth 33 kilogramëve flori të pazhdoganuar. Policia njoftoi pasditen e së mërkurës, se me anë të një operacioni të koduar “Ora e florinjtë”, ka sekuestruar 2 kuintalë flori në një banesë të rrugës “Vaso Pasha” në kryeqytet, në afërsi të ish-bllokut. Gjatë këtij operacioni u arrestuan edhe dy vëllezërit Astrit dhe Genci Lamçe, përkatësisht 45 dhe 38 vjeç, të cilët ishin duke punuar në punishten e tyre. “Në sajë të një hetimi intensiv 3-mujor me metoda speciale hetimore, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 2 kuintalë flori, dy shufra floriri, me peshë 1 kilogram secila, si dhe dy shuma të ndryshme parash prej 210 mijë eurosh dhe 1 milion e 500 mijë lekë. Shufrat e floririt dyshohet t’i jenë vjedhur Thesarit të Shtetit gjatë vitit 1997. Vlera e floririt të sekuestruar mund të arrijë në treg shumën e 1 milion eurove”, - bëri të ditur policia e kryeqytetit gjatë arrestimit të dy të dyshuarve. Por, të dhënat e tyre për sekuestrimin e rreth 2 kuintalë flori janë hedhur poshtë gjatë ditës së djeshme nga prokuroria, e cila është shprehur në gjykatë se dy të dyshuarve iu janë sekuestruar vetëm 109 kilogramë flori. Tashmë nuk dihet se cilat të dhëna janë të sakta, duke qenë se pretendimet e organit të akuzës me ato të policisë janë kontradiktore. Dhe nuk bëhet fjalë për devijime të vogla të dhënash, por për 100 kilogramë flori, që sipas policisë janë sekuestruar, ndërsa sipas prokurorisë nuk janë sekuestruar.

Dje është caktuar edhe masa e sigurisë ndaj dy vëllezërve Astrit dhe Genci Lamçe, të cilët u arrestuan katër ditë më parë nga policia e kryeqytetit, me një sasi floriri që tashmë mbetet e paqartë. Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për të akuzuarit, duke vendosur qëndrimin e tyre në qeli deri në përfundimin e hetimeve nga ana e organit të akuzës. Ndërkohë, gjatë caktimit të masës së sigurisë, dy vëllezërit deklaruan se nuk janë marrë me kontrabandë dhe për rrjedhojë hetuesit duhet të ndryshonin akuzën në evazion fiskal. Me gjithë pretendimet, gjykata pranoi kërkesën e prokurorit të Task Force, Ardian Braho, për lënien në burg, pasi sipas tij, dy të pandehurit kishin futur flori kontrabandë, për të cilin të akuzuarit nuk dispononin faturat e kërkuara. Prokurori u shpreh gjatë dhënies së masës së sigurisë se dy vëllezërit e kanë sjellë floririn nëpërmjet aeroportit të Rinasit dhe portit të Durrësit, me së shumti nga Italia, por edhe Turqia. Operacioni i koduar “Ora e florinjtë” dha për publikun të dhëna kontradiktore, ku përveç sasisë së kapur, u dyshua se ishte gjetur edhe flori i vjedhur i thesarit të Kërrabës në vitin 1997, teksa prokuroria pohoi gjatë ditës së djeshme se dy lingotat që u gjetën nuk janë aspak të Kërrabës, por mund të jenë të Bankës Kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›