E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mundësi të barabarta për romët e Evropës

Marek, një rom 16-vjeçar, nga Ostrava, në lindje të Republikës Çeke, është i papunë dhe mundësitë e tij për të gjetur punë janë të vogla. Sikurse shumë prej shokëve të tij romë, Mareku kishte mundësinë që të vijonte vetëm një shkollë të posaçme për fëmijë me aftësi të kufizuara për mësim. Kështu, pas kryerjes së nëntë viteve të një shkollimi të dobët, ai për shkak të mungesës së shkathtësive nuk ka qenë në gjendje të gjejë punë. Ndalesa e tij e ardhshme është Zyra për punësim për të marrë përkrahje në gjetjen e një vendi pune, derisa prindërit e tij marrin ndihma sociale edhe në emër të tij.

Tregimi i Marekut është i ngjashëm me atë të afro nëntë milionë romëve në Evropën Qendrore dhe në atë Lindore – qytetarëve më të varfër në kontinent. Në vendet e regjionit që gjithnjë e më shumë po shënojnë përparime, shumica e romëve mbesin të lënë anash – të përjashtuar nga përfitimet e zhvillimit, nga shërbimet publike dhe nga mundësia për të punuar dhe për të pasur një jetë dinjitoze. Njëkohësisht, me këtë Evropa privohet nga një fuqi punëtore e brendshme, e cila do të mund të përmbushte kërkesën për punë që tash përmbushet nga punëtorët e huaj.

Komisioni Evropian dhe presidenca franceze e BE duhet të përgëzohen për organizimin gjatë kësaj jave të samitit të romëve të BE në Bruksel, që ka për qëllim të shqyrtojë mundësitë se si Evropa mund të përmirësojë integrimin e romëve. Ne, qeveria e Çekisë, e cila do të marrë presidencën e BE nga Franca në janar të vitit të ardhshëm, dhe Banka Botërore i mirëpresin thirrjet nga mbarë BE për një politikë për integrimin e romëve në nivel të BE. Posaçërisht jemi të kënaqur për përfshirjen e vendeve që ende nuk janë anëtare të BE, siç janë ato të Ballkanit Perëndimor.

Samiti i kësaj jave duhet të bazohet në nismën e quajtur Dekada e përfshirjes së romëve, e cila u shpall në vitin 2005, si një forum për këmbimin e njohurive dhe për rishikimin kritik të përvojave ndërkombëtare në fushën e politikave me qëllim të krijimit të konsensusit për veprim në mbarë Evropën. Ofrimi i mundësive të barabarta për romët kërkon përkushtim politik, si dhe institucione dhe qasje funksionale për romët. Ne besojmë se një ndryshim i mirëfilltë do të materializohet vetëm atëherë kur çështja e mospërfshirjes së tyre të kalojë prej margjinave të debateve sociale drejt qendrës së politikëbërjes.

Si mund të marrin pjesë më shumë romët në prosperitetin në rritje të Evropës?

Së pari, duhet t’i kapërcejmë pengesat si burokratike, si edhe ato diskriminuese, që i mbajnë romët jashtë rrjedhave të përgjithshme shoqërore, duke u siguruar që politikat dhe shërbimet publike të jenë funksionale për romët. Politikat e arsimit, shëndetësisë dhe ato të punësimit duhet t’i shikojmë nga syri i përjashtimit të romëve, përndryshe projektet individuale do të jenë të efektshme vetëm në margjina.

Së dyti, romët kanë nevojë për shkathtësi që do t’ua mundësonin atyre të jenë pjesë e shoqërisë. Siç tregon edhe një studim i Bankës Botërore dhe i qeverisë së Çekisë, zyrat për punësim të Çekisë ende janë të papërgatitura për punësimin e romëve të përjashtuar nga shoqëria. Pengesat në këtë drejtim janë të shumta. Pothuajse gjysma e romëve që jetojnë në lokalitete të margjinalizuara, mezi dinë të shkruajnë apo të lexojnë dhe ndërkohë kërkesa për punëtorët me shkathtësi elementare në vend ka qenë shumë e ulët dhe është në rënie e sipër. Si rezultat i kësaj krijohet një mospërputhje që i lë romët jashtë në të ftohtë.

Së treti, prindërit duhet të stimulohen për t’i dërguar fëmijët e tyre në shkollë, siç ishte rasti i Marekut, derisa t’i fitojnë shkathtësitë e nevojshme për tregun e punës. Shumë vende në mbarë botën, duke filluar nga Meksika dhe Mbretëria e Bashkuar e deri te vendet si Nju-Jorku, kanë shfrytëzuar për këtë qëllim projektet për dhënien e kushtëzuar të parave të gatshme, përmes të cilave prindërve u jepet një ndihmë mujore financiare nëse fëmijët e tyre vazhdojnë të shkojnë në shkollë. Fëmijët përfitojnë duke vazhduar vijimin e mësimeve, ndërsa shoqëria përfiton duke krijuar një fuqi punëtore me shkathtësi më të mira. Është koha ta shqyrtojmë dobinë e kësaj qasjeje për romët në Evropë.

Në këtë drejtim po shihen sinjale premtuese. Fondi për shkollimin e romëve, që u themelua në vitin 2005, ka krijuar një njohuri të mirë për mënyrën se si më së miri të avancohet qasja e romëve në shkollim – duke filluar nga kopshtet e deri tek universitetet – kjo njohuri duhet të përdoret nga politikëbërësit e Evropës. Në Republikën Çeke, kohëve të fundit qeveria ka themeluar Agjencinë për përfshirje sociale, që do të punojë në nivel lokal për zhvillimin e shërbimeve të integruara për romët, duke kultivuar partneritete mes komunave, zyrave për punësim, shkollave, organizatave të shoqërisë civile dhe të tjerëve. Në këtë drejtim, vlerësimi i këtyre dhe i risive të tjera institucionale është thelbësor. Mirëpo, monitorimi se si po iu shkojnë punët romëve dhe vlerësimi nëse programet janë duke ndryshuar diçka në jetën e tyre kërkon qasjen e duhur në të dhëna. Fatkeqësisht, gjendja e tanishme e të dhënave është mjaft joadekuate për të monitoruar përparimet. Ne do të inkurajonim që një politikë evropiane për përfshirjen e romëve të adoptojë tregues dhe caqe të matshme, duke dhënë kështu një shtytje të fortë për grumbullimin, monitorimin dhe vlerësimin e të dhënave.

Për të bërë përparim në integrimin e romëve, udhëheqësit do të duhet të kenë gatishmëri politike, institucione të afta dhe njohuri të nevojshme gjatë viteve që po vijnë. Tanimë ekzistojnë mundësi për financime domethënëse nga fondet strukturale dhe të paraaderimit të BE, por përpjekjet në nivel të shteteve kanë qenë sporadike dhe të pakonsoliduara. Banka Botërore është e përkushtuar që të kontribuojë me ekspertizën e vet globale në hartimin e politikave të përfshirjes sociale në përkrahje të zgjidhjeve efektive të politikave.

BE është bashkim i vlerave të përbashkëta. Parimi i mundësive të barabarta për të gjithë paraqet thelbin e këtyre vlerave dhe Evropa është krenare që ka shkuar më tej se shumica e vendeve të tjera të botës në ofrimin e mundësive të barabarta për qytetarët e saj. Por, prapëseprapë e dimë se shumë romë në Evropë, sikurse Mareku, mbeten të lënë anash. Varet nga BE si tërësi, nga qeveritë, institucionet evropiane dhe qytetarët, që të punojnë drejt bërjes realitet të vlerës së përbashkët - mundësive të barabarta.

Džamila Stehlíková është ministre për të Drejta të Njeriut dhe Pakica e Republikës Çeke dhe Shigeo Katsu është nënkryetar i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›