Politikë me FMN në Tiranë
Qeveria shqiptare gjendet në një fazë euforike lidhur me buxhetin e saj. Ajo ka tejkaluar shifrën 4 miliardë euro dhe ka arritur të marrë deri në 700 milionë euro kredi tregtare nga bankat e nivelit të dytë me leje të FMN. Pas vitit 2009, ajo do të ketë nevojë për më shumë kredi, për shkak të kolapsit ku mund të futet përfundimi i rrugës Rrëshen-Kalimash, vonesat e pritshme në përfundimin e saj deri në qershor të vitit 2009, si dhe viti elektoral që do të duhet të rritë shpenzimet për të zbutur pakënaqësitë e disa shtresave. Për këtë arsye qeveria ka menduar realisht për të mos e ripërtërirë kontratën me FMN, duke e konsideruar vendin të mëkëmbur financiarisht dhe buxhetin të arsyeshëm dhe funksional. Por në të gjitha rastet ky është një vendim që do të merret nga politika dhe jo nga arsyet teknike pse FMN është në Shqipëri.
FMN i shërben qeverisë më shumë politikisht sesa teknikisht. Teknikisht, ne, mund dhe besoj, ia dalim ta vetëqeverisim buxhetin dhe skemën financiare, por mbështetja politike e FMN është një garanci e padukshme, që ndjehet vetëm kur nuk e ke. Është pak a shumë si prania e oksigjenit në një vend të izoluar, që ndjehet vetëm kur mungon dhe nuk shikohet kur ekziston. Nëse ne nuk e përtërijmë kontratën me FMN për arsye politike dhe nëse FMN e shikon këtë si një gjest armiqësor, qeveria do të ndëshkohet rëndë prej saj. Askush nuk e ndal dot FMN të bëjë deklarata politike, shpesh dhe të argumentuara me skandale të brendshme dhe në prag të zgjedhjeve kjo do t’i kushtonte shtrenjtë qeverisë. Për këtë arsye zhurma e opozitës për largimin e mundshëm të OSBE është e tepërt, pasi thjesht do ta bëjë qeverinë të mendohet mirë në këtë pikë. Është e rëndësishme që të verifikohet vullneti i qëndrimit të qeverisë ndaj FMN në mënyrë natyrale. Pra, është e rëndësishme të lëmë qeverinë të shprehet për këtë gjë. Duke u shprehur vetëm opozita dhe FMN, duket se jemi duke vënë qeverinë para një presioni, për të cilin ajo fare papritur mund të thotë se është fals, pasi s’ka ndërmend të largojë FMN.
Fakti që opozita thotë se FMN duhet të qëndrojë, ka rëndësi vetëm për faktin se ajo është një kandidate e mundshme për pushtet dhe në një vit elektoral ajo po e kthen në alternativë të kundërt me qeverinë qëndrimin ndaj FMN. Pra, nëse qeveria dhe FMN nuk e rinënshkruajnë kontratën në janar, dhe opozita vjen në pushtet në qershor, do të thotë që në shtator ne të rishkruajmë marrëveshjen me FMN, çka e bën shumë politik problemin dhe shumë tendencioz qëndrimin e qeverisë ndaj saj. Në këtë mënyrë prezenca e FMN kthehet në objektiv elektoral të dy kampeve dhe besoj se qeveria nuk do ta dëshirojë këtë gjë.
Tendenca e saj për ta larguar misionin është në të njëjtën frymë me tendencën për të larguar OSBE dhe justifikimi qëndron në faktin se vendi është i stabilizuar dhe nuk ka nevojë për prezencë ndërkombëtare. Ata dhe mund të kenë të drejtë parimisht, por koha kur kërkojnë ta bëjnë këtë është kundër saj. Ato janë misione që kanë ardhur me konsensus dhe do të largohen me konsensus. Ato nuk janë misione, për të cilat mund të vendosë vetëm Berisha apo vetëm Rama. Dhe pikërisht pse Berisha po tenton të vendosë i vetëm për to, mund t’i kthehet në një problem të rëndë politik, që mund ta dëmtojë më rëndë në zgjedhje sa gjithë problemet e tjera që ka prodhuar për katër vite.