E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi: Kartat e reja të anëtarësisë pa firmë kryetari

 

Kryetari i “PS‘91", Petro Koçi ka bërë publike disa nga karakteristikat mbi të cilat do të funksionojë partia më e re socialiste. “Parimi kryesor i ndërtimit dhe funksionimit të ‘PS’91’ do të jetë institucionaliteti, d.m.th., rregullshmëria e pacenueshme në organizim dhe vendimmarrje. Ne po rivendosim legjitimitetin statusor në jetën politike të socialistëve, legjitimitet i shkatërruar nga teknologjia Berisha në proceset organizative të PS-së”, tha dje Koçi. Sipas tij, organizimi i partisë që ai drejton po nis në atë pikë, ku u injorua nga kreu aktual i PSSH-së, Edi Rama. “Prandaj e rifillojmë ngritjen e sistemit tonë organizativ aty ku Rama rrëzoi institucionalitetin.
Kartat e anëtarësisë të lëshuara para rënies së rregullit statusor në PS, do jenë të vlefshme në partinë tonë të re, ndërsa kartat e reja do kenë simbolin tonë tradicional, por jo me firmë kryetarësh”, tha Koçi. Por PS’91 mendon që në krye të degëve të saj në rrethe të vendosë njerëz jo të sapo pranuar në parti. “Kryetarët e PS ‘91 në rrethe duhet të plotësojnë kriterin e anëtarësisë të paktën 3-vjeçare në PS, ndërsa anëtarët e Gjykatës statusore duhet të kenë qenë të paktën 5 vjet anëtarë në PS”, tha Koçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›