Rama: Berisha gënjeshtar, do e kishte zili edhe Kastro
Aristir Lumezi
Kryetari socialist Edi Rama, i është përgjigjur menjëherë deklaratave të Kryeministrit Berisha të një dite më parë përmes një konference për shtyp. Rama e krahasoi fjalimin e kryeministrit me atë të kreut të Kubës, Fidel Kastro. “Dje në orët e darkës kryeministri hyri direkt në shtëpitë e shqiptarëve me një konferencë shtypi, që do ta kishte pasur zili edhe Fidel Kastro, qoftë për nga ora e zgjedhur, qoftë për nga kohëzgjatja e jashtëzakonshme dhe qoftë për nga thellësia e hendekut ndarës mes atyre, që Sali Berisha tha dhe realitetit të keqqeverisjes së tij”, u shpreh Rama. Sipas kreut socialist, kryeministri Berisha me këtë konferencë gënjeu të gjithë shqiptarët. Duke e cilësuar “turp të Botës”, sipas kryesocialistit, Kryeministri tha një lumë gënjeshtrash për shifrat rreth korrupsionit dhe arritjeve të qeverisë. “Sali Berisha gënjeu hapur. Ai u përpoq që të kapej pas shifrash dhe faktesh për të mbuluar me tym faktet e vërteta të jetesës së përditshme të qytetarëve. Berisha u tall mbrëmë me 104 mijë punonjës buxhetorë, duke gënjyer për rritjen e rrogave. Rritje të cilën ua merr me taksën e sheshtë, dhe me rritjen e çmimeve të çdo produkti në dyqane. Ua merr me librat, analizat dhe ilaçet që nuk gjenden kurrë në shkolla apo spitale”, tha Rama duke shtuar se pjesë e listës së gënjeshtrave të Berishës janë bërë edhe arsimtarët, mjekët, pensionistët. Rama mbrojti faktet e tij duke shtuar se “shifrat nuk janë marrë nga listat e statistikave të deformuara nga Berisha, por nga fakte të jetës së përditshme ekonomike të shqiptarëve dhe shqiptareve. Ja kjo është Shqipëria e arritur e Sali Berishës”. Duke sjellë shifra për rritjet reale të pagave dhe pensioneve të kategorive të ndryshme shoqërore dhe profesionale, Rama është munduar të përgënjeshtrojë shifrat e paraqitura nga kryeministri Berisha si arritje të qeverisë që ai drejton. Dy ditë më parë, kryeministri Berisha vlerësoi raportin e Transparency International. Sipas tij, “Transparency International e vlerësoi Shqipërinë në grupin e 10 vendeve me suksesin më të madh për vitin 2008 në luftën kundër korrupsionit”. Berisha bëri të ditur se qeveria që ai drejton ka bërë hapa përpara në luftën kundër korrupsionit. Kreu i qeverisë nënvizoi se gjatë qeverisjes së tij janë ulur taksat, janë rritur pagat për çdo kategori punonjësish. Sipas kryeministrit, beteja me korrupsionin është qëllimi i tij si kryetar qeverie dhe si hap kryesor për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.