E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Berisha u bëri shantazh me pranga prokurorëve

 

Kryetari i LSI-së duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit Berisha bërë gjatë konferencës së tij të dielën në mbrëmje, i kërkoi forcave politike të mos bashkëpunojnë me të për pseudoreforma. “I kërkojmë të gjithë forcave të vërteta opozitare që të reflektojnë, që në vend që t’i ofrojnë bashkëpunim Sali Berishës për pseudo-reformën në drejtësi, të pozicionohen qartë në mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit, dhe të heqin dorë nga lojërat e dyfishta të bëra deri tani”, u shpreh Meta. Sipas tij, “kryeministri i vendit Sali Berisha në një shou të shëmtuar televiziv në orët e vona të mbrëmjes, u përpoq t’i bindte shqiptarët se Qeveria e tij ka luftuar korrupsionin gjoja me efikasitet”. “Monologut të tij të gjatë televiziv, që pati shumë demagogji dhe retorikë, i mungoi pikërisht përgjigjja ndaj kryengjarjes të korrupsionit në Shqipëri e përtej saj, aferës së zezë të Gërdecit”, tha Meta. Sipas Metës, Berisha u përpoq të frikësonte prokurorët me heqje imuniteti dhe deri me pranga. “Dje Sali Berisha u përpoq të frikësonte prokurorët me heqje imuniteti dhe deri me pranga. Ai nuk e fshehu dot pa përmbajtjen e tij për të qenë në kontroll të plote te sistemit gjyqësor, që me Kushtetutë është një pushtet i pavarur. Ai mori pozat e një kryeakuzuesi, ndërkohë që vetë ai është i akuzuari i madh i shqiptarëve”, theksoi kreu i LSI. Sipas Metës, kryeministri Berisha është fuqizuar në veprimet e tij uzurpatore falë ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. “Qëllimeve të tij uzurpatore ndaj drejtësisë dhe gjyqësorit, i shërbejnë një numër ndryshimesh antikushtetuese ligjore, të cilat ai i ka realizuar për fat të keq, jo vetëm me maxhorancën e tij, por fatkeqësisht, edhe me votat e Partisë Socialiste. Edhe P/ligji që është paraqitur së fundmi “Për administratën gjyqësore”, sipas të cilit i jepen kompetenca të plotfuqishme kancelarit dhe sekretarëve në gjykata, ka qëllime të qarta për të mbërthyer e kontrolluar me mekanizma administrative dhe qeveritare, pavarësinë e sistemit të organeve të drejtësisë”, tha Meta. Sipas tij, “ky qëllim antikushtetues e ka origjinën e tij pikërisht në miratimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”, që i vendos shërbimet administrative të gjykatave në vartësi të ekzekutivit, duke cenuar kështu rëndë parimin kushtetues të pavarësisë organizative, funksionale dhe financiare të gjykatave”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›