E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata e dëmshme

Korporata Energjetike e Kosovës edhe pas shumë vjetësh nuk e sheh të arsyeshme ti bëjë publike kushtet e kontratës që ka me ndërmarrjen Ferronikeli. Sipas gjendjes së para katër vjetëve në tregun e energjisë, blerësi Alferon kishte arritur të kontraktoj furnizim afatgjatë me rrymë elektrike katër herë më lirë se çmimet me të cilat e importonte KEK-u. Por, edhe atëherë kontrata mbeti konfidenciale. Edhe pse ajo është e dëmshme, në KEK këmbëngulin se nuk do të publikohet. Por, pranon se kontrata është e imponuar.

Me këtë kontratë KEK-u nuk është pajtuar asnjëherë, por ka qenë e imponuar, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala.

Buzhala ka theksuar se Ferronikeli është shpallur si konsumator i privilegjuar.

Përmbajtjen e saj nuk mund ta bëjmë të ditur pa miratimin e Ferronikelit për shkak të termave të konfidencialitetit që janë në kontratë, ka thënë Buzhala.

E, në anën tjetër, nga Ferronikeli, thuhet se nuk mund jepen detaje dhe se kjo është përgjegjësi e KEK-ut.

Këtë pyetje duhet tia drejtoni KEK-ut, ka thënë Arten Bajrushi, menaxher në Ferronikel.

Furnizuesi i vetëm me energji në vend, KEK, pa ndërprerje u jep rrymë të gjithë konsumatorëve të privilegjuar dhe atyre në kategorinë A+. Sipas Buzhalës, kjo ndarje bëhet vetëm për konsumatorët komercialë dhe konsumatorët e ndjeshëm, që ndihmojnë ekonominë e vendit dhe veçanërisht zhvillimin e bizneseve.

Megjithatë, zyrtarë të KEK-ut më herët patën pranuar se kategoria A+ së bashku me konsumatorët industrialë kërkojnë rrymë 100 megavat për orë. Ndërsa vetëm Ferronikeli në bazë të kontratës ka të drejtë që në çdo kohë të kërkojë 80 megavat. Në total nga këto dy kategori shpenzohen 150 megavat.

Sipas Buzhalës, kjo ndërmarrje aktualisht nuk është duke i shpenzuar gjithë megavatët e kontraktuar. Jo, nuk po shpenzon sa ka mundësi, por është afër limitit, ka thënë ai.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për ekonomi, tregti, energjetikë.., Myzejene Selmani, ka thënë se kontrata mes KEK-ut dhe Ferronikelit duhet të rishikohet.

KEK-u në të njëjtën kohë merr pare prej buxhetit të Kosovës, e në anën tjetër ia fal ato një kompanie. Dikush duhet të japë përgjegjësi, thotë Selmani.

Sipas saj, paret e qytetarëve po shkojnë në një kompani private.

Arten Bajrushi, menaxher në Ferronikel, ka thënë se aktualisht kompania prodhon me kapacitete të plota.Po prodhojmë me dy furra. Normalisht, kur prodhojmë me kapacitete të plota, rriten edhe kërkesat për rrymë, ka thënë ai.

Korporata Energjetike e Kosovës është furnizuesi i vetëm me energji në vend. Përkundër investimeve që nga paslufta, KEK-u nuk ka arritur ta marrë veten plotësisht. Dhe, më gjithë ngarkesat, një pjesë e madhe e energjisë shkon për konsumatorët e privilegjuar që shpenzojnë shumë rrymë.

Po të kishte burime të tjera, do ta merrnim rrymën prej tyre. Po ashtu, nëse dikush na ofron me çmim me të lirë, pse jo, thotë Bajrushi.

Ndërkaq, deputetët e Kuvendit edhe më herët e kishin ngritur këtë çështje në Kuvend, duke kërkuar që kjo kontratë të rishikohet. Blerësi i kompanisë në Drenas para se të nënshkruaj kontratë me ish AKM-në kishte kërkuar garanci për furnizim me rrymë elektrike dhe ka diktuar kushtet e kontratës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›