E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për BE, Kosova si Kusht

Ish-Emisari i OKBsë në bisedimet për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, ka deklaruar se shtetet që duan të anëtarësohen në Bashkimin Europian, duhet paraprakisht të njohin pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për gazetën spanjolle El Mundo, ish-Presidenti finlandez ka thënë se para anëtarësimit në BE, Kosovën në veçanti duhet ta njohin shtetet e Ballkanit, duke iu referuar Serbisë dhe Bosnjës, të vetmet shtete në rajon që kundërshtojnë shtetin e ri.

Nuk është mirë të sillet në Bashkimin Europian asnjë shtet që ka probleme me fqinjët, por vetëm ato shtete që kanë bashkëpunim. Nuk duam sfida të reja sepse kemi mjaft,ka thënë ai.

E përditshmja spanjolle shkruan se Ahtisaari është babai i pavarësisë së Kosovës, dhe se ish-kryenegociatori është i kënaqur me përparimin që ka bërë Kosova gati dy vjet pas shpalljes së pavarësisë.

El Mundo shkruan se Ahtisaari po ia ngreh veshët Spanjës dhe Greqisë, të cilat, si dy anëtare të vjetra të BEsë, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe konsideron se kjo është shumë për keqardhje dhe shpreson që ky qëndrim do të ndryshohet.

Edhe serbët duhet të kuptojnë këtë fakt të pamohueshëm, sepse jemi në shekullin 21 dhe nëse një qeveri vepron si ajo e Milosevicit në vitet 90, e humb të drejtën për qeverisje, citohet të ketë thënë Ahtisaari.

Fituesi i çmimit Nobel për Paqe ka përsëritur se, Kosova është rast i veçantë.
Ai ka folur për dhunën e regjimit të Milosevicit në Kosovë.

Milosevici ka dëbuar nga puna shqiptarët, ka dërguar ushtrinë kundër tyre, gjë që ka nxitur rezistencën ushtarake të shqiptarëve dhe intervenimin e bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë Ahtisaari.

Spanja, një nga pesë vendet e BEsë që ende nuk e ka njohur Kosovën, qëndrimin kundërshtues e arsyeton me vlerësimin se rruga e pavarësimit të Kosovës mund të ndiqet nga territore separatiste në botë. Në Spanjë ka grupe etnike që kërkojnë pavarësi.

Në çdo rrethanë (Kosova) është rast i veçantë, i cili nuk duhet të brengosë spanjollët dhe nuk paraqet kurrfarë precedenti. Kjo nuk mund të zbatohet në situata të tjera në botë, ka theksuar ish-Emisari i Kombeve të Bashkuara.

Sipas vlerësimit të Ahtisaarit, nuk është legjitime ajo që ka bërë Moska kur është në pyetje Osetija, një territor separatist i Gjeorgjisë.

Në këtë intervistë, ish-Presidenti finlandez ka folur gjerësisht për të arriturat e shtetit të ri.
Kosova ka përparuar, ka hyrë në institucione ekonomike ndërkombëtare dhe mund të bëhet furnizues i rajonit me energji elektrike, megjithëse nevojiten disa vjet që të shihen frytet e investimit, ka thënë ai.

Gjatë bisedimeve rreth statusit të Kosovës, Ahtisaari ka shkuar personalisht në Bankën Botërore dhe ka kërkuar të njoftohet se a mund të qëndrojë ekonomikisht Kosova si shtet i pavarur. Aty ka marrë të dhëna për potencialin ekonomik të Kosovës.

El Mundo shkruan se Ahtisaari pranon se në Kosovë ka korrupsion, por tërheq vërejtjen se para se të kritikohet Kosova, për këtë duhet të pranohet se edhe shoqëritë tona perëndimore nuk janë të pastra.

Lidhur me bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, Ahtisaari ka thënë se ajo është përmirësuar sepse njerëzit kanë filluar të pranojnë se është e domosdoshme të integrohen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›