E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata pune për tre të doktoruar në universitetet perëndimore

Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, ka vendosur dje nënshkrimin e kontratave të punës për tre të doktoruar në universitete perëndimore, pa kaluar procedura të mëtejshme. Rektori Kule deklaroi se kjo është një shenjë e mbështetjes që i jep Universiteti i Tiranës ekselencës së re. "Tre kolegët e rinj që prej ditës së sotshme janë pjesë e Universitetit të Tiranës kanë treguar aftësi të veçanta akademike. Ata kanë përfunduar studimet në universitete prestigjioze të huaja, prej nga kanë marrë edhe PHD. Për këtë arsye, unë kam vendosur, në shenjë mbështetjeje për ekslenencën shqiptare, punësimin e tyre të menjëhershëm dhe pa procedura të mëtejshme në stafin pedagogjik të Universitetit të Tiranës", - deklaroi rektori Kule. Mbështetjen për tre pedagogët e rinj shprehën edhe përgjegjësit e departamenteve të Kirurgjisë, të së Drejtës Penale dhe Sëmundjeve të Zemrës, ku do të punojnë tre doktorët. Doktorët e sapoemëruar në radhët e Universitetit të Tiranës janë Arvin Dibra, Alban Dibra dhe Sokol Mëngjesi. Arvin Dibra ka përfunduar studimet universitare në Universitetin "La Sapienza" të Romës dhe ka mbrojtur doktoraturën në Universitetin "Tor Vergata" në Itali për kirurgji. Alban Dibra ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas ka përfunduar studimet pasuniversitare në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Piza, në Itali. Sokol Mëngjesi ka përfunduar studimet universitare, pasuniversitare dhe doktoraturën në Universitetin Demokritus të Trakës në Greqi. Aktiviteti u zhvillua në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, në prani të drejtuesve të departamenteve të Mjekësisë dhe Drejtësisë, ku do të punojnë tre pedagogët e rinj të UT-së, si edhe në praninë e pedagogëve të tjerë të rinj të Universitetit të Tiranës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›