Berisha tek 7 Marsi: Arsimim dhe strehim për romët
Qeveria do të bëjë përpjekjet maksimale për shkollimin dhe strehimin e romëve. Kryeministri Berisha, në kuadër të ditës ndërkombëtare të popullsisë rome, vizitoi dje, shkollën 7 Marsi në kryeqytet, në të cilën janë hapur klasa të posaçme, ku mësojnë fëmijë romë, të moshave të ndryshme, që nuk kanë frekuentuar asnjëherë shkollën. Pasi vizitoi disa mjedise ku zhvillohet mësimi, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të Tiranës, si dhe pjesëtarë të stafit pedagogjik, u takua dhe bisedoi me nxënësit romë. Kryeministri u shprehu nxënësve gatishmërinë e qeverisë, për të bërë përpjekjet maksimale, që ata të shkollohen në kushtet më moderne e bashkëkohore. Kryeministri Berisha e cilësoi shumë të rëndësishëm rolin e Ministrisë së Arsimit, ne aspektin e shkollimit, si kusht themelor që kjo shtresë e shoqërisë të çlirohet njëherë e përgjithmonë, nga pasojat e varfërisë dhe veçimit të trashëguar. Duke qëndruar tek shkollimi, si investimi më imediat për këtë shtresë, Kryeministri tha se Ministria e Arsimit duhet të krijojë çdo lehtësi që këta fëmijë të ndjekin shkollën, që përfshin si pajisjen me libra e mjete të tjera mësimore, po ashtu dhe lehtësira për sa i përket ushqimit. Ne i kemi të gjitha mundësitë. Zoti ministër i Arsimit, duhet ta ndërmarrim një program ushqimor për të gjithë fëmijët romë që ndjekin shkollën. Një projekt i tillë duhet të shtrihet në të gjitha rrethet, në mënyrë që shkollën dhe ndjekjen e saj tua bëjmë më të lehtë. Sot ne kemi rrethe siç është Lezha, ku të gjithë fëmijët romë ndjekin shkollën, po kështu Korça, Fieri ka bërë progres të madh, por në krye të tyre duhet të qëndrojë Tirana, në krye të kësaj përpjekje për shkollimin tuaj duhet të jetë Tirana dhe unë ju garantoj se Ministria e Arsimit, Drejtoria Arsimore, drejtoritë e shkollave, mësuesit do të bëjnë gjithçka që të gjithë vëllezërit dhe motrat tuaja, shokët dhe shoqet tuaj atë ulen në bankat e shkollës, të mësojnë të shkollohen dhe të mund të ndërtojnë jetën shumë më mirë dhe në kushtet që e meritojnë. Kryeministri thekoi se kjo ditë është një ditë apeli për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe për të gjithë shqiptarët, që të mund të japin kontributin e tyre. Kryeministri u shpreh se përveç shkollimit, edhe strehimi e punësimi i tyre zënë një vend të veçantë në masat e qeverisë për ti ardhur në ndihmë këtij komuniteti. Kështu Kryeministri tha se qeveria po ndërmerr hapa konkrete për strehimin e tyre, në zonat ku ky komunitet është më i përqendruar. Duke u ndalur tek punësimi, Kryeministri kërkoi nga pushteti vendor një angazhim më të madh, për të konsideruar me përparësi punësimin e tyre. Gjithashtu, Kryeministri kërkoi nga institucionet kredidhënëse, që me përparësi të kreditojnë biznesin rom. Qeveria ka marrë dhe po merr masa të mëdha për strehimin e tyre dhe në zonat kur komuniteti rom është më i pranishëm, ne kemi dërguar dhe dërgojmë investime për strehimin e tyre. Ne do përpiqemi të ndihmojmë për punësimin e tyre. E vërteta është që problemet e tranzicionit ky komunitet i përjetoi më dhimbshëm se të gjithë të tjerët. Është edhe detyrë e të gjithë qeverive vendore të konsiderojnë me përparësi punësimin e tyre. Unë do tu kërkoj të gjithë institucioneve kredidhënëse që me përparësi të kreditojnë biznesin e vogël rom, duhet të bëjmë çdo përpjekje që zonat e tyre të kenë një urbanizmi të plotë, - deklaroi z. Berisha. Në përfundim, Kryeministri Berisha shpërndau dhurata për nxënësit.