Rama, romëve "Jeni një pasuri e kulturës së qytetit tonë"
Dje në ditën e romëve kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka cilësuar këtë komunitet si një popullsi me vlera të padiskutueshme dhe një pasuri të madhe të kulturës së këtij qyteti. Dua ti siguroj se Bashkia e Tiranës do të bëjë gjithçka mundet për të qenë pranë tyre, për ti ndihmuar edhe më shumë, që të marrin pjesë në proceset e edukimit, qoftë duke shkuar në shkollë, qoftë nëpër kurset që ne kemi organizuar enkas, qoftë edhe në të gjithë aktivitetet ku ne duam që të jeni pjesë, së bashku me të gjithë fëmijët e tjerë të kryeqytetit, - tha Rama Të gjithë në një shoqëri ishte slogani i kësaj dite, që përçoi diversitetin e komunitetit rom, përmes një defileje të kulturës dhe traditës të tyre si dhe performancës artistike në këtë aktivitet. Po ashtu u prezantuan veshje tradicionale rome, himni rom, këngë më tipike rome, valle, vegla muzikore si dhe pjesë teatrale në lidhje me të drejtat e këtij komuniteti, prezantime të simboleve etj. 550 fëmijë e të rinj të shkollave 9-vjeçare të qyteti, fëmijë që marrin shërbime në qendrat sociale ditore të organizatave, prindër e gjyshër ndoqën performanca ndër më të veçantat të fëmijëve të komunitetit rom, të prezantuara në paradën e kulturës. Në këtë aktivitet u përcollën mesazhe për më shumë vëmendje, akses në edukim, shëndetësi, shërbime sociale, shanse të barabarta, integrim dhe përfshirje për fëmijët, të rinjtë e komunitetit rom.