E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u revolucionarizua kultura sipas modelit rus

Gazeta “Bashkimi” rrëfen mënyrën e përhapjes masive të kulturës. Vetëm në vitin 1957 parashikohet ndërtimi i 170 objekteve kulturore
TIRANË - Bashkë me zhvillimin e ekonomisë në vendin tonë, po bëhet një punë e madhe për ngritjen e nivelit kulturor dhe për një jetë më të gëzuar të masave punonjëse të qytetit dhe të fshatit. Me ndihmën e partisë dhe të qeverisë, punonjësve tanë u janë krijuar kushte të mira që pas punës të edukohen dhe të dëfrejnë. Institutet kulturore të qytetit dhe të fshatit, e kryejnë gjithnjë më mirë detyrën e rëndësishme që u është besuar për edukimin ideopolitik e kulturor si dhe për çlodhjen e punonjësve tanë. Me qindra shtëpi popullore leximi janë ngritur sot në fshatrat tona, numri i kinemave, i theatrove, estradave shtëpive të kulturës dhe krijimtarisë popullore, i klubeve, i parqeve, bibliotekave, po shtohet vit për vit. Nga 400 fshatra e kooperativa bujqësore kanë sot shtëpi popullore leximi. Vetëm vitin e shkuar u hapën rreth 50 shtëpi popullore leximi dhe sivjet do të çelen 50 të tjera, do të funksionojnë 80 kinema, 12 theatro profesioniste, 16 shtëpi kulture, 12 biblioteka dhe 10 muzeume. Puna kulturale-artistike me masat do të zgjerohet me anë të formave të ndryshme. Për nder të 40-vjetorit të Revolucionit të madh socialist të Tetorit në qytetet dhe fshatrat tona do të zhvillohet një veprimtari e gjerë kulturale-artistike. Qyteti do të ndihmojë fshatin, duke dërguar brigada kulturale e artistike për edukimin dhe argëtimin e fshatarëve. Të gjitha këto institute kulturale në qytet dhe në fshat si dhe veprimtaria e tyre lozin një rol me rëndësi për ngritjen kulturale të punonjësve. Revolucioni kultural që po kryhet sot tek ne, mbështetet në zhvillimin ekonomik të Republikës tonë, në rritjen e veprimtarisë politike dhe të punës të vetë masave punonjëse. V. I. Lenini, duke bërë fjalë mbi zhvillimin e revolucionit kultural, ka thënë: “Askund masat popullore nuk janë kaq të interesuara për kulturën e vërtetë sesa tek ne, askund çështjet e kulturës nuk shtrohen kaq thellësisht dhe kaq në mënyrë konsekuente sesa ndër ne”. Duke u mbështetur në mësimet dritëdhënëse të Leninit Partia jonë i jep një rëndësi të veçantë edukimit dhe dëfrimit të punonjësve tanë, me qëllim që këta të bëhen ndërtonjës të aftë për ngritjen e mirëqenies dhe të përparimit shoqëror. Në vendimin e K.Q. të Partisë të muajit prill 1955, mbi punën ideologjike të partisë dhe masat për përmirësimin e saj, aty ku flitet mbi lëvizjen kulturalo-artistike të amatorëve, ndërmjet të tjerash thuhet: “Kjo të shërbejë për të mbajtur gjallë traditat e popullit, për të edukuar masat, për t’u krijuar atyre një atmosferë gëzimi në punë dhe në jetë”. Duke patur parasysh mësimet e Partisë tonë dhe veçanërisht detyrat që shtroi Kongresi i Tretë i Partisë, institutet kulturale të qytetit dhe të fshatit dhe punonjësit që i drejtojnë këto përpiqen të zhvillojnë një punë të mirë për edukimin dhe çlodhjen e punonjësve. Shëmbëlla të një pune mjaft të mirë të shtëpive popullore të leximit në fshat ose të instituteve të tjera të qytetit ka plot. Të tilla janë shtëpia popullore e leximit në fshatin Progër të Korçës, Verrisë në Fier e mjaft të tjera. Shumë shtëpi popullore të leximit punojnë në mënyrë të organizuar në fshat e kooperativa bujqësore. Në bazë të planeve të tyre të punës, shtëpitë popullore të leximit në fshatra e kooperativa bujqësore organizojnë aktivitete kulturale e artistike; çelin ekspozita, mbajnë leksione me tema politike, shkencore e kulturale, organizojnë mbrëmje dëfrimi, ndeshje sportive, shfaqje artistike, recensione librash dhe shumë lloje të tjera aktivitetesh. Këtë punë ata e bëjnë në ndërtesën e tyre, në brigada, në skuadra, sektorë, aty ku punojnë e pushojnë, në ditët dhe orët e lira. Në këtë veprimtari të madhe, marrin pjesë shumë fshatarë dhe kooperativistë, rinia dhe inteligjenca e re e fshatit, arsimtarët, teknikët bujqësorë, nxënësit, brigadierët, delitantët e grupeve artistike e shumë të tjerë. Fshatarët e çmojnë çdo ditë e më tepër se duhet të ngrenë nivelin e tyre kultural, se pas punës duhet të çlodhen e të dëfrejnë. Ata e çmojnë gjithnjë më shumë se duke u çlodhur pas punës, duke lexuar libra, duke marrë pjesë në konferenca, mbrëmje argëtimi e e aktivitete të tjera, është në dobinë e tyre sepse në këtë mënyrë përtërijnë forcat për punë, bëjnë një jetë më të gëzuar, po është e nevojshme që këtë çlodhje ta bëjnë rregullisht e në mënyrë të organizuar. Në të vërtetë një gjë e tillë nuk bëhet në çdo fshat dhe kjo ndodh se shumë fshatra shtëpitë popullore të leximit nuk kryejnë një punë sistematike, po bëjnë një punë me hope, vetëm në raste fushatash politike, si festa e festivale dhe ndonjë fushatë ekonomike, duke e përqendruar aktivitetin e tyre në leksione, duke çelur një fotoekspozitë, ose duke zhvilluar një aktivitet artistik fare të vogël e pa program. Në këtë mënyrë, në këto fshatra e kooperativa jeta bëhet monotone, fshatarët venë e vijnë nga shtëpia në fushë e anasjelltas, shkurt punonjësit e këtyre fshatrave nuk dëfrejnë, nuk çlodhen, nuk përfitojnë sa duhet nga kushtet që u ka krijuar Partia në fshat. Një punë të tillë të dobët bëjnë shtëpitë popullore të leximit në fshatrat e rrethit të Tiranës, shtëpia popullore e leximit në fshatin Dhivër të rrethit të Delvinës etj. Gjithashtu ka raste që ndërtesat e shtëpive popullore të leximit kthehen në depo, rrinë mbyllur dhe ka kryesi të kooperativave që nuk interesohen që nuk interesohen fare për pajisjen e tyre, për shpenzimin e fondeve të caktuara për punën kulturale në kooperativa. Edhe institutet kulturale të qytetit dhe grupet artistike e kulturale të qendrave të punës nuk e ndihmojnë sa duhet fshatin ose shkojnë rrallë edhe në fshatrat afër qytetit. Këto institucione duhet të kenë parasysh porosinë e Partisë që të paktën gjysmën e aktivitetit të tyre ta zhvillojnë në fshat. Masat tona punonjëse të fshatit po i kryejnë çdo ditë më mirë detyrat për realizimin e planit, për zhvillimin ekonomik të fshatit, por ato kanë nevojë të ngrenë edhe nivelin kultural, të argëtohen, të çlodhen. Përmirësimi i kushteve materiale në fshat nuk mund të ndahet nga ngritja kulturale e fshatarëve, nga argëtimi e dëfrimi i tyre. Kush punon ka nevojë edhe të mësojë, të çlodhet të dëfrejë dhe këtë çlodhje shtëpitë popullore të leximit dhe arsimtarët duhet ta organizojnë mirë në bashkëpunim me organizatat e masave dhe me gjithë aktivin që kanë krijuar rreth tyre. Zhvillimi i gjithanshëm i jetës kulturale në fshat është çështje e pa ndarë e ndërtimit të socializmit në vendin tonë.

Shkrimi është botuar në gazetën “Bashkimi” më datë 27 mars 1957
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›