E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më të mirët e albanologjisë

Qendra e Studimeve Albanologjike organizon për herë të parë një konkurs për studimet më të mira në pesë vitet e fundit

Për herë të parë organizohet konkursi për veprën më të mirë albanologjike. Iniciativa e Qendrës së Studimeve Albanologjike ka për qëllim paraqitjen e këtij kontributi jo vetëm në radhët e studiuesve por edhe tek një publik më i gjërë.

Nga përzgjedhja e asaj që është botuar këto pesë vitet e fundit, do të paraqitet më 18-19 dhe 20 dhjetor në Hotel Tirana një panoramë e ngushtë e veprave dhe autorëve në fushat e letërsisë, gjuhësisë, historisë, arkeologjisë dhe etnologjisë. Janë 28 të tilla me autorë studiues të huaj dhe shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Veprat e këtyre profileve konkurrojnë për tre çmime: autori më i mirë shqiptar, autori më i mirë i huaj dhe vepra më mirë nga një grup autorësh.

Kriteri i vetëm i pranimit në këtë konkurs ishte aktualiteti i lëndës studimore, thënë ndryshe, që të jenë së paku botime të pesë viteve të fundit. Koordinatori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Prof.Dr Kolec Topalli, njëherësh koordinator përgjegjës për konkursin në fjalë, shpjegon se kjo ngjarje ka një strukturë të ndryshme nga ato që funksionojnë në të tilla konkurse. Nuk ka një juri specialistësh që do të gjykojë dhe vlerësoje veprat. Janë vetë autorët pjesëmarrës që do të votojnë punët e njëri-tjetrit. Ai thotë se kjo skemë është vendosur për të evituar vlerësimet subjektive dhe “ndërhyrjet e miqve”.

Gjatë dy ditëve të konkursit do të paraqiten shtatë vepra për çdo fushë të cilat janë cilësuar si më të mirat nga institutet përkatëse, të antropologjisë, të arkeologjisë, të historisë dhe gjuhësisë.

Në sesionin e kërkimeve gjuhësore paraqiten vepra të studiuesve të njohur si “Studime krahasuese për shqipen” e autorit Eric Hamp, “Studies of Albanian and other Balkan Languages” nga Victor Friedman etj. Në fushën e kërkimeve letrare dhe kulturore “Mendimi letrar shqiptar 1939-1944” i autorit Enver Muhametaj, “Albanian literature: A short history” i Robert Elsie-t etj.

Çdo autor ka në dispozicion 40 minuta kohë për të prezantuar veprën. Prof. Topalli shpjegon se gjatë këtij minutazhi është përcaktuar që çdo autor të flasë rreth 20 minuta për studimin e tij. Pastaj është recenzenti ai që bën opononentin nëpërmjet një vështrimi kritik. Në fund u lihet vend edhe pyetjeve që mund të kenë të pranishmit mbi këtë veprën dhe autorin e saj.

Në ditën e tretë bëhet ndarja e çmimeve. Sipas prof. Topallit, një nga kushtet e konkursit është prezenca e vetë autorëve, pasi paraqitjen e studimit mund ta bëjë vetëm autori. Kjo ka anët pozitive dhe negative. Emra të njohur që kanë kontribuar me studimet e tyre si historianët Bernd Fischer dhe Noel Malcom, Robert Elsie, Eric Hamp etj, do të jenë të pranishëm gjatë “ditëve të garës albanologjike”.

Por ka edhe vepra të cilat që kanë humbur të drejtën e pjesëmarrjes për shkak se autorët e tyre nuk mund të jenë në Shqipëri. I tillë është rasti i veprës “Gjurmime filologjike për letërsinë e vjetër arbëreshe” i Mateo Mandala.

“Ky konkurs është fryt i riorganizimit të tërë punës shkencore. Në prill të 2008-ësu krijua Qendra e Studimeve Albanologjike. Ajo mori përsipër organizimin e punës në të gjitha institutet studimore, të gjuhësisë dhe letërsisë, të historisë, arkeologjisë dhe të kulturës popullor dhe arteve“,- shprehet koordinatori i QSA-së, Kolec Topalli.

Ai shton se ky konkurs synon të krijojë një traditë. Por meqenëse studimet albanologjike janë fryt i një pune kërkimore disavjeçare, atëherë mendohet që të mbahet një herë në tre vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›