E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit asistencën sociale për të papunët

 

Rritet me 6 për qind asistenca sociale për personat e papunë që përfitojnë nga programi i asistencës. Në mbledhjen e djeshme, qeveria ka vendosur që të rrisë nivelin bazë të të ardhurës nga papunësia.
Vendimi
Aktualisht nga pagesa e papunësisë përfitojnë rreth 10 mijë të papunë, trajtimi i të cilëve bëhet pranë zyrave të punësimit. Pagesa e papunësisë përfaqëson një nivel bazë të barabartë me 5980 lekë në muaj për çdo përfitues, si dhe disa shtesa të lidhura me numrin e personave në ngarkim, kompensimin për ushqimin dhe energji elektrike të përcaktuara me vendime të këshillimit të ministrave. Sipas të dhënave nga zyrat e punësimit deri në fund të 3-mujorit të parë të vitit, çdo përfitues ka marrë mesatarisht 8 mijë lekë në muaj, nivel ky që paraqitet i ulët për kushtet e vendit tonë. “Në konventën ndërkombëtare të ILO-s, parashikohet që të ardhurat nga papunësia duhet të jenë jo më pak se 50 për qind të pagës minimale në shkallë vendi. Me rritjen për vitin 2009 nuk realizohet parashikimi i konventës”, thuhet në vendimin e qeverisë. Në këto kushte qeveria vendosi që të rrisë me 6 për qind pagesën e papunësisë. Pas rritjes, niveli bazë i të ardhurave nga papunësia bëhet 6340 lekë në muaj. Bazuar në këtë nivel dhe kompensimet që i jepen çdo përfituesi, përfitimi mesatar llogaritet në rreth 8300 lekë në muaj. Efekti mesatar mujor parashikohet të jetë 3.6 milionë lekë. Për vitin 2009 llogaritet 29 milionë lekë dhe do të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Ky vendim i qeverisë do të hyjë në fuqi 15 ditë pasi të jetë botuar në fletoren zyrtare.

Të verbrit, rritet me 1100 lekë pagesa

Rritet me 1100 lekë pagesa e aftësisë së kufizuar për të verbrit. Qeveria vendosi dje që nga 8.700 lekë ta çojë atë në 9800 lekë. ”Kjo pagesë do të indeksohet çdo vit me ritmet e rritjes së pagës minimale në shkallë vendi, por me kusht që masa e indeksuar e saj të mos jetë më shumë se masa e pensionit minimal në qytet në shkallë vendi. Të njëjtën pagesë e përfitojnë edhe qytetarët”, thuhet në relacionin që mban firmën e ministrit të Punës Viktor Gumi. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për këtë vit arrijnë në 123 milionë lekë. Fondet për zbatimin e vendimit përkatës do të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Kjo shtesë për pagesën e të verbërve vjen pas  protestave të njëpasnjëshme, që ata kanë bërë muajt e fundit. Kjo është vetëm një nga kërkesat e tyre, ndërkohë që në peticionin dërguar kryeministrit kërkojnë edhe lehtësira të tjera.

Turizmi, qeveria heq vizat
Gjatë sezonit veror, shtetasit e huaj nuk do të kenë nevojë të marrin vizë për të kaluar në tokën shqiptare. Në mbledhjen e djeshme të Këshillimit të Ministrave, qeveria vendosi që gjatë periudhës 1 maj deri më 31 tetor, shtetasit nga Rusia, Serbia dhe Ukraina mund të hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë. Me marrjen e këtij vendimi qeveria synon që të rritet numri i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›