E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe: “Gruaja vendosi te vija ne Shqiperi”

“Ajo pati rol kyç në ardhjen time këtu, lexon gjithçka në internet”. Trajneri kroat i Kombëtares: “Vetëm po të më përzënë iki nga Shqipëria”

“Ndihem kaq mirë në Shqipëri, sa nuk do të doja të ikja kurrë prej vendit tuaj. Vetëm po të më përzënë e braktis Shqipërinë. Jam duke e shijuar plotësisht jetën si ‘shqiptar’ këtu, më bukur se askund tjetër”. Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, kroati 56-vjeçar Josip Kuzhe, ndihet në “qiellin e shtatë” pas eksperiencës së tij të parë me Shqipërinë, ku brenda 15 ditëve të tij “shqiptare” Kombëtarja zhvilloi dy ndeshje ndërkombëtare (Portugalinë e Gjeorgjinë), ndërkohë që shijoi edhe dy ndeshje “finale” shqiptare: Tirana-Vllaznia (për titull kampion) e Partizani-Kastrioti (playout për mbijetesë në Superligë). Duke bashkëbiseduar “pa protokoll” nën hijen e një “tende të gjelbërt” në kopshtin e këndshëm të hotel “Dyrrah”, në Durrës, atje ku është dhe rezidenca e Kombëtares, Kuzhe është në një version “normal” pasi ka shijuar diellin bregdetar në shezlongun e pishinës së hotelit. Kroati 56-vjeçar është familjarizuar me median shqiptare, duke dhënë asaj luksin e të qenit të lirshëm para tij në konferencat për shtyp, por dhe në ambientet e tjera, ndryshe nga “ngërçi” që krijonte ftohtësia dhe neglizhimi fyes i paraardhësit të tij, Ari Hanit.

Kuzhe, dy ndeshje me karakter krejt të ndryshëm në harkun e katër ditëve, njëra, zyrtare me Portugalinë dhe e humbur në minutat e fundit dhe tjetra, miqësore me Gjeorgjinë me një Shqipëri në version rinor. Si i përjetuat ?
Nga pikëpamja profesionale si trajner nxora konkluzionet e nevojshme, pasi ishin dy ndeshjet e mia të para, dhe me një seleksion, që për hir të së vërtetës nuk ishte i gjithi imi. Natyrshëm, që më djeg pak humbja me Portugalinë, pasi të humbasësh në minutën e fundit, gjithmonë është e hidhur. Këto dy ndeshje ishin jo vetëm të rëndësishme për rezultatet, por dhe për njerëzit që më vendosën mua si trajner, ashtu si dhe për imazhin e futbollit shqiptar. Gjithsesi, ishte kontakti im i parë i vërtetë, eksperienca ime e parë. Tani, praktikisht pas dy ndeshjeve unë kam ide të qarta rreth cilësive dhe aftësive të lojtarëve. E di kush do të luajë dhe kush jo. Tani është radha për të fituar.

Ndeshja e parë e juaja dhe kundër Portugalisë, në një ndeshje për “jetë a vdekje”. A patët frikë nga Kristiano Ronaldo e kompani?
Isha i vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes për portugezët, por dhe për futbollin shqiptar. Kur mbërrita këtu pranova me vetëdije përgjegjësitë e mia. Lista e lojtarëve nuk e imja. Konstatova disa probleme në mbrojtje, kisha vetëm një lojtar shkatërrues në mesfushë, Bulkun, dhe prandaj vendosa që Beqiri të ishte bashkë me të, pasi ishte një lojtar me eksperiencë. E dija që për Kristiano Ronaldon ishte shumë e rëndësishme për të luajtur në Kupën e Botës, pasi për të tashmë nuk flitet për futboll, por për një histori pafundësish milionash pasi ka pas sponsorët më të mëdhenj në botë. Ai nuk luan për të luajtur futboll, por që të jetë një imazh. Individualisht ai nuk tregoi shumë kundër Shqipërisë. Kundër tij duhej të zgjidhje vetëm një taktikë, aspak mbulim një për një, por një mbulim e bllokim total të tij, pa i dhënë mundësi hapësire.

Çfarë ndjetë në ato momente kur Portugalia shënoi golin e fitores, pikërisht në minutën e fundit?
Gjënë më të keqe që mund të shijojë një njeri në jetë. Shënuan fillimisht portugezët e pas një minutë barazoi Bogdani. Isha duke përjetuar disa çaste para se të përfundonte takimi, një ndjenjë të brendshme madhështore dhe kontrasti me atë që ndjeva pas humbjes ishte i madh. Gjithsesi, performanca e skuadrës ishte shumë e mirë. Fjeta shumë mirë atë natë. Gruaja më telefonoi pas ndeshjes dhe kur i tregova për ndeshjen, më uroi një ‘gjumë të ëmbël’. Edhe djali, për të cilin nuk doja të ishte në ndeshjen time të parë, më telefonoi.

Ju i keni fituar zemrat e tifozëve shqiptarë. Asnjë fitore në dy ndeshje, por dy ndeshje të mira. Sidomos ajo me Portugalinë ishte shumë e rëndësishme.
Në të vërtetë, do të doja shumë të fitoja njërën prej tyre. Bëmë ndeshje të mirë me Portugalinë, e ndaj të njëjtin mendim me të gjithë, por i shoh ndeshjet si trajner dhe një trajner sheh më shpesh atë që shkoi gabim. Në mënyrë të veçantë gjatë lojës unë isha jo shumë i lumtur, por kur pashë më pas DVD-në e takimit nuk isha dhe aq i palumtur. Gjatë ndeshjes unë isha nën presionin e emocioneve dhe shpesh reagoja edhe ndoshta keq, por kur e pashë atë të përsëritur thashë, ekipi ka luajtur me të vërtetë mirë.

Ndeshja ndërkombëtare e radhës e Shqipërisë është miqësorja me Qipron, më 12 gusht, ndërkohë që prej asaj date na ndajnë dy muaj. A keni ndonjë agjendë gjatë kësaj periudhe?
Do të vazhdoj të mbledh informacione për lojtarët, që luajnë në Shqipëri dhe jashtë saj e do të shkoj në Peskara për të ndjekur ndeshjet për Lojërat Mesdhetare. Më pas, do të ndjek skuadrat shqiptare që do të luajnë në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës, e më vonë edhe Ligën Shqiptare për të gjetur disa figura të fuqishme. Ne kemi një shprehje në Kroaci. Një ndërtesë ngrihet tullë pas tulle. Kështu do të veproj dhe unë me lojtarët. Puna e parë është të ndërtoj formacionin, më pas për të krijuar modelin e lojës dhe për të zhvilluar metodën për të transmetuar sa më shpejt idetë e eksperiencën time te lojtarët.

Dilema: shqip apo italisht?

Cila është fjalë e parë që keni mësuar në shqip?
Fjalën e parë që mësova në shqip ishte ‘sukses’, një fjalë që ekziston në fakt, në shumë gjuhë të botës. Ma kanë thënë pafundësisht këtë fjalë, kudo, në hotel, stadium.
Ju dëgjoni vazhdimisht biseda të lojtarëve në gjuhën shqipe, sa ë e vështirë ju duket ajo për të mësuar?
Dëgjoni, Unë jam i çmendur pas gjuhëve të huaja. Kam një metodologjinë time për t’i mësuar ato. Kam pak ditë në Shqipëri, por me të vërtetë di më shumë se 50 fjalë shqip. Mund të bëjë gabime në të folur, por kështu mësojnë të gjithë
Një gjuhë që tingëllon bukur apo jo?
Tani jam në një bast me veten, të mësoj më mirë shqip apo italisht, pasi këtu të gjithë e flasin. Gjithsesi, pa dyshim që do të mësoj shqip për të treguar respekt për njerëzit me dhe për të cilët punoj.
Keni fituar në Shqipëri më shumë popullaritet ju brenda dy javësh sesa Hani në 14 muaj.
E shoh që njerëzit janë dukshëm miqësorë me mua. Mund të flas me ta pa komplekse për futbollin. Jam shumë i hapur si tip. Nuk shqetësohem shumë për këtë, pasi natyrshëm kur flet me argumente nuk ke pse të kesh frikë.

Shijet e “kumarxhiut”, nga ushqimi te librat

Le të flasim për preferencat tuaja. A ju pëlqen ushqimi shqiptar?
Shiko në këtë moshë që jam, nuk para magjepsem shumë para ushqimeve. Kam bredhur shumë, njoh disa lloj kuzhinash. Ha gjithçka. Përsa i përket ushqimit shqiptar, është pak vështirë ta them, pasi nuk e di se cili është ushqimi tipik. Më thanë vetëm që në traditë është mishi, por sesi i gatuar ende nuk e mësova.

Ju pëlqen të lexoni libra?
Po lexoj. Më pëlqen të lexoj gjithfarë librash. Kam shumë autorë të preferuar kroatë e ndërkombëtarë. Përgjithësisht ata që kanë stil të bukur. Kam hobi librat historikë dhe ata që flasin në veçanti për Luftën e Dytë Botërore.

Filmat ju krijojnë emocione të mëdha?
I pëlqej, por nuk është se u kushtoj shumë kohë. Gjithsesi, shikoj me kënaqësi filmat ‘thriller’ dhe ata me aksion. Më pëlqejnë filmat me ritëm.

Teatri bën pjesë në agjendën tuaj?
Shumë vite me parë, isha thuajse i abonuar, por tani shumë pak. Më thoni sa kohë ka një trajner kur është në punë. Kam disa miq aktorë e regjisorë, por shpesh i zhgënjej pasi nuk u shkoj në shfaqjet e tyre në Zagreb. Për herë të fundit në teatër kam qenë para dy vjetësh.

ǒvend zënë makinat në jetën tuaj?
I përdor si çdo njeri i zakonshëm, por nuk jam tifoz pas tyre. Nuk kam ndonjë preferencë speciale për markat.

Përveç të qenit trajner e jurist, çfarë tjetër do t’iu pëlqente të bënit në jetë?
Gjithçka që mund të bëjë njeriun të lumtur. Të isha jurist ishte një çështje që kishte të bënte me ekzistencën, pra me punën dhe paratë që mund të fitoja. Kur fillova studimet për jurisprudencë e bëra se më pëlqente ta bëja, pasi nuk më pëlqente as mjekësia apo ekonomia, apo diçka tjetër. Futbolli ka të bëjë jo vetëm me ekzistencën time, por dhe me lumturinë që më jep. Gjithsesi, tenisi është një preferencë e imja, e më tërheq edhe golfi. Nuk më pëlqejnë gjërat e ngadalta, nuk janë në temperamentin tim.

Sa vend zë interneti në kohën tuaj?
Natyrshëm, ka vendin e tij, por nuk është se jam ndonjë fan futbolli. Por, shoh vetëm faqe që kanë të bëjnë më futbollin.

Ëndrra “Europian” e kroatit

Pak ditë më parë Kuzhe deklaroi se “ëndrra ime është të çoj Shqipërinë në finalet e Europianit të vitit 2012”. Por, a është kjo një deklaratë rutinë, nga ato të cilat sistematikisht i kanë bërë gjithmonë trajnerët. Kuzhe thotë: “Kjo është ëndrra ime. Ne duhet të vendosim një objektiv. Dhe synimi nuk është vetëm të marrim pjesë në kualifikuese, por të jemi të suksesshëm. Më duhet që ta pohoj se Shqipëria ka potencial. Shqipëria mund të luaj një futboll të bukur. Kur pranova të marr detyrën e dija se ne ishim në klasin e katërt në Europë, po të bëj një ndarje të tillë përsa i përket niveleve të skuadrave. Por, është në karakterin tim të fitoj e të jem i suksesshëm në kualifikuese”.

13 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›