Raporti i INSTAT: Ekonomia shqiptare dominohet nga bizneset e vogla dhe familjare
Bizneset të cilat dominojnë aktualisht ekonominë shqiptare janë subjektet e vogla dhe ekonomitë ose bizneset familjare. Këto janë subjekte të cilat punësojnë nga 1- 4 persona duke u klasifikuar si “biznes i vogël” por që zënë pjesën më të madhe prej 93 për qind të subjekteve të biznesit. Një përqindje jo të vogël zënë edhe prodhuesit e shërbimeve të ndryshme me rreth 85 për qind në numrin e të gjitha ndërmarrjeve. Sipas INSTAT-it, vitet e fundit shikohet një tendencë në rritje e rrolit menaxhues të femrave në rrolin drejtues të firmave ose drejtimin e bizneseve, por megjithatë pjesa e tyre mbetet akoma e ulët me rreth 24.7 për qind. Në raport numri i ndërmarrjeve të cilat rezultojnë si aktive në ekonomi shkon në 107.342 të tilla. Mbizotëruese në këtë grup ndërmarrjesh me rreth 62 për qind, janë ato me aktivitet tregtar në hotele, bare dhe restorante, ku më shumë se gjysma e tyre është përqendruar në qarqet Tiranë dhe Durrës. Por edhe aktivitet e tjera të shërbimeve, kryesisht në arsim, shëndetësi dhe ndërmjetësime financiare, zënë një pjesë të konsiderueshme të bizneseve ku kohët e fundit shihet një prirje rritëse e tyre. Ndërsa ndërmarrjet e mëdha zënë më pak se 1 për qind të të gjithë këtij tregu në vend, por pavarësisht ato kanë një peshë të konsiderueshme porsa i përket rolit të punësimit pasi kanë mbi 37 për qind të numrit të të punësuarve në sektorin privat. Aktiviteti i këtyre bizneseve sipas raportit ka nisur për rreth 44.5 për qind të tyre, gjatë viteve 2006-2008.
Ruli: “Kemi akorduar 25 milion euro kreditim të butë për biznesin prodhues”
Gjatë një analize të punës së dikasterit që drejton, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ka bërë një ekspoze të arritjeve gjatë katër viteve të fundit.
Sipas tij, gjatë katër viteve të fundit janë trefishuar investimet e huaja direkte në vend. Shqipëria është renditur e dyta në botë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe në të 14-tin për mbrojtjen e investitorëve. Ndërkohë, në treguesin e “Lirisë Ekonomike”, Shqipëria renditet sot si e barabartë me shumë vende të Bashkimit Evropian. Gjatë këtyre viteve, sipas ministrit Ruli, u ndërmor reforma e madhe rregullatore, e cila mundësoi regjistrimin e biznesit në 60 minuta, nga 44 ditë, me një kosto më pak se 1 euro. U eliminuan 104 leje dhe licenca dhe u ngrit Qendra Kombëtare e Licencimit për ato që mbetën. Po ashtu, janë programuar 6 parqe industriale kombëtare dhe u lidhën tre kontratat e para, me investim 55 milionë euro dhe punësim deri në 30.000 vetë. Eksportet shqiptare, shprehet Ruli, u rritën si asnjëherë me një ritëm prej 25 për qind në vit dhe për herë të parë u ngritën dy fonde shtetërore në ndihmë të eksportuesve, ndërsa janë akorduar 25 milion euro kreditim i butë për biznesin prodhues. Ministri Ruli bën të ditur se ka përfunduar me sukses të plote procesi i ristrukturimit të ekonomisë nëpërmjet privatizimeve strategjike, duke privatizuar në kohë dhe me vlera rekord Albtelekomin, ARMO-n, AMC-në dhe OSSH-në, në një kohë krize financiare globale. Për herë të parë në 25 vitet e fundit, sektori i energjetikës njohu një vendimmarrje të guximshme që e futi përfundimisht në rrugën e zhvillimit.
13 Qershor 2009