E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrollet policore, ndalohen me armë dhe sende të vjedhura

11/01/2011  Aksioni policor në Korçë po realizohet pa bujë e zhurmë, mbështetje nga qytetarët

KORÇE- Automjetet që qarkullojnë në qarkun e Korçës po u nënshtrohen kontrolleve të strukturave të policisë të këtij qarku. Përgjithësisht kontrolle të kësaj natyre ka pasur edhe më parë, madje në mënyrë të përhershme, por tashmë duket se numri i kontrolleve është rritur ndjeshëm. Ajo çka bie në sy ka të bëjë me faktin se policia ka për qëllim zbulimin e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me armë të ftohta, kapjen e personave në kërkim apo të personave që tentojnë të trafikojnë lëndë narkotike. Ndryshe nga qarqet e tjera të vendit, kontrollet e ushtruara në qarkun e Korçës po kryhen pa bujë e zhurmë, si një praktikë e zakonshme e policisë për sigurimin e rendit dhe të qetësisë. Madje nga ana e policisë nuk është bërë i ditur fillimi i një aksioni të tillë, por tashmë kjo gjë po konstatohet lehtësisht nga gjithkush. Megjithatë, kontrollet në fjalë kanë gjetur edhe mbështetjen e qytetarëve. Në vëmendjen e kontrolleve të ushtruara kanë qenë dhe makinat luksoze, të dyshuara si të vjedhura, si dhe makinat me targa të huaja.

Arrestimet

Kontrollet e ushtruara kanë nisur të japin rezultatet e para. Policia ka bërë të mundur kapjen e personave që qarkullojnë me armë të ftohta, me armë zjarri apo me materiale të tjera të vjedhura. Gjatë 24 orëve të fundit, fal kontrolleve të ushtruara ka nisur procedimi penal për dy shtetas, ndërsa është ndaluar një person i tretë. Burme pranë Drejtorisë së Policisë të Qarkut Korçë, bënë të ditur se aktualisht ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Oliger Hasimllari, 30 vjeç, banues në lagjen nr. 2 të qytetit Maliqit në rrethin e Korçës, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në qytetin e tij, në automjetin me targa AX 870 ËK, në pronësi të tij, iu gjet një thikë, e cila është konfiskuar në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë është bërë dhe bllokimi i automjetit. Veç sa më sipër, një kontroll i radhës ka bërë të mundur ndalimin e shtetasit Reald Goroveci, 23 vjeç, banues në fshatin Podgorie të Korçës, pasi këtij shtetasi iu gjet në automjetin e tij me targa italiane BK 552 II një armë gjahu teke, si dhe 7 fishekë çifteje, për të cilat nuk zotëronte asnjë dokumentacion. Për këtë arsye, policia bëri bllokimin e armës në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Korçës për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjahut”, parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal. Të njëjtat burime bënë të ditur gjithashtu se ndërkohë ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal edhe për shtetasin Viktor Agolli, 53 vjeç, banues në lagjen nr. 17 të qytetit të Korçës, sepse gjatë kontrollit që iu bë mjetit tip furgon me targë KO 15-41 A, në pronësi të tij iu gjetën materiale të vjedhura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›