E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Kompanitë e telefonisë celulare të ulin çmimet

12/01/2011  Reagon ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë. Pritet ulje brenda marsit

Një ditë pasi Kryeministri Sali Berisha kërkoi ulje të tarifave celulare, ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë, Genc Pollo, kërkoi që kompanitë celulare të bashkëpunojnë për uljet e kërkuara të kostove. Sipas tij, deri në qershor të këtij viti do të ketë një rënie të tarifave që paguajnë shqiptarët për bisedat telefonike. “Çmimet e përdoruesit të telefonit celular nuk janë një faqe e lavdishme në historinë e kompanive mobile në Shqipëri. Në këto 10 vite shqiptarët kanë paguar për celularët e tyre çmime, të cilat të krahasuara me koston, kudo në botë do të ishin quajtur skandaloze”, - ka deklaruar ministri Genc Pollo. Duke marrë shkas nga veprimet e fundit të Autoritetit për Komunikimet Elektronike dhe Postare, që synojnë uljen e tarifave të terminimit vlerësoi se uljet e çmimeve në 2-3 vitet e fundit kanë qenë të papërfillshme. “Përsëri celularët tek ne kushtojnë më shumë se në Ballkan dhe në Evropë. Një analizë e tregut tregon se normat e fitimit të operatorëve mobilë me fuqi të ndjeshme në treg janë jonormale dhe joetike, sidomos kur mbështetet në superçmime për qytetarët e një vendi ku ka ende varfëri”, - deklaroi Genc Pollo. Brenda muajit mars pritet të kryhet ulja e parë e tarifave të terminimit mes kompanive celulare. Ky veprim, pritet të sjellë një reduktim të pagesave për përdoruesit e telefonisë së lëvizshme, i ndikuar edhe nga futja në treg e operatorit të katërt të telefonisë celulare.

Deklarata e Kryeministrit

“Nuk mund të bindem unë që shqiptarët në një përdorim të celularëve 17 për qind mbi mesataren evropiane duhet t’u imponohen tarifa, të cilat janë 2-3 herë më të larta se rajoni apo të Austrisë që është një vend me paga minimumi 5 herë më të larta se Shqipëria”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›