E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrollet rutinë pas moshës 35 vjeç Sëmundjet kardiovaskulare, shtohen pacientët

30/11/2011  SHKODER- Numri i pacientëve me sëmundje kardiovaskulare në zonën e Shkodrës ka ardhur duke u rritur këto vitet e fundit. Ky fakt bëhet i ditur nga mjekët kardiologë të spitalit rajonal të Shkodrës, të cilët shprehen se ky numër ka ardhur në rritje si rezultat dhe i uljes së moshës së personave që preken nga sëmundjet e zemrës. Ndër shkaqet kryesore të rritjes së këtij numri dhe prekjes nga sëmundjet kardiovaskulare në mosha më të reja se më përpara, mjekët rendisin shtimin e stresit dhe përdorimin e alkoolit. Ndërkohë mjekja kardiologe Semiha Pirani shprehet se shtimi i numrit të sëmurëve me zemër vjen dhe nga vetë pakujdesia e njerëzve për shëndetin e tyre. Duke theksuar se sëmundjet kardiovaskulare njihen ndryshe si vrasësi i heshtur, mjekja Pirani thekson se duhet bërë një organizim akoma më i mirë për edukimin shëndetësor të njerëzve në mënyrë që të zvogëlohet dhe jo të rritet numri i rasteve të humbjes së jetës për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare. Sëmundjet kardiovaskulare quhen në të gjithë botën, killer i heshtur, dhe marrin jetë të shumta njerëzish. “Numri i personave që humbin jetën për shkak të këtyre sëmundjeve, po i afrohet numrit të rasteve me vdekje të të sëmurëve kancerogjenë. Paraqiten për trajtim zakonisht moshat e mesme dhe të treta, pasi të rinjtë ende nuk kanë edukatën mjekësore në kuptimin e mirë të fjalës që të njohin sëmundshmërinë kardiovaskulare, sepse dhe ekzaminimet depistuse në Shqipëri njihen pak. Kjo është e rëndë për t’u thënë, por duhet të thuhet, pasi mbi moshën 35 vjeç duhet që çdo 6 muaj të bëhet një ekzaminim total i organeve, por që e detyrueshme të jetë ekzaminimi kardiovaskular”, shprehet mjekja kardiologe Semiha Pirani. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›