E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të nisim procedurat e referendumit për imunitetet

Tiranë- Kryeministri Sali Berisha tha sot nga mbledhja e kabinetit të tij qeveritar se do të nisin përgatitjet për të mbajtur një referendum popullor për çështjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë, një ditë pasi opozita nuk pranoi të votonte projekt/ligjin e hartuar me konsensus mes palëve pasi sipas saj reforma e imuniteteve duhet të ndiqet edhe me zgjidhjen e një sërë problematikash siç është garantimi i pavarësisë së organeve të drejtësisë.

“Mbeti rruga e vetme ti drejtohemi shqiptarëve me një referendum popullor, pavarësisht nga disa vështirësi, referundimi do të bëhet në respekt të plotë të Kushtetutës, por asgjë smund të ndalojë, pengojë të dëgjohet zëri i qyetarit”,-tha kryeministri, i cili porositi Këshillin Legjislativ të Parlamentit të elaborojë platformën për hapa të mëtejshme të atij që siç e quajti Zoti Berisha do të përbëjë një akt madhor ku zëri i qytetarëve do të dëgjohet dhe votimi i tyre do të respektohet.

“Kush ka frikë të dalë menjanë, të ikë nga politika,-tha Berisha. Sipas shefit të qeverisë votimi i djeshëm nuk synonte përbaltjen e askujt, por synonte një akt dinjiteti, kurajoje me të cilën siç tha kryeministri imunitarët e këtij vendi do ti tregonin shqiptarëve se rrëzuan një mburojë të korrupsionit.

“Zoti Rama grupi i miliarderëve nuk pranuan dje që të votonin atë projekt/ligj të pregatitur në çdo germë me konsensus të plotë. Zoti Rama mori përsipër një përgjegjësi të paimagjinueshme: të bllokojë për të tretën herë statusin e vendit kandidat. Sk’a mesazh më negativ. Ky vend ka marrë mbi 1 miliardë euro nga taksapaguesit evropianë…zyrtarët e Brukselit janë këtu të konsiderojnë se si përdoren këto para. Përdoren për qytetarët apo për të mbushur xhepat e zyrtarëve. Mbrojtja patologjike që i bëri dje në parlament PS-ja murit të imunitetit dhe murit të korrupsionit do të shkruhet me germa të zeza në historinë e parlamentit shqiptar dhe do të nxijë derisa imunitarët e Shqipërisë të barazohen me qytetarët e tyre përpara ligjit. U bë për interesa të lidhura kryekëput me interesa të paligjshme”,- shtoi kryeministri.

Sakaq duke iu kthyer datës së referendumit Zoti Berisha tha se ai do të percaktohet në vazhdim nga KQZ-ja, Gjykata Kushtetuese dhe institucionet e tjera në frymën e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Dorina Bilbili/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›