E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrolli nga BE

Kryeministri Hashim Thaçi u ka kërkuar ministrave të kabinetit të tij që t’i përfundojnë të gjitha detyrat që i kanë pasur në procesin që del në kuadër të zbatimit të kritereve demokratike për integrimin evropian.

Kërkesa e Kryeministrit Thaçi për ministrat vjen në prag të vizitës së Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Europian, Stefan Fuele, i cili pritet ta vizitojë Kosovën javën e ardhshme.

Thaçi u ka thënë ministrave që të kryejnë detyrat e tyre përkatëse, në mënyrë që vizita e Komisionerit Europian t’i gjejë të gjithë të përgatitur.

“Ju ftoj të gjithëve që t’i përmbyllni të gjitha përgatitjet e duhura në procesin tonë që del në kuadër të zbatimit të kritereve tona demokratike për integrim në BE, implementimin e të gjitha detyrave që ka çdo ministri përkatëse. Së shpejti do ta pranojmë udhërrëfyesin për marrëdhënie tregtare, e presim edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Besoj se do të kemi qasje dhe përkushtim të plotë që edhe kjo çështje të përmbyllet suksesshëm në kohën e duhur dhe më një profesionalizëm të lartë”, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Ministria e Punëve të Brendshme ka më së shumti obligime dhe përgjegjësi në procesin e integrimeve europiane.

Përfaqësues të kësaj ministrie deklarojnë se Komisionarin e BE’së e presin të përgatitur.

Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë politik i Ministrit të Brendshëm, Zenun Pajaziti, tha për Express se institucionet kosovare do ta shfrytëzojnë vizitën e Feueles për t’i prezantuar atij progresin e arritur në drejtimin e sfidave që kanë dalë nga Raporti i Progresit i vitit të kaluar.

“Po ashtu do t’i raportojmë lidhur me progresin e arritur në implementimin e kritereve për liberalizimin e vizave. Ne do të shfrytëzojmë këtë rast për të prezantuar progresin që kemi arritur në fushën e riatdhesimit dhe çështjet tjera të ndërlidhura me këtë proces”.

Sipas Rexhepit, Kosova tashmë ka hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Europian.

“Kemi një dinamizim të procesit të integrimit në BE. Sidomos pas raportit të studimit të fizibilitetit ku janë dhënë rekomandimet konkrete për përafrimin e vendit tonë me BE’në. Dihet që kanë qenë tri rekomandime kryesore. Është hapur mundësia për marrëveshjen tregtare. Është hapur mundësia për liberalizimin e vizave dhe për intensifikimin e dialogut në kuadër të kornizës së stabilizim-asocimit”.
Rexhepi tha se tashmë këto rekomandime në Kosovë janë duke u zbatuar në praktikë.

“Vizita e shefes së diplomacisë së BE’së dhe vizita që pritet të realizohet në javën e ardhshme në Prishtinë nga Komisionari për Zgjerim i BE’së dëshmojnë qartë se tashmë edhe Kosova është prioritet i BE’së në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Në anën tjetër, Komisionari Europian për Zgjerim, Stefan Fuele në një intervistë dhënë të përditshmes “Standard” të Vjenës, ka thënë se cilësia e përgatitjeve për hyrje në Bashkimin Europian duhet të ketë përparësi kundruall shpejtësisë, meqë me pranimin nuk dëshirohet vetëm një bashkim më i gjerë, por edhe më i fuqishëm.

Në pyetjen se kur do të bëhen anëtare të BE’së vendet e Ballkanit Perëndimor, Fuele ka thënë për “Standard” se nuk ka një sferë të kristaltë dhe se Komisioni Europian nuk është kompetent për caktimin artificial të afateve kohore.

“Secili vend do të përparojë në bazë të meritave të veta dhe se cilësia e përgatitjeve për hyrje duhet të ketë përparësi kundruall shpejtësisë, meqë nuk dëshirojmë që duke pranuar vetëm ta rrisim BE’në, por që ta ndërtojmë më të fuqishme”, ka thënë ai.

“Në Ballkanin Perëndimor bashkëpunimi rajonal është pjesë integrale e zgjerimit dhe ai do të duhej të fuqizohet edhe më tutje. Ne këtë e vështrojmë me hollësi dhe presim nga të gjithë partnerët në rajon që të angazhohen në mënyrë konstruktive në bashkëpunimin rajonal”, ka thënë Fuele.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›