Konuzin: Problemi i ndihmave zgjidhet në Moskë dhe Bruksel
Problemi me ndihmën humanitare nga Rusia nëpërmjet pikëkalimit Jarinje zgjidhet në nivelin më të lartë, në Moskë dhe Bruksel, ka deklaruar ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Konuzin. Ai u ka deklaruar gazetarëve në Jarinje se EULEX-i, me “shantazh politik” doli nga korniza e mandatit të tij.
“Lëvizja është ndaluar dhe aksioni humanitar është bllokuar, si rezultat i shantazhit politik. Misioni i BE-së edhe një herë doli nga korniza e mandatit të vet që ka të bëjë me procedurën doganore. EULEX-i imponon kushte politike dhe nuk është neutral ndaj statusit. Edhe një herë EULEX-i është vënë në anën e autoriteteve të Prishtinës”, ka thënë Konuzin.
Ai ka thënë se autokolona ruse është e gatshme të vazhdojë rrugën pa u ndjekur nga EULEX-i dhe nuk ka ndërmend që të kalojë nëpërmjet Mardarit, duke pasur parasysh se kontrollin në atë pikëkalim e ushtrojnë doganierët kosovarë, të cilët Rusia dhe Serbia nuk i njohin.
Tre kamionë nga 27 që përmbante autokolona e ndihmave ruse të dedikuara për serbët në veri të Kosovës, kanë kaluar natën në Jarinje.