E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi me kartelë: E hodha foshnjen në nerva e sipër

TIRANE- "Ikni na lini rehat në hallet tona. Djali është i sëmurë”. Më këto fjalë na drejtohet halla e Hysen Bibës, 29-vjeçarit, i cili dy net më parë tronditi gjithë vendin, duke hedhur nga kati i katërt i maternitetit foshnjën e tij 3-ditëshe. Banesa e familjes Biba ndodhet në periferi të kryeqytetit dhe gjatë gjithë ditës së djeshme dyert e saj kanë qëndruar të hapura në pritje të të afërmve. Hyrja në banesë është e pamundur, pasi familjarët e Hysen Bibës nuk pranojnë të komunikojnë me mediat, duke thënë vetëm fjalët: “Ai është i sëmurë”. Një prej fqinjëve të kësaj familjeje, i pyetur në lidhje me ngjarjen deklaron po të njëjtat fjalë si familjarët e 29-vjeçarit. “Hyseni është i sëmurë dhe mos u merrni me të. Ai po të ishte normal, nuk do ta bënte një gjë të tillë”, – rrëfen fqinji. Pranë derës së banesës së familjes Biba shfaqet një grua e moshuar, e cila në pret më këmbët e para duke na kërkuar të largoheni dhe të mos i shqetësojmë. “Ikni, ne kemi hallet tona dhe nuk kemi nge për gazetarët. Ai është i sëmurë. Nëse do vini për ngushëllim dhe të pini kafe, bujrum, në të kundërt ikni që këtu”, – deklaron halla e Hysen Bibës dhe na bën me shenjë që të largohemi.

RRËFIMI I FQINJËVE 
E gjithë zona përreth banesës së familjes Biba është e shokuar me lajmin e rëndë. Ka dhe nga ata të cilët, vetëm mëngjesin e djeshëm e kanë mësuar se personi që kishte hedhur foshnjën e tij nga dritarja, ishte pikërisht fqinji i tyre. “Unë sot e kam marr vesh që ishte Hyseni. Mbrëmë e pash në televizor dhe u bëra shumë keq, por nuk bëja lidhjen e emrave. Sot në mëngjes më thanë komshinjtë e tjerë se ishte Hyseni ai që kishte hedhur djalin. Nuk di çfarë të them. U shokova dy herë, pasi si ai dhe nusja ishin njerëz të mirë dhe të urtë, e nuk përziheshin me njeri. Ai ka punuar për disa kohë kasap, ndërsa nusja rrinte në shtëpi dhe rriste djalin 2-vjeçar. Është një tragjedi shumë e rëndë që as hasmit nuk i urohet”, – shprehet një prej fqinjëve të familjes. 

RRËFIMI I BIBËS NË POLICI 
Menjëherë pas arrestimit, Hysen Biba është marrë në pyetje nga ana e oficerëve të policisë, për të zbuluar shkaqet që e shtynë drejt ngjarjes së rëndë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Biba ka deklaruar se prej disa muajsh konfliktohej dhe zihej shpesh me bashkëshorten e tij për shkaqe të ndryshme, edhe pse kjo e fundit ishte shtatzënë. I pyetur në lidhje me ngjarjen dhe motivet, mësohet se 29- vjeçari ka qenë konfuz duke mos dhënë shumë detaje, por duke deklaruar vetëm se në nerva e sipër ka marrë fëmijën dhe e ka hedhur nga dritarja dhe është larguar me shpejtësi nga materniteti. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se gjatë gjithë marrjes në pyetje Hysen Biba ka qenë konfuz dhe në shumicën e rasteve nuk u është përgjigjur pyetjeve të bëra nga ana e efektivëve të policisë. Ndërkaq, në pyetje janë marrë dhe punonjëset e maternitetit, të cilat kanë qenë të pranishme në momentin e ngjarjes, si dhe të afërm të Bibës dhe të bashkëshortes së tij, 21-vjeçares Lule Biba (Peposhi). Nga ana tjetër, burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se prej disa kohësh 29-vjeçari ishte me kartelë mjeksore dhe kurohej në ambientet e Spitalit 5 për probleme nervore dhe depresioni, të cilat dyshohet se e kanë shtyrë të kryej edhe krimin e rëndë. Ndërkohë, pritet të kryet dhe një ekzaminim mjeko-ligjor për të përcaktuar nivelin e problemeve mendore që mund të ketë 29- vjeçari.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera I ati i vajzës: Biba i bëri fshehtas ADN djalit të parë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›